70% e blerjeve online janë rreth 100 euro, ja “kalvari” që do kaloni tani për zhdoganimin

Publikuar tek: ekonomi, më 23:19 28-07-2016 70% e blerjeve online janë rreth 100 euro, ja “kalvari” që do kaloni tani për zhdoganimin

Ka shkaktuar një zemërim të madh te konsumatorët një vendim i fundit i qeverisë që të ulë kufirin e blerjeve online në 22 euro, kur blen direkt nga Shqipëria dhe në 45 euro kur ta dërgojnë (pa pagesë) nga jashtë, nga 20 mijë lekë apo rreth 145 euro, që ishte më parë.

Kufiri 22 euro, sipas konsumatorëve është shumë i ulët, ndërsa ata shtojnë se te blerjet online kishin gjetur raportin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit. “Në Shqipëri vijnë produkte kineze apo turke të një cilësie të ulët, që shiten me çmim shumë të lartë për cilësinë që kanë, ndërsa në internet mund të gjesh mallra me çmime të pranueshme për markën dhe standardet që ofrojnë”, thotë Elona, një blerëse e rregullt online, që gjurmon shpesh në internet se cilat janë ofertat më të mira.

Punonjës të postave që veprojnë në Shqipëri tregojnë se blerjet online ishin bërë mjaft të preferuara nga individët, kryesisht  të rinjtë e të rejat, sidomos pasi kufiri i pataksueshëm i blerjeve ishte rritur në 20 mijë lekë në vitin 2014.

Shtetet kryesore nga vijnë pakot janë Italia dhe SHBA-të.

Punonjësit e postave pohojnë se shuma e blerjeve luhatet nga 100 në 900 euro, por pjesa më e madhe e pakove, mbi 75% të tyre kanë një vlerë rreth 100 euro. Këto pako, me hyrjen në fuqi të vendimit të ri do të paguajnë edhe 22.4 euro më shumë.

“Kalvari” i doganës

Deri tani, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta ta sillte mallin direkt e në shtëpi. Tashmë, nëse malli i kalon 22 euro, për pritësin do të fillojë një “sorrollatje” e vërtetë, që shpesh nuk ia vlen mundimi për vlerën.

Në pakon e dërguar, dërguesi vë gjithnjë faturën e vlerës së mallit. Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri të qeverisë, në momentin që vlera e faturës do i kalojë 22 euro ose rreth 25 dollarë do të fillojë procesi i zhdoganimit. Blerësi duhet të paraqitet në Postë ose në Rinas, varet ku i ka ardhur malli, të plotësojë deklaratën doganore dhe më pas të bëjë pagesën e doganës në bankë. Vetëm pasi të ketë marrë pagesën mund të bëjë tërheqjen e mallit.

Taksat shtesë përfshijnë TVSH-në 20% dhe taksën doganore 2.4%, në total 22.4%.

Në mbledhjen e fundit qeveria vendosi ë blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë taksimi fillon nga kufiri 45 euro.

Sipas vendimit, përjashtohen nga detyrimet e importit:

 a)  mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro;

b) dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro.”.

Rriten blerjet te “Gabi”

Një tjetër alternativë e konsumatorëve, në kërkim të raportit cilësi çmim ka qenë dhe tregu I veshjeve të përdorura. Shifrat e INSTAT tregojnë se importet e veshjeve të përdorura kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe të pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Për pesë mujorin 2016 ato arritën në 1 miliardë lekë (rreth 8 milionë euro), me një rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar në vitin 2013, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum. Në vit importohen rreth 13 milionë kg veshje të përdorura, me një vlerë importi prej rreth 18 milionë euro në 2015-n, sipas INSTAT.

(Revista Monitor)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068519115447998
array(1) { ["section"]=> string(91) "70-e-blerjeve-online-jane-rreth-100-euro-ja-kalvari-qe-do-kaloni-tani-per-zhdoganimin-48043" }