Aeroporti i Rinasit, pronari i ri "offshore" arrin fitime rekord prej 2.3 miliard lekësh

Publikuar tek: ekonomi, më 10:27 20-06-2017 Aeroporti i Rinasit, pronari i ri

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit ka publikuar bilancin e vitit 2016.

TIA, e cila vitin e kaluar u shit te kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, me seli në Singapor dhe që arriti të zgjaste dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2016-n.

Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2016 arriti në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro, me një rritje prej gati 16% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur që ne vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri.

Të ardhurat ishin 5.3 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 7.5%. Sipas shpjegimit të bilancit, të ardhurat operacionale kanë të bëjnë me të ardhurat nga veprimtaria aeroportuale dhe shërbimet jo­aeroportuale që i bëhen kompanive ajrore.

Norma e fitimit arriti në 44%. Kjo nënkupton që vitin e kaluar nga 100 lekë të ardhura, që TIA ka marrë nga taksat që ajo i ngarkon kompanive ajrore që fluturojnë nga Aeroporti i Rinasit, 44 lekë kanë shkuar si fitim për koncesionarin.

Marzhi i fitimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2015 ai ishte 41% dhe në 2013-n 35.5%, duke e bërë koncesionarin e aeroportit një prej kompanive më fitimprurëse në Shqipëri.

Konsorciumi Tirana international Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20 vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë.

Në 2016-n u shënuan dy zhvillime kryesore për kompaninë, që menaxhon aeroportin e vetëm në vend.

-Së pari, në fund të marsit, qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Tirana International Airport për ndryshimin e marrëveshjes koncesionare, në bazë të të cilit TIA mori një zgjatje të menjëhershme të afatit të koncesionit me dy vite, në këmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit dhe në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare. Kur ka kaluar më shumë se një vit nga shtyrja e afatit të koncesionarit, asnjë aeroport i ri nuk është hapur. Aeroporti i Kukësit është lënë në harresë, ndërsa në plan të parë ka dalë një aeroport në Vlorë, për të cilin nuk ka një studim të qartë fisibiliteti. Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të biletave ajrore në rajon.

-Së dyti, në prill 2016,  grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke sinjalizuar për një interes të shtuar të investitorëve kinezë në Shqipëri. Transaksioni zgjati disa muaj, por kur ai u finalizua në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pronari i ri zyrtar, me 100% të aksioneve ishte Real Fortress Private Limited. Në bilancin e TIA thuhet se “Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblese së aksionerëve të Kompanisë, të mbajtur me 6 tetor 2016, aksionerët e saj aprovuan njëzëri shitjen dhe transferimin e kuotave te tyre tek aksioneri i ri dhe i vetëm Real Fortress Private Limited. Nga data 6 tetor 2016, Real Fortress Private Limeted është aksioneri i vetëm i Kompanisë zotërues i 1 kuotë korrespondentë të 100% të kapitalit ekuivalente me 9,375,000 Euro).

Kompania është e krijuar dhe rregullohet nga ligjet e Singaporit dhe sipas të dhënave në internet është krijuar në 22 qershor 2016 dhe e ka adresën në 2 SHENTON WAY #18-01 SGX CENTRE i SINGAPORE 068804, duke qenë një kompani offshore./Monitor/ 

aer.jpg

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068798065185547
array(1) { ["section"]=> string(91) "aeroporti-i-rinasit-pronari-i-ri-offshore-arrin-fitime-rekord-prej-2-3-miliard-lekesh-83132" }