Aksionet që i nis shoqëria, e i përfundon partia

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:56 28-03-2016 Aksionet që i nis shoqëria, e i përfundon partia

Nga Anila Basha, drejtore e newsbomb.al

Ka shumë arsye për të ndjekur me kërshëri zhvillimet te parku i fëmijëve në liqenin e Tiranës. Debati fillestar lidhur me lejen mjedisore, me ndërtimin me beton, me restorantet  e kafenetë që mund të rrethonin këtë Park Lodrash për fëmijët, i bëri të gjithë të mendojnë se në fund të fundit, ambientalistët, shoqëria civile, apo çdo qytetar që e do parkun të luftojë minimalisht për transparencën, e maksimalisht për të mbrojtur një pasuri publike që u përket të gjithëve.

Por si në çdo aksion që fillimisht ka emrin “shoqëri civile” dhe më pas zhvendoset drejt forcave politike, dhe kjo se çfarë po ndodh këto ditët e fundit në park duket e stisur, e pasens, dhe një mundësi për kredo politike fituar jo nga aksione që ndryshojnë jetën e qytetarëve të një vendi, por nga aksione që i nis shoqëria, e i përfundon partia.

Kam folur edhe publikisht për zënien e hapësirave publike, si një krim urbanistik i jashtëzakonshëm që në 26 vitet tona të demokracisë ka zhbërë një proces dhe një territor që ka qenë i lirë për 100 vjetët e krijimit të shtetit shqiptar. Dhe zënia e hapësirave publike në Tiranë të paktën, nuk ka vetëm një emër, as problem i një force politike. Zenia e hapësirave publike është problem i një mentaliteti skllavërues ndaj mjedisit, të atyre që drejtojnë politika, dhe duhet të merren me krijimin e kushteve ideale të krijimit të hapësirave të gjelbërta.

Në një transmetim televiziv me ish-kreun e bashkisë sot kryetar i opozitës Lulzim Basha, kam pyetur se cila ka qenë përgjegjësia e tij si ish kryebashkiak për zënien e hapësirave të konsiderueshme publike të gjelbërimit te Namazgjaja, për mosreagimin për ndërtimin shumëkatësh te Filologjiku, apo tek kthimi tokë ndërtim për hapësirën te ish-ekspozita “Shqipëria sot”, apo edhe ndërtimet dhe gropën gjigande te diga e Liqenit artificial të Tiranës. Justifikime? Ka sa të duash dhe vendimmarrësit gjejnë plot të tilla. Më kryesori i thënë rëndom është ai se zonat kanë pronarë dhe kështu do i jepet e drejta e ndërtimit. Me këtë logjikë, i bie të mos ekzistonte sot as Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili ka qenë me pronarë, por për shkak të interesit publik u shpronësua dhe ne sot e gëzojmë si një vepër gjigande.

Parë në këtë këndvështrim, do të doja shumë që protesta e shoqërisë civile dhe qytetarëve të konsiderohej dhe konceptohej e tillë nga organizatorët dhe ata që ndjekin pas organizatorët. Por duke parë zhvillimet e sotme, ku politikanët e djathtë u turrën për të përfituar kredo politike të një proteste që ka më shumë se një muaj që ka nisur, më lind e drejta të dyshoj: Kemi të bëjmë me reagim të qytetarëve, apo reagim politik për të krijuar tension e rrëmujë në një qytet që duhet të ndryshojë!

Për një gjë biem te gjithë dakord: Tirana sot, nuk është Tirana e djeshme. Thënë më ndryshe, është një kantier ndërtimi. Nuk më intereson si qytetare fundore që përfitoj, nëse këto janë të gjitha idetë e Erjon Veliajt, apo janë fondet dhe financimet që jep qeveria për ndryshimin e ambientit ku jetojmë të gjithë bashkë. Mirë do të ishte që shumë prej projekteve madhore me impakt të gjerë publik e social, të kalonin në filtrin e diskutimeve dhe debateve me qytetarët. Por, kur partitë privatizojnë reagimin qytetar, padyshim që kjo e kalon anën e peshores më shumë në anën tjetër. Ndaj s’mund të rrimë skeptikë për ç’ka shohim e ç’ka ndodh. Ndoshta ndërkombëtarët kanë të drejtë kur thonë se ka ende punë për të forcuar shoqërinë civile në Shqipëri. Kjo e fundit, nuk është në rolin që i takon. Herë atashohet pranë qeverisë për të përfituar fonde, e herë të tjera pranë opozitës si trampolinë për të kaluar te politika. Pyetja e thjeshtë që bëhet është: po ne qytetarët, bar hamë?????

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0070610046386719
array(1) { ["section"]=> string(53) "aksionet-qe-i-nis-shoqeria-e-i-perfundon-partia-36202" }