Akademia e Shkencave event për studimet albanologjike, Krasniqi bën thirrje: Shfrytëzojini minutat e ditës për gjëra më të vlefshme sesa kafenetë

Publikuar tek: kulture-art, më 11:28 13-12-2017 Akademia e Shkencave event për studimet albanologjike, Krasniqi bën thirrje: Shfrytëzojini minutat e ditës për gjëra më të vlefshme sesa kafenetë

Akademia e Shkencave zhvillon gjatë kësaj jave “Ditët e Albanologjisë“, ku do të prezantohen libra të rinj si dhe do të ketë debate dhe të ftuar. Lajmin e ka bërë të ditur, profesor Afrim Krasniqi.

“Le të shfrytëzojmë minutat e ditës për gjëra më të vlefshme sesa kafenetë, - ja p.sh, duke kaluar për pak minuta nga salla e Akademisë së Shkencave, ku gjatë gjithë kësaj jave zhvillohen “Ditët e Albanologjisë“. Aty ka libra dhe botime, aty ka debate dhe diskutime, - aty do gjeni njerëz që mendojnë përpara se të flasin, njerëz që krijojnë, njerëz që e kanë lidhur jetën me librin”, shprehet Krasniqi.

Shkrimi i plotë:

Statistikisht çdo ditë në Shqipëri botohen 1 -2 libra me vlerë për memorien, shkencën dhe kërkimin shkencor, - nga të cilët rreth 60% e tyre botohen vetëm nga një institucion: Akademia e Studimeve Albanologjike (ish QSA) dhe institutet përbërëse të saj. Ka tri lloje librash: ata që shiten shumë për shkak të reklamës, ata që janë të paguar për të lavdëruar një person ose ngjarje dhe ata që kanë lexues të kualifikuar dhe që blihen për t‘u mbajtur në tavolinat e punës apo në bibliotekat personale. Botimet e ASA bëjnë pjesë tek kategoria e tretë, - janë botime profesionale mbi historinë, letërsinë, gjuhësinë, arkitekturën, trashëgiminë kulturore, folklorin, - janë kryesisht studime që marrin në konsideratë të gjitha burimet e mundshme arkivore shqiptare e të huaja, që kalojnë testin e redaktimit profesional, dhe që janë botimet e vetme referuese për autorët e huaj që shkruajnë mbi Shqipërinë.

Kjo veçori i bën botimet e shumta në vite të institucioneve shkencore, tashmë të grupuara në ASA, si një nga gjërat e pakta pozitive që ndodh në këtë vend. Kur politika grindet e mbytet rreth krizës në një gotë uji, kur harxhon pafund kohë, energji e para për t‘u marrë me gjëra që zakonisht nuk kanë ndonjë dobi publike, kur shoqëria është e prirur pas produkteve të marketingut në art, në muzikë, në botime, në tregtim vlerash e krijim kultesh fiktive për krijuesit e tyre, - në ndonjë sallë universitare, në ndonjë zyrë të mbushur me libra e shënime, në arkivin e shtetit apo në arkivat e tjerë me dokumente, në mjediset e instituteve tona kërkimore bëhet punë, punës serioze, me plot vështirësi, por me shumë dinjitet.

Akademia e Studimeve Albanologjike po prezanton këto ditë mbi 50 tituj të rinj botimesh për 2017, traditë që e ndjek çdo fund dhjetori, duke ftuar ata pak dashamirës të librit e të shkencës të bëhen pjesë e debateve shkencore e profesionale, por edhe duke treguar se edhe në kohën kur fjala ka pak vëmendje, ka komunitete të tilla që i japin vlerë fjalës, tregojnë respekt për të dhe djersisin për te kthyer atë në vlerë për shoqërinë dhe brezat që vijnë. Mund të ketë debate mbi tezat që ofrohen në këto studime, mund të ketë opinione të ndryshme, mund të ketë botime alternative apo plotësuese, por në thelb, pa ekzistencën e tyre ndër vite sot nuk do të kishim asnjërën: as shkencën e as debatin, as alternativën dhe as kërkimet e avancuara.

