80-vjetori i shkrimtarit, themelohet qendra e studimeve “Kadare”

Publikuar tek: kulture-art, më 16:16 28-01-2016 80-vjetori i shkrimtarit, themelohet qendra e studimeve “Kadare”

Me rastin e 80 vjetorit të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, Universiteti Europian i Tiranës organizoi sot  “Ditën e Kadaresë në UET” që shënoi prezantimin e Qendrës së Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare” dhe promovimin e librit të studiueses Viola Isufaj “Kadare në letrat e sotme franceze”. Surpriza e datëlindjes së shkrimtarit  ishte ftesa për grupin e njohur të këngës polifonike, Piluri, të cilët kënduan këngën kushtuar shkrimtarit Kadare.

 Drejtuesi i Qendrës së Studimeve “Kadare” që do të funksionojë pranë UET-it, si pikë takimi e kritikëve dhe studiuesve të Letërsisë Shqipe, eksperti i komunikimit, Gilman Bakalli, tha se ishte koha për një qendër të tillë.

“Duket se ka filluar çuditshëm kjo qendër jetën e saj. Kemi hyrë në Gines në një farë mënyre sepse është një qendër e cila paralelisht me lindjen ka dhe një produkt të sajin, librin e studiueses Isufaj”, tha ai gjatë fjalës së tij.

Arsyet që çuan UET drejt hapjes së një qendre të tillë e së shpejti Bakalli i lidh me fokusin e UET-it tek vlerat dhe jo nënshtrimi ndaj presionit të asaj çfarë kërkon tregu.

“Po hapim një qendër studimi të letërsisë shqipe në një kohë kur kritika letrare thuajse ka vdekur në Shqipëri. Hapim një qendër të studimeve letrare në një kohë kur pritet apo është e natyrshme të ketë një qendër interneti. Kemi ndërmend të hapim edhe Departamentin e Letërsisë në UET, në një kohë kur universitetet përgjithësisht priren t’i nënshtrohen diktatit të tregut, i cili nuk është fort miqësor me letërsinë. Po hapim disa fronte të angazhimit me librin në një kohë kur libri rrezikon të transformohet në atë horizontin e pafund të realiteti virtual. Por siç thotë Hegeli, zogu i Minervës i hap krahët plotësisht dhe fillon fluturimin kur bie nata. Gjërat filllojnë të kuptohen më mirë kur u vjen fundi. Prandaj është më se e natyrshme që në kohën kur kritika letrare ka një nam aq të keq ne të vendosim një theks korrektues për të treguar si mund të bësh një kritikë letrare, e cila nuk kërkon ta shkatërrojë dhe anatemojë autorin, por të merret me veprën e tij e të ndriçojë ato pjesë të errëta të librit që mund ta nxisin lexuesin për ta lexuar më tej veprën e tij. Pikërisht kur universitetet nxiten vazhdimisht të bëjnë atë çfarë duhet bërë sepse kështu e dikton tregu, është mirë që UET tregon se ka luksin dhe forcën t’i rezistojë këtij rreziku të madh që vjen nga realiteti virtual. Mendoj se e parë në  këtë perspektivë qendra është më se e mirëpritur dhe ftoj të gjithë dashamirësit e letërsisë, ata që kanë dëshirë ta përcjellin letërsinë në këndvështrimin e duhur, të bashkëpunojnë me qendrën “Kadare””, u shpreh Bakalli.

 Ndërsa studiuesja e veprës së Kadaresë dhe rrezatimit të kësaj vepre në letërsisë franceze, Viola Isufaj, tha se ishte veçanërisht e emocionuar që libri dilte në shtyp pikërisht në datën e lindjes së shkrimtarit. Ajo thotë se është një fakt dhe një nder tashmë për letërsisë shqipe që një shkrimtar shqiptar për herë të parë arrin ta krijojë këtë rrezatim në letërsi të tjera, madje dhe të bëhet pjesë e kurrikulave të shkollave franceze. Ky studim sjell shembujt se si letërsia e Kadaresë ka frymëzuar shkrimtarë modernë francezë dhe përfshirjen e romanit “Kush e solli Doruntinën” në tekstet shkollore franceze, fakt që dëshmon praninë e letërsisë shqipe në Europë.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « "Gjeniu Gjirokastrit", këngë nga grupi i Pilurit për 80 vjetorin e gjeniut Ismail Kadare (VIDEO)
Kadare letër qytetit të tij të gurtë në 80 vjetorin e lindjes »
Article Logic
Execution time: 0.018889904022217
array(1) { ["section"]=> string(67) "80-vjetori-i-shkrimtarit-themelohet-qendra-e-studimeve-kadare-31176" }