34% më shumë turistë të huaj në portin e Durrësit

Publikuar tek: ekonomi, më 20:32 02-09-2016 34% më shumë turistë të huaj në portin e Durrësit

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, paraditen e të premtes 2 Shtator, vizitoi terminalin e pasagjerëve dhe qendrën e informimit për turistët  në portin e Durrësit.

E shoqëruar nga Gazmend Shalsi, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv  i Autoritetit Portual Durrës dhe Boke Budini, drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, ministrja Ekonomi ndoqi nga afër shërbimin që i ofrohet pasagjerëve të trageteve që mbërrijnë në portin e Durrësit në orët e para të mëngjesit.

Duke folur për numrin e turistëve të huaj dhe vendas që mbërritën në këtë port ministrja Ekonomi deklaroi:

“Dëshiroj të komunikoj  me publikun faktin që porti i Durrësit së bashku me policinë kufitare të Durrësit kanë punuar shumë këtë sezon, pasi për periudhën 1 Qershor - 31 Gusht 2016 përpunuan dokumentat për 404 mijë shtetas dhe 106 mijë mjete. Shifrat flasin për një fluks të shtetasve të huaj 34% më të lartë se e njëjta periudhë në 2015 dhe për shtetasit shqiptarë prej 17% më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.  Kjo ndodhi falë kuziozitetit të të gjithë turistëve që donin të vizitonin vendin tonë, por nuk duhet të harrojmë në asnjë moment se gatishmëria e këtyre dy strukturave port dhe kufi, ka qenë maksimale”

Në prononcimin e saj për mediat, ministrja Milva Ekonomi theksoi se “angazhimi i portit për të qenë në gatishmëri në pritjen e turistëve, ishte gjithashtu një nga detyrat që task forca e sezonit turistik mori përsipër për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e këtij shërbimi për këtë sezon. Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv  i Autoritetit Portual Durrës, konfirmoi se përveç shtesës së turistëve pati dhe angazhime të tjera më shumë në port, siç ishte edhe numri më i madh jahteve dhe kroçierave që vizituan vendin.

Gazmend Shalsi, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv  i Autoritetit Portual Durrës, tha se “ është rritur dhe numri i jahteve që kanë ardhur në portin e Durrësit këtë sezon veror. 170 jahte janë ankoruar  në sezonin e kaluar. Ndërsa këtë sezon numri shkoi në 185 jahte. Është rritur numri i kroçierave dhe numri i pasagjerëve që sjellin këto kroçiera. 5 kroçiera turistike sollën 3500 turistë  kryesisht shtetas amerikan dhe anglez”.

Drejtori Shalsi u ndal edhe në kushtet e sigurisë së portit kur tha se “momenti që ne po jetojmë aktualisht, siç është ai i përballjes nga shtetet e mëdha me efektet e terrorizmit gjatë sezonit turistik, vlen të theksohet që është bërë një punë shumë e madhe dhe e kujdesshme nga ana e portit dhe nga ana e drejtorisë së policisë së kufirit për garantimin e çdo situate që mos të ketë asnjë incident në portin e Durrësit”.

Rritja e numrit të pasagjerëve  theksoi ai, nuk ka ardhur rastësisht, në port janë kryer investime, porti ka ulur tarifat për të qenë sa më konkurrues dhe ky është një rezultat i dukshëm sivjet, dhe na jep shpresa dhe për vitin tjetër që të kemi rritje edhe më madhe të numrit të tyre.

Ministrja Ekonomi u pyet nga gazetarët në lidhje edhe me diskutimet mes Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore për mbështetje financiare të një projekti në promovimin e turizmit në disa zona.

“Ka kohë që ne po punojmë për këtë projekt, ku jemi të përfshira disa ministri. Ministria që unë drejtoj është e angazhuar kryesisht me pjesën që ka të bëjë me promocionin e turizmit për zonën jugore të vendit, jo vetëm atë bregdetare, por edhe atë malore. Pra në promovimin e disa produkteve turistike që lidhin zonën bregdetare me zonat malore të rajonit. Ne kemi një pasuri natyrore që duam ta shfrytëzojmë edhe më mirë në shërbim të turizmit dhe të kemi mundësi që çdo vit të sjellim në tregun turistik botëror produkte të reja dhe ti promovojmë ato më së miri. Pikërisht ky është një nga qëllimet e përfshirjes së Ministrisë së Turizmit në këtë projekt të Bankës Botërore. Natyrisht ka dhe angazhime të tjera që lidhen me Ministrinë e Zhvillimit Urban, me Ministrinë e Transporteve për të ndihmuar gjithmonë turizmin vendas që të zhvillohet si një industri të cilën, qeveria e konsideron si një nga nxitësit kryesor të ekonomisë së vendit” deklaroi ministrja Milva Ekonomi.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0069611072540283
array(1) { ["section"]=> string(54) "34-me-shume-turiste-te-huaj-ne-portin-e-durresit-51702" }