80 deputetë votojnë pro arrestimit të Doshit. Për Frrokun 79 vota pro

Publikuar tek: politike, më 13:26 26-03-2015 80 deputetë votojnë pro arrestimit të Doshit. Për Frrokun 79 vota pro

Parlamenti voton pro arrestimit dhe kontrollit në shtepi të dy deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku. Për Doshin votuan të 80 deputetët e pranishëm në seancë, pas largimit të opozitës, kurse për Frrokun votuan 79 dhe një abstenim.

Zbardhje e plotë e debateve në Kuvend

 

Dule: Z.Paloka

Paloka: Z.drejtues i seancës sapo na erdhi një raport nga deputetët e maxhorancës dhe është përfshirë mendimi i opozitës. Mendimi i opozitës do jepet më vete. Nëse përfshini edhe mendimin e opozitës, nuk kemi parlament. Mendoj se opozitës ta japë Z.Halimi.

Dule: Bëhet fjalë për keqkuptim nuk ka asnjë predispozicion që t’i merret e drejta opozitës për të shprehur mendimin e vet. Dje u shpreh kërkesa që në këtë rapor të artikulohet edhe mendimi i opozitës. Rrjedhimisht nuk ka asnjë keqkuptim. Z.Halimi nuk e konsideroni të zgjidhur?

Halimi: Duhet t'u themi qytetarëve të vërtetën. U theksua në fund të mbledhjes së djeshme se qëndrimi I deputetëve të PD të shënohet qartë në procesverbal. Në fund nuk u vendos data e raportit. Nëse do ishte sot apo pas 4 javësh. Pas ca minutash në përfundim të mbledhjes kur një nga deputet u shpreh se raporti do paraqitej sot. Unë ju telefonova dje , 10 minuta pasi përfundoi mbledhja duke ju thënë se opozita do paraqitet me raport të saj që do pasqyrojë qëndrimin në Këshillin e Mandateve, apo jo z.Dule?

Dule: Dëshiroj t’iu kujtoj juve për mbylljen e diskutimit dje me qëndrim konsensual. (lexon çfarë ka ndodhur dje)

Keni ndonjë shqetësim për formulim të shtrëmbëruar të thënieve tuaja. Unë po ju them se Z.Halimi ka të drejtë të shprehë qëndrimin. Halimi gërmon në çështje që nuk ka të drejtë. Urdhëroni Z.Topalli për procedurë, nuk iu përfaqëson më kryetari i grupit?

Topalli: Z.kryesues i seancës. Në Parlament ka një histori, një arkiv. Gjatë këtyre viteve ka pas disa kërkesa për heqjen e imunitetit. Në momentin që vjen një relacion nga prokuroria e përgjithshme ka një praktikë. Këshilli i Rregullores e ka për detyrë të kërkojë për procedurë dokumentet bashkëngjitur.

A ka mundësi të hapni arkivën dhe të shihni një rast të ngjashëm të plotësimin të relacionit bashkë me dokumentet shtesë. Ka dosje që prokuroria duhet të sjellë në Parlament. Mohimi për të mos pranuar provat dhe dokumentet shtesë është një rast i paprecedentë. Ju dje keni votu kundër marrjes së provës. Unë ju kërkoj t'i kërkoni prokurorisë sjelljen e dokumenteve shtesë për heqjen e imunitetit.

Dule: Kodi i Porcedurës Penale është amenduar në vitin 2014. Të gjitha rastet që ju u referoheni janë shqyrtuar para 2014. Seanca nuk është lexim ligjesh, i lexojmë në shtëpi para se të vijmë në seancë plenare.

Berisha: Ndjehesh komod se të kanë ngarku një rol të një njeriu që është akuzu për dy vrasje. I cili në akt të pashembullt bllokon paraqitjen e provës. Për faktin e vetëm se i ka dërgu në qeli xhelatin për të thënë se unë të pres kokat e fëmijëve në rast se guxon të thuash të vërtetën. Në rast se është një trillim ai person meriton ndjekje vetëm për këtë.

Pse ta them këtë unë ty. Ti je parti e të drejtave të njeriut, me këto veprime duket se bëhej avokatia e Ilir Metës për bllokimin e provës. Ç’ka stononte me zhvillimin e seancës. Mirë ne që e ndoqëm mbrëmë seancën, po ata që s’të ndoqën a duhet ta lexojnë këtë raport paraprakisht. Të gjitha këto janë në funksion të një njeriu akuzuar për dy vrasje.

