ALARMANTE: Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq midis 12 vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Europë

Publikuar tek: kulture-art, më 10:41 16-01-2018 ALARMANTE: Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq midis 12 vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Europë

Hagë / Luksemburg, 16 Janar 2018 – Në hapje të Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore, Europa Nostra, organizata udhëheqëse e trashëgimisë në Europë dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve shpallin 12 vende të trashëgimisë të përzgjedhura në listën e shkurtër për programin 7 Më të Rrezikuar 2018 nga një panel ekspertësh në fusha të ndryshme.

Këto pika referimi të trashëgimisë së rrezikuar nga 10 vende Europiane janë: Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, Shqipëri (nominuar nga Fondacioni “E Shkuara për të Ardhmen”); Qendra Historike e Gjirokastrës, Shqipëri; Qendra Historike e Vienës, Austri; Impianti i Pregatitjes së Qymyrit në Beringen, Belgjikë; Monumenti Buzludzha, Bullgari; Rrjeti i Sistemeve të Teleferikut Ajror në Çiatura, Gjeorgji; Manastiret dhe Hermitazhi David Garexhi, Gjeorgji; Kështjella e Sammezzanos, Toskana, Itali; Kazino Constanta, Rumani; Siti Art-Shkëmbor Parahistorik në provincën Kadiz, Spanjë; Jetimorja Greke Prinkipo, Ishujt e Princeshës, Turqi; dhe Fabrika e Akullit Grimsby, Mbretëri e Bashkuar. Disa nga këto site janë në rrezik për shkak të neglizhencës ose të zhvillimit të papërshtatshëm, të tjerat për shkak të mungesës së resurseve ose ekspertizave. Lista finale e 7 më të rrezikuara vende të trashëgimisë në Europë do të zbulohet në 15 Mars.

Të 12 monumentet dhe vendet u përzgjodhën duke marrë parasysh trashëgiminë e tyre të shquar dhe vlerat kulturore, si dhe rrezikun e pashmangshëm me të cilin po përballen. Angazhimi i komuniteteve lokale dhe angazhimi i palëve publike dhe private për ruajtjen e këtyre vendeve u konsideruan gjithashtu vendimtare. Një tjetër kriter kryesor ishte potenciali i këtyre vendeve për të vepruar si një katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik.

"Viti 2018 është viti për të festuar trashëgiminë unike kulturore të Europës dhe për të theksuar rolin e saj kyç në promovimin e identitetit tonë të përbashkët dhe ndërtimin e një Europe më gjithëpërfshirëse. Rritja e vetëdijes dhe mobilizimi i përpjekjeve të gjera për të ruajtur vendet e rrezikuara të trashëgimisë në të gjithë Europën është një tjetër objektiv i Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018. Çfarë mundësi më e mirë për Europa Nostra dhe Institutin e Bankës Europiane të Investimeve për të zbatuar një edicion të ri të Programit të 7 Më të Rrezikuar me mbështetjen e programit të BE-së për Europën Krijuese", tha Denis de Kergorlay, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra. "Kjo listë e shkurtër është, para së gjithash, një thirrje për veprim. Ne nxisim palët publike dhe private në nivel lokal, kombëtar dhe europian që të bashkojnë forcat për të shpëtuar perlat e trashëgimisë të cilat tregojnë historinë tonë të përbashkët dhe që duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme", shtoi ai.

"Duke ruajtur këto 12 vende nuk do të përfitojnë vetëm monumentet e trashëgimisë kulturore. Investimi do të gjenerojë përfitime socio-ekonomike në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar", tha Francisco de Paula Coelho, dekan i Institutit të Bankës Europiane të Investimeve. "Investimi i përgatitur mirë dhe i zbatuar mirë në trashëgiminë kulturore jep fryte në aspektin e zhvillimit social, ekonomik dhe kulturor, dhe është e rëndësishme të përhapet ky mesazh gjatë Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018", shtoi ai.

Nominimet për programin 7 Më të Rrezikuar 2018 u paraqitën nga organizatat e shoqërisë civile apo nga organet publike të cilat janë pjesë e rrjetit të gjerë të organizatave anëtare dhe atyre ndihmëse të Europa Nostra nga e gjithë Europa. 12 vende u përzgjodhën nga një panel ekspertësh në histori, arkeologji, arkitekturë, konservim, analizë projekti dhe financa. Lista përfundimtare e 7 Më të Rrezikuar vende të trashëgimisë në Europë do të zgjidhet nga Bordi i Europa Nostra.

Programi 7 Më të Rrezikuar u iniciua në janar të vitit 2013 nga Europa Nostra me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve si partner themelues dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës si partner shoqërues. Ajo u frymëzua nga një projekt i suksesshëm i ngjashëm i drejtuar nga Fondi Kombëtar Amerikan për Ruajtjen Historike. 7 Më të Rrezikuar nuk është një program financimi. Qëllimi i tij është që të shërbejë si një katalizator për veprim dhe për të promovuar "fuqinë e shembullit". Ai ka mbështetjen e programit të Europës Krijuese të Bashkimit Europian, si pjesë e projektit të rrjetit Europa Nostra "Trashëgimi e përbashkët - Vlera të përbashkëta".

Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, Shqipëri

Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq në Shqipërinë juglindore janë një grup prej 12 kishash të ndërtuara gjatë shekujve 17 dhe 18. Ato janë dëshmia më autentike e zhvillimit të jashtëzakonshëm ekonomik të këtyre dy qendrave të krishtera gjatë sundimit Otoman në Ballkan. Ndërtesat janë përfaqësuese të shkëlqyera të teknikës, arkitekturës dhe artit Pas-Bizantin. Disa nga këto kisha, me përmasa të mëdha, përfaqësojnë një formë të re arkitekturore dhe unike të bazilikave me mbulesa të kurbëzuara. Ato janë monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shekullit 17-18 në Ballkan dhe janë kryevepra të stilit Pas-Bizantin.

Vendndodhja e izoluar e kishave e bën ruajtjen e tyre një sfidë. Popullsia e krishterë përreth ka rënë ndjeshëm dhe mungesa e klerikëve si pasojë ka sjellë rezultat që shumica e kishave të mbeten të papërdorura në pjesën më të madhe të vitit. Kishat, në pronësi të Kishës së Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, Voskopojës e Vithkuqit, tashmë vizitohen kryesisht nga profesionistë dhe turistë kuriozë.

Lufta, plaçkitjet dhe fatkeqësitë natyrore i kanë dëmtuar seriozisht këto struktura. Pranë fundit të shekullit të 18-të, këto dy qendra dhe fshatrat përreth u sulmuan dhe pësuan dëme të mëdha. Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, disa nga kishat përjetuan dëmtime. Manastiret e Shën Joan Pararendësit në Voskopojë dhe i Apostujve Pjetër e Paul në Vithkuq u bombarduan, ndërsa kishat e Shën Nikollas dhe Fjetja e Shën Marisë në Voskopojë u dogjën. Tërmetet në vitet 1903, 1930 dhe 1960 kanë ndikuar seriozisht tek kishat me krijimin e çarjeve dhe humbjen e pjesëve duke dëmtuar integritetin e tyre strukturor.

Organizata propozuese, Fondacioni E