Një shtet serioz do ta përdorte këtë potencial shkencor për axhendë kërkimore të avancuar në interes publik. Një politikë serioze arsimore do ta maste bilancin e punës së institucioneve akademike jo nga numri i diplomave të prodhuara. por nga numri i veprave që krijojnë dhe sidomos nga vlerat e këtyre veprave. Një shoqëri serioze do të dinte të bënte diferencën midis atyre që imponohen si vlerë përmes parasë, pushtetit e posteve deri në parlament dhe atyre që krijojnë vlera për të sotmen e të ardhmen.

Të kërkosh në ditët e sotme sjellje serioze, sens përgjegjësie, elitë politike të lexuar e të edukuar, shoqëri qytetare që ushqehet me vlera dhe që refuzon antivlera....duket utopi. Mund të jetë kështu, por dy rrugë mbeten: ose do pajtohemi me udhëkryqin moral e shoqëror, ku ndodhemi prej vitesh pa ditur nga vijmë, ku jemi e ku po shkojmë, ose do të duhet të japim shenja shprese se edhe në këto vite krize ka dritare prej nga ku mund të shihet më mirë dhe më qartë e ardhmja.

Le ta nisim nga libri. Ai që lexon libër i bën shërbim vetes dhe mjedisit përreth, sepse mëson, sepse reflekton, sepse njeh botën, sepse krijon aftësi të gjykojë mbi të dhe për të, sepse krijon aftësi të dallojë të mirën nga e keqja dhe sepse kupton thelbin e ecjes përpara të një shoqërie, - pushtetin e dijes, fjalës, shkollës, librit dhe shkencës. Le të kursejmë ca nga tenderat e përvitshëm për ca punë që bëhen, prishen e ribëhen si në historinë e Kalasë së Rozafës, le ti përdorim këto para për fëmijët në shkollë, për studentët në auditorë, dhe mbi të gjitha për njerëzit e paktë të shkencës dhe kërkimit shkencor në këtë vend. Nuk janë shumë, vetëm 1200 të tillë në një popullsi me 3 milion banorë, nga të cilët vetëm një e treta kanë shanse reale të kenë marrëdhënie me atë që duan të bëjnë, - kërkimin, shkencën dhe librin. Të tjerët rropaten të mbijetojnë në një mjedis ku një pakicë “të fortësh” ka më shumë pushtet politik e ekonomik sesa të gjithë të mençurit e këtij vendit.

Derisa kjo të ndodhë, derisa të kuptojmë atë që Rilindasit tanë e kuptuan dhe e thanë me zë të lartë rreth 130 vjet më parë kur nuk kishim as shtet, as gjuhë zyrtare dhe as mundësi komunikimi, - le të shfrytëzojmë minutat e ditës për gjëra më të vlefshme sesa kafenetë, - ja p.sh, duke kaluar për pak minuta nga salla e Akademisë së Shkencave, ku gjatë gjithë kësaj jave zhvillohen “Ditët e Albanologjisë“. Aty ka libra dhe botime, aty ka debate dhe diskutime, - aty do gjeni njerëz që mendojnë përpara se të flasin, njerëz që krijojnë, njerëz që e kanë lidhur jetën me librin, që janë thinjur nëpër arkiva dhe mbi dokumente, por që krijojnë e krijojnë, me shpresën të jenë të dobishëm për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë.

 

25299462_10214974782620958_912313042610333142_n.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zbulohen detaje nga jeta e fshehtë e Fan Nolit, vdiq beqar por dashuroi 7 gra
PREMIERË/ “Dama me Kamelie” në Teatrin Kombëtar, bëhen bashkë EMRAT e mëdhenj të aktrimit »
Article Logic
Execution time: 0.056412935256958
array(1) { ["section"]=> string(150) "akademia-e-shkencave-event-per-studimet-albanologjike-krasniqi-ben-thirrje-shfrytezojini-minutat-e-dites-per-gjera-me-te-vlefshme-sesa-kafenete-102919" }