E vërteta është se prokuroria ka faktuar njohjen e Mark Frrokut me Durim Bamin, se i kanë dërguar në qeli xhelatin Durim Bamit për t’i ndrydh mendjen. Nuk vepron një Parlament pa sqaru gjithccka. Nuk i mohohet e drejta e provës për deputetin. Ne jemi për një shtet ligjor. E qartë kjo se po bëhet gjithçka për të mbrojtur një njeri që duhet të japë dorëheqjen.

Dule: Nuk do ta prisja prej jush personalizmin e sulmit tuaj. Askush në këtë seancë nuk e kishte të dëshirueshëm praninë e tij si në zhvillimin dhe përfundimin e seancës. Juve jeni në të drejtën tuaj të bëni politikë në kurriz të kryetarit të PBDNJ. Është qëndrim institucional ky? Nuk besoj se keni të drejtë të humbisni qëndrimin fisnik.

Rama: Z.drejtues i seancës ky nuk është klubi i shtëpisë së oficerëve. T’i japim fund shkeljes së rregullores. Ju lutem shumë zbatoni rregulloren. Kjo nuk është shtëpia e oficerëve

 

Meta: I nderuar Z.drejtues i seancës (flasin në sallë deputetët e PD-së) Ilaçe z.Beqja, ilaçe...

Dule: Z.Topalli mos e pengoni zhvillimin normal

Meta: Jam këtu për t'u përgëzuar Z.Dule për tolerancën tuaj të jashtëzakonshme por dhe t'u kritikoj për tolerancën tuaj që të tregoheni pak më të ashpër. Dua t'u falenderoj se keni bërë atë që s’ka ndodh asnjëherë. Ju është paraqitur një deputet që ka falsifikojë një raport mjekësor për të shmangur ballafaqimin me të vërtetat duke marrë një raport tek një mjek që punon në një spital privat, (ndërhyrje nga salla).. ilaçet Z.Beqja..., tek bashkëshortja punon në marrëdhënin me publikun tek Profarma.

E panë gjithë shqiptarët që deputeti kishte 5 avokatë. I përgëzoj për mbrojtjen e shkëlqyer se gjithë shqiptarët e panë se kush janë avokatët e tij. Me qetësi dhe dashuri, mos nxitoni. Prandaj z.Dule që keni drejtuar një seancë të paparë me një opozitë që mban iso ndaj dhunës verbale ndaj prokurorit të përgjithshëm që kanë zgjedhur vetë. Unë ju kërkoj që t'i jepni mundësi Z.Halimi që të paraqesë raportin e tij. Sa i takon çfarë tha avokati i Tomës për xhelatin e tij nuk e marr përsipër. Ju e dini shumë mirë që ekspozimi i çdo prove para se të shkojë në gjykatë e bën të pavlefshme. Historia vazhdon, kini durim, kini qetësi dhe patjetër edhe dashuri për doktor Flamurin.

Dule: Z.Topalli a ka mundësi për pak vetpërmbajtje

Paloka: Vetë kërkuat rregullore dhe sot kërkuat fjalën e atyre që u kërkohet heqja e imunitetit. Ne jemi dakord që atij që foli t'i hiqet imuniteti, me qetësi dhe dashuri. Këto janë presione që u bëhen qytetarëve me certifikata familjare, atëherë duhet të ikim me vrap. Nuk po diskutojmë raportin por çështjen e arrestimin dhe vjen këtu dhe ju bën presion. Z.kryetar mbani drejtimin, unë kam besim në personalitetin tuaj

Rama: Po ju kërkoj edhe njëherë zbatoni rregulloren. Po ju citoj (citon rregulloren). Jemi në një moment kritik të zbatimin të rregullores. Marrja e fjalës është në shkelje të rregullores. PS do tërhiqet nëse nuk zbatohet rregullorja. Nuk mund të japim çdo të enjte një shfaqje që është e denjë për shtëpinë e oficerëve.

Dule: Urdhëroni Z.Berisha, ju lutem pak vetpërmbajtje dhe respekt

Berisha: Kjo deklaratë, se PS tërhiqet nga Parlamenti është ekstremi dhe koncepti mohues i Parlamentit është dëshmi e alogjizmit, e humbjes së logjikës për shkak të intolerancës së plotë që mban në psiqikën e tij zotëria. Jam plotësisht dakord për rregulloren. Nuk i heq asnjë pikë.

Dule: Faleminderit Z.Berisha. askush nuk fiton në ulëritjen se mbarëvajtja e seancës është më në interes të të tjerëve se drejtuesi i saj. Ta lëmë politikën dhe të shohim aspektin procedurial.

