10 mijë euro/ Alda Bardhyli replikë me Ardian Vehbiun: Për një bilanc jo vetëm financiar të çmimit 'Kadare'

Publikuar tek: kulture-art, më 11:24 08-07-2019 10 mijë euro/ Alda Bardhyli replikë me Ardian Vehbiun: Për një bilanc jo vetëm financiar të çmimit 'Kadare'

(Replikë me Ardian Vehbiun)

Nga ALDA BARDHYLI, koordinatore e çmimit Kadare

“Me këtë çmim fitojnë të gjithë”, ky titull i Ardian Vehbiut shoqëronte një shkrim mbi çmimin “Kadare”, në “Peizazhe të fjalës”, marrë shkas nga një status publik i profesorit Agron Gashi, ku fliste për “avullim” të shumës prej 10 mijë eurosh, që duhet të kishte shkuar në llogarinë e fituesit të edicionit të tretë të këtij çmimi, shkrimtarit Musa Ramadani.

Nëse nuk do të shkonim më tej tekstit të Vehbiut, titulli do të dukej i justifikuar për një çmim që, më shumë se për autorët që janë kurorëzuar në këto vite, ka fituar letërsia shqipe. 

Nuk është hera e parë që Vehbiu kërkon ta shohë këtë konkurs të letrave shqipe, i cili është kthyer në këto vite në projektin më të rëndësishëm kulturor në hapësirat shqiptare, jo në vlerën që mbart si iniciativë dhe si një shërbim ndaj autorëve dhe letërsisë, por për grantin (ashtu siç e quan në një shkrim të vitit 2017) që mbart. (Dua vetëm të vërej se ky çmim vjen kaq fort në vëmendjen e publikut ngaqë lidhet me emrin e Kadaresë, por edhe për shkak të honorarit relativisht të majmë [10 000 euro] që merr fituesi, shkruan Vehbiu në shkrimin “Çmimi i përfolur”, dy vite më parë.) 

Për një studiues të letërsisë e shkrimtar si Vehbiu, analiza mbi bilance financiare e jo mbi analiza mbi prurjet e këtij çmimi, pasi janë 5 romane të botuara në këto vite nga ky konkurs, thjesht konfirmojnë qëndrimet e tij të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë. 

Çmimi “Kadare”, iniciativë e Institutit Europian “Pashko”, mbylli këtë vit edicionin jubile (edicionin e pestë), duke shpallur fitues shkrimtarin e ri Loer Kume. Përgjatë këtyre viteve, në një hapësirë letrare, ku duket se nuk ndodh asgjë, ky çmim ka pasur meritën jo vetëm në krijimin e një gare motivuese për më shumë se 300 autorë, por dhe në nxitjen e një debati mbi letërsinë. Marrëdhëniet tona me autorët fitues të këtij çmimi kanë qenë korrekte jo vetëm sipas një kontrate të nënshkruar, por dhe sipas parimeve të pashkruara që njerëzit e letrave ndërtojnë. Përgjatë një periudhë 18 - 24-mujore, autorët kanë obligim ta promovojnë këtë iniciativë e në të njëjtën kohë veprat e tyre sipas modaliteteve të shkruara në statusin e çmimit “Kadare” në evente e takime të ndryshme. Ky proces ka përfunduar plotësisht me fituesin e edicionit të parë, Rudolf Marku. Është në përfundim e sipër me Shkëlqim Çelën dhe Musa Ramadanin, përkatësisht fituesit e edicionit të dytë dhe të tretë, por për shkak të largësisë gjeografike, pasi Çela jeton në SHBA, apo për shkak të gjendjes shëndetësore të mjeshtrit Ramadani, disa elemente të procesit të promovimit të veprës, çmimi dhe institucioneve që e akordojnë, kanë mbetur më pas. Kurse për Virgjil Muçin dhe fituesin më të fundit, Loer Kume, eventet janë në vazhdim. Për shembull, Loer Kume zhvilloi një bisedë brilante me lexues të rinj së fundi, në Muzeun Studio Kadare në Tiranë. Të gjitha këto janë detaje që mes palësh vazhdojnë, sepse çmimi “Kadare” nuk është thjesht një mandatpagese, është një projekt kulturor që synon të gjallërojë, të nxisë dhe të ruajë një debat kulturor për letërsinë bashkëkohore shqipe. Kaq për detajet teknike, që janë proces rutinë për autorin dhe Institutin Europian “Pashko”.

Nisur nga shkrimi i detraktorit të vjetër të Ismail Kadaresë dhe tanimë dhe i çmimit “Kadare”, Ardian Vehbiu, ndoshta është rasti për të bërë një bilanc jo vetëm financiar të këtij çmimi.

