“1 grek më pak, 1 bastard më pak”, FSHF “karton të kuq” Partizanit për banderolën

Publikuar tek: sport, më 20:53 30-10-2018 “1 grek më pak, 1 bastard më pak”, FSHF “karton të kuq” Partizanit për banderolën Banderola e shpalosur dje

Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar vendosjen e banderolës së tifozve të Partizanit ditën e djeshme në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”, “1 grek më pak, 1 bastard më pak”.

Kjo banderolë ka bërë jehonë jo vetëm në mediat shqiptare, por dhe ato greke. FSHF me anë të një deklarate për shtyp ka njoftuar mbledhjen e Komisionit të Disiplinës, për të shqyrtuar rastin dhe për të marrë masat për ekipin e Partizanit, të cilit i bie faji, pasi ishte organizatori për këtë ndeshje dhe mbarëvajtjen e saj.

“Ajo parrullë që nuk ka asnjë të përbashkët me thelbin e futbollit për të bashkuar njerëzit në paqe e harmoni, nuk mund të jetë kurrësesi një element tifozerie e aq më pak të qëndrojë mbi flamurin tonë kombëtar”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF.

NJOFTIMI I PLOTË:

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e thellë dhe distancohet në mënyrë të prerë nga incidenti i djeshëm ndodhur gjatë ndeshjes Partizani – Skënderbeu, duke iu referuar qartazi parrullës së shpalosur në fillim të ndeshjes në seksionin e tifozerisë së Partizanit, parrullë dukshëm me sfond racist dhe me mesazhe të papranueshme për fushën e blertë dhe lojën e futbollit. Edhe pse u desh ndërhyrja e delegatit të ndeshjes për heqjen e atij çarçafi të errët, sërish qëllimi dhe akti mbetet shumë i dënueshëm.

Ajo parrullë që nuk ka asnjë të përbashkët me thelbin e futbollit për të bashkuar njerëzit në paqe e harmoni, nuk mund të jetë kurrësesi një element tifozerie e aq më pak të qëndrojë mbi flamurin tonë kombëtar. FSHF, duke dënuar me forcë gjuhën e përdorur dhe mëndjen e trazuar për t’a përzjerë futbollin me racizëm apo pseudo nacionalizëm, siguron opinionin publik dhe tifozët e vërtetë se stadiumet tona nuk do të shndërrohen asnjëherë në mediume konflikti dhe urrejtjeje por do të jenë në çdo rast e çast arenë ku mbizotëron fryma e solidaritetit, gjallërisë dhe dashurisë për futbollin. Ritheksojmë se distancohemi qartazi nga çdo provokim dhe shprehim bindjen se ky grupim i veçuar, çarçaf i shkurtër dhe i keq orientuar nuk do të arrijë të prishë imazhin e futbollit dhe tifozerisë së vërtetë.

Duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij rasti të rrezikshëm për imazhin e futbollit, i sigurojmë të gjithë se do të merren të gjitha masat përkatëse që raste të tilla skenaresh dritëshkurtra jo vetëm të mos kalojnë pa u ndëshkuar por kurrësesi të mos përsëriten e të mos njollosin imazhin e lojës së futbollit. Duke theksuar se mbetet në përgjegjësinë e klubit parandalimi i këtyre incidenteve, në rastin aktual i klubit Partizani, bëjmë me dije se komisionet juridike pranë FSHF-së do të mblidhen në mënyrë urgjente dhe do të shqyrtojnë të gjithë incidentin për të vijuar me masat përkatëse.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Gjendet i vdekur në një shkurre, masakrohet futbollisti i njohur
Banderola “1 grek më pak, 1 bastard më pak”, reagon Olsi Rama:  Ju siguroj se fajtorët ... »
Article Logic
Execution time: 0.0046491622924805
array(1) { ["section"]=> string(82) "1-grek-me-pak-1-bastard-me-pak-fshf-karton-te-kuq-partizanit-per-banderolen-139661" }