Topalli: Bazuar në rregullore, çdo raport që vjen në Parlament, detyron kryesuesin, detyron 48 orë se nuk mund të zhvillohet nga paraqitja e raportit. Raporti sapo është dorëzu. Seanca duhet shty 48 orë. Kjo është detyrë e drejtuesit të seancës.

Dule: Nuk është e udhës që të lexojmë kushtetutën dhe rregulloren se e kemi detyrim profesional që ta dimë. Neni 148, thotë se seanca ka përfunduar dje.

Rama: Për të tretën herë dhe të fundit të zbatohet rregullorja. Këto janë për procedurë. Kërkesa për procedurë që ndezet mikrofoni dhe vazhdon thashethemi i klubit të oficerave. Ju lutem shumë se e kemi bërë këtë parlament qesharak për një vit e kusur duke shkelur dhe duke e bërë frymë shkeljen këtu, duke i dhënë popullit shqiptar një shfaqje si ajo e kopshtit zoologjik. Mjaft me këtë teatër absurd.

Dule:Z.kryeministër institucioni i Parlamentit nuk mund të bëhet qesharak. Është i imunizuar nga çdo deputet. Z.Berisha ju lutem nuk është etike që ju të ngriheni në këmbë. Unë nuk e kuptoj pavarësisht nga keqkuptimet e brendshme, raporti i opozitës qenka gati. Pse duhet shtyrë? Pse nuk e lejojmë kolegun Doshi dhe Frroku dhe të vazhdojmë sipas rregullores. Nuk ka përfitime politike. Jeni të dy duke u vlerësuar nga opinioni dhe shoqëria. Propozoj që të vazhdojmë me të dy Z.Doshi dhe Z.Frroku.

(Pesë minuta pushim)

Dule: Pas fjalës së Z.Frroku kolegët deputetë kanë të drejtë t’u drejtojnë pyetje me shkrim ose verbalisht. Urdhëroni Z.Frroku. Në bazë të rregullores keni kohë të pakufizuar për të dhënë shpjegimet tuaja.

Frroku: I nderuar z.kryetar dhe deputetë. Nuk është normale që mua të më ndërpritet jeta ime personale dhe politike. Në këto vite nuk kemi parë një koleg deputet të burgoset për një dëshmi të rremë. Nuk ekziston, se nuk e kam pranuar, se para prokurorit kam dhënë dëshmi të vërtetë. Prokurori kërkon kontroll të shtëpisë sime a thua se unë dëshminë e kam bërë me kallash. Kjo për mua është shumë denigruese. Po i hapët rrugë këtij precedenti do përfundoni nesër ashtu si unë sot.

Janë bërë dëshmi të rreme e të provuara, në rastin konkret për mua nuk është e provuar. Edhe ajo me Durim Bamin që thotë Berisha, nuk është e provuar. Nga njëra anë kërkojnë material, nga ana tjetër bëjnë rolin e akuzës. Unë kam qenë shumë korrekt në këtë kuvend, me jetën personale, me miqtë po dhe me ligjin.

Kërkesa e organit të akuzës është shumë e nxituar shumë denigruese. Mos t'i hapim rrugë këtij precedenti se më duket shumë e rrezikshme. Fjala në fund është juaja, por unë nuk kam frikë të përballem. I mbetem pikë për pikë asaj dëshmie, se nuk ka të vërtetë tjetër. Do vazhdoj jetën time politike pasi të jetë sqaruar kjo histori. Nuk ka asnjë shanc të ndaloj.

Dule: Ka pyetje. Nuk ka. Fillimisht Z.Subashi. Pastaj Z.Halimi. Lexoni të dy rastet

Subashi: Raporti i përpiluar dje i është shpërndarë gjithë kolegëve deputetë. Do fokusohem tek ai moment me vlerësimin e kërkesës bërë nga prokuroria. Seanca ishte publike dhe pas dëgjimit të palëve, këshilli bëri diskutimin e vet me dyer të mbyllura ku në fund u mor një vendim konsensual pavarësisht të disa kundërshtimeve të vogla, për procedurën e marrjes së provave.

Thelbi ishte i njëjtë për të gjithë. Përgjithësisht u vu theksi se me ndryshimet që i janë bërë kushtetutës kemi një koncept. Për të patur një filtër nga ana e Kuvendit, para se prokuroria të avancojë. Mbizotëroi fryma se në fund të fundit këshilli, por edhe Parlamenti nuk ka pse bëhet pengesë në këtë drejtim se nuk është as këshilli as parlamenti që vë vulën në fund për arrestim të deputetëve. Ky është proces që bëhet nga pushteti gjyqësor.