Së pari: I krijuar në vitin 2015, çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, qendra e studimeve shqipe “Kadare”, klubi letrar “Kadare”, Ditët Letrare të Razmës, suplementi letrar “Leteratura”, që çdo të hënë del bashkë me gazetën “Liberale”, kolona “Leteratura” pranë botimeve UET PRESS kushtuar botimit të letërsisë shqipe, bursat “Kadare” për humanitetet në UET. Të gjitha këto iniciativa me një histori të tyren kanë treguar se kanë pjesë të filozofisë së tyre mbështetjen e kulturës shqipe. Si të tilla, ato janë kontributoret e rëndësishme, që edhe pse vijnë nga një ent privat, misioni i tyre është publik.

Së dyti: Çmimi “Kadare” synon të kthehet në një traditë me një kontribut të përhershëm letrar. Duke parë mënyrën sesi çmimet letrare janë shfaqur e zhdukur këto vite në jetën publike, qëllimi i këtij çmimi, që në krijimin e tij është vazhdimësia. Ai ka mbushur tashmë 5 vjeç dhe kjo nuk është pak.

Së treti: Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. Juritë tona në këto vite janë kryesuar nga emra të njohur në hapësirat letrare shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën (Mehmet Kraja), Maqedoninë (Kim Mehmeti), apo shkrimtarë si Bashkim Shehu, Preç Zogaj etj., e në përbërje të jurisë kanë qenë profesorë, shkrimtarë apo studiues të letërsisë. Serioziteti me të cilin është trajtuar gjykimi i dorëshkrimeve (pasi ky është një konkurs për dorëshkrime), duke ua besuar leximin dhe gjykimin autoriteteve të fushës, rrit kredencialet dhe besueshmërinë e këtij çmimi. Këtë e ka treguar dhe numri i autorëve në rritje që nga viti në vit i bashkohen këtij konkursi.

Së katërti: Në një kohë kur skena letrare prej vitesh e ka humbur atë që më parë e zotëronte më së miri, tablonë e plotë të asaj çfarë ndodhte me letërsinë, ky çmim prej pesë vitesh ka rikthyer tablonë letrare në vend. Përmes këtij konkursi ne shohim jo vetëm prurjet e një viti, por dhe nivelin e letërsisë që shkruhet sot, autorët në rritje, e sidomos të rinjtë. 

Së pesti: Një nga meritat e këtij çmimi është motivimi i autorëve të rinj. Përgjatë këtyre viteve kanë dalë në sipërfaqe emra që përmes konkurrimit në këtë çmim, kanë arritur të evidentohen, motivohen e të vijnë me librat e tyre të parë. Shpesh niveli i të rinjve ka qenë befasues, këtë e tregoi dhe edicioni i këtij viti, i cili shkoi për një përfaqësues të një gjenerate të re. 

Së gjashti: Për herë të parë një konkurs i dedikuar dorëshkrimeve, pasuron letërsinë e një vendi çdo vit me një vepër të re të botuar. Përgjatë pesë viteve janë botuar pesë romane, që janë pjesë e qenësishme e letërsisë bashkëkohore shqipe. Pasi vepra fituese e këtij konkursi botohet nën kolonën “Leteratura”, botimet UET PRESS.

Për një çmim letrar që ka vetëm pesë vite jetë, jo vetëm gjashtë pikat që përmenda më lart, por dhe një sërë kontributesh të tjera që ky çmim jep në jetën e çdo autori që i është bashkuar këtij konkursi, mbart një vlerë të çmuar për botën kulturore në vend. E më shumë se si një mandatpagese, ky çmim, që i ka dhënë kaq shumë letërsisë shqipe dhe vazhdon të frymëzojë çdo autor shqiptar, duhet parë në atë çfarë i sjell një kulture, përkundër filozofisë së vjetër të delegjitimimit të Ismail Kadaresë, apo të çdo gjëje që lidhet me emrin e tij. Në këtë rast edhe të çmimit “Kadare”.

Duke u mjaftuar vetëm nën “larjen e duarve” se lajmi qarkullon në media, apo thashetheme, komenti pas gjoja lajmit nuk ka asnjë rresht për vlerën letrare të çmimit në fjalë, për librat fitues apo autorët pjesëmarrës, duke e injoruar siç thotë vetë. Në fakt, nëse do ta injoronte, i bie që të mos merrej edhe me mandatpagesat, kalendarin e kryerjes së tyre etj., etj., si këto. Detraktorët nuk heqin dorë kurrë me sa duket!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0077400207519531
array(1) { ["section"]=> string(110) "10-mije-euro-alda-bardhyli-replike-me-ardian-vehbiun-per-nje-bilanc-jo-vetem-financiar-te-cmimit-kadare-171491" }