Nga kjo pikëpamje arritëm në konkluzionin që t’i hapnim rrugën procesit të prokurorisë. Si përfundim: Ne t'i propozojmë seancës që të pranojmë kërkesën e prokuorisë dhe t'i hapim rrugë procedurave gjyqësore me kërkesën e prokurorisë për kolegët tanë.

Halimi: Z.drejtues, deputetë. Padyshim që kjo është një nga seancat më të vështira të parlamentit ku sytë e gjithë qytetarëve janë të drejtuar këtu për të parë se çdo ndodhë me kontrollet, arrestet e dy deputetëve të këtij parlamenti. Do shohin se çdo ndodhë me historinë se kryetari i Kuvendit kishte porositur vrasjen e dy deputetëve.

Prokuroria thotë se Doshi dhe Frroku kanë mbajtur në kërcënim një dëshmitar të kësaj ngjarje. Dje u provua se ekziston një tjetër video e regjistruar nga prokuroria me kërkesën e gjykatën ku rezulton se ky dëshmitar kishte ndryshuar dëshminë e vet nën kërcënimin e jetës së fëmijëve të tij nga njerëz të pushtetit.

Pritet që të vihet në dispozicion të kuvendit nëse do e kërkojmë, fatkeqsisht kjo u bllokua në këshill. Do vendosim sot pa e parë përmbajtjen por ekzistenca dhe përmbajtja nuk u kundërshtua nga asnjë. Në qëndrimin e PD kërkuam që të përcaktohej qartë që qëndrimi parimor ishte në favor të Prokurorisë se është e paimagjinueshme që të bllokohej, por po ashtu edhe manipulimi i dëshmitarëve.

Brenda 24 orësh u mblodh këshilli. Ky këshill nuk drejtohej nga Meta, po Dule i deleguar personalisht nga Meta se gjoja nuk do ndikonte në punën e këshillit pasi Doshi e kishte akuzuar për vrasjen e dy deputetëve. Po çfarë ndodhi në këshill dhe a rezultoi e vërtetë kjo që tha para qytetarëve?

Frroku e dorëzoi mbrojtjen me shkrim dhe u largua. Doshi me avokatë dhe kërkoi shtyrjen për një ditë tjetër. PD do mbajë të njëjtin qëndrim, edhe për deputetë të saj edhe për kundërshtarët politikë. PS pranoi kërkesën për shtyrjen e mbledhjes. Pas paraqitjes së raportit mjekësor, PD kërkoi që mbledhja të ishte publike. Kërkesë që u refuzua. Kërkesa jonë ishte e bazuar.

Si përjashtim, është i vetmi rast kur kryeministri apo 1/3 kërkon seancë të mbyllur. Nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë e tillë. Në historinë e këtij parlamenti standardi i transparencës ka qenë stabël.

Edhe në rastin kur në 2011 Meta ka qenë para këtij këshilli, seanca ka qenë publike. Devijimi do ta kompromentonte rëndë veprimtarinë e këshillit për manipulimin e të vërtetave. Pas më shumë se 2 orësh debat, në mungesë të plotë të deputetëve të PS, drejtuesi i këshillit deklaroi se nuk I kishte detyruar vetë mediat të hynin, por ato nuk kishin hyrë.

E gjithë kjo është vetëm një farsë. Po tentohet të mbyllen hetimet. Kjo çështje nuk e ka fillesën në 3 mars, por të paktën 6 muaj më parë. Doshi ka qenë deputeti më i anatemuar i PD ashtu siç ka qenë miku i ngushtë i Edi Ramës.

Gjashtë muaj më parë Doshi ia tregon kryeministrit këtë ngjarje dhe Rama nuk ia referon prokurorisë, por kryetarit të PS për Tiranën që ta hetojë ai se mos e merr vesh opozita dhe qytetarët. 6 muaj prokuroria u mbajt larg, hetimet i kreu ministri i Brendshëm. Nëse ministri do kishte kryer detyrën por ai dhe kreu i ekzekutivit kishin vendosur kodin e maskës. Heshtjen se mos e merr vesh opozita.

Meta thërret familjarët e tij dhe u thotë se vrasja ishte porositur nga PD-ja. Kryeministri nuk ia paraqet prokurorisë, por marrin dhe vendime ia faturojnë PD, duke e zhytur vendin në kriminalitet. Frika i bëri të fshehin krimin.

Pastaj vjen deklarata e Doshit dhe prokuroria nis hetimin. Po atë ditë që Prokuroria nisi hetimin, Rama dhe Tahiri deklaruan se e hetuan vetë ngjarjen, s’kishin nevojë për prokurorinë dhe se e gjitha ishte një sajesë. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e Metës që prokuroria të hetojë e lirë. Dëshmitari ndryshon dëshminë e tij. Prokuroria thotë se ka qenë Doshi që ka ushtruar presion.

Dje këshilli i'u vu në dijeni të ekzistencës një tjetër prove, tërësisht të kundërt, një përgjim ambjental me zë e figurë ku dëshmitari thotë se ka qenë në presion. Kjo video u bllokua nga maxhoranca me arrogancë. Standardi i bllokimit është rruga më e keqe e së ligës. Ne nuk e kemi parë këtë video, por sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një shtet më kriminal e mafioz se qytetarët kanë dëgjuar.

Hetimi i kësaj çështje me në krye Metën është i papranueshëm dhe nuk është i besueshëm. Për sa kohë fshihen prova, ka dyshime të plota se hetimi po manipulohet për t’i paraqitur qytetarëve një farse.

Refuzimi i PS për të marrë provën, dëshmitari nën presionin e zyrtarëve për të ndryshuar dëshminë tregon se maxhoranca po fshihet. Kompromentohet rëndë maxhoranca, kreu në detyrë dhe ky këshill për të mos u thënë të vërtetën shqiptarëve duke sjellë një farsë në Kuvend.

Dule: Në lidhje me pretendimin nëse këshilli duhej drejtuar nga unë. Përgjegjësia ligjore në demokraci nuk refuzohet. Z.Paloka e ka fjalën.

Paloka: Prej mëse dy javësh shqiptarët janë bërë spektatorë të një ngjarje skandaloze dhe të frikshme se Z.kryetar i Parlamentit.

Dule: Z.Paloka nuk ka debate në lidhje me raportin.

Paloka:  E frikshme se shqiptarëve u thua se për 6 muaj kupola e këtij shteti e fshehu dhe e manipuloi ngjarjen me metoda të sigurimit të shtetit, po tentohet të manipulohet kjo histori. E kemi kërkuar prej kohësh që ky parlament nuk ka nevojë të ketë imunitet. Në bazë të këtij parimi vota jonë është pro, por ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj farse të frikshme dhe skandaloze. Prandaj PD nuk do të marrë pjesë në votim për t’u bërë pjesë e kësaj ndotje.

(15 minuta pushim)

Dule: Votim i hapur. Mbyllet për prezencë. 80 deputetë të pranishëm, kuorum i mjaftueshëm. Votohet për Tom Doshin. Votim i fshehtë, ju lutem hapni votimin. Mbyllet votimi. 80 pro, asnjë kundër. Për Mark Frroku, 79 vota pro, një abstenim. Për autorimin e dhënies së lejës për arrestim dhe kontroll. 

Doda:Kemi më shumë se një vit që kërkojmë t’i hapim rrugë një procesi ndryshe në këtë moment. Kur na vjen një kërkesë nga drejtësia nuk mund të bëjmë lojra. Do punoj dhe votoj për një parlament më të mirë.


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u mblosh pak para fillimit të seancës Parlamentare. Mbledhja ka zgjatur vetëm 25 minuta ( me dyer të mbyllura), u drejtua nga kreu i grupit parlamentar të PD  Edi Paloka dhe është vendosur që PD mos të votojë autorizimin për arrestimin e deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku. Arsyeja e bojkotit ishte se PD kërkonte videon e përgjimit ambiental realizuar në Prokurori mes Doshit e Bamit.

Doshi deklaroi dje se në këtë video Bami i kishte rrëfyer se ishte kërcënuar me jetën e fëmijëve të tij nga një efektiv i forcave speciale që mos mbështeste versionin e Doshit. PD do bojkotojë vetëm pikën e parë të seancës por do të vijojnë normalisht me pjesën tjetër të parashikuar nga Kuvendi.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Platforma e dekriminalizimit/Bylykbashi: Verfikimi i të inkriminuarve, jo në dorë të partive
Zbardhen debatet plota/ Ristani: Për çfarë e akuzoni Doshin? Prokurori: Nuk ka akuzë ndaj tij »
Article Logic
Execution time: 0.023052930831909
array(1) { ["section"]=> string(73) "80-deputete-votojne-pro-arrestimit-te-doshit-per-frrokun-79-vota-pro-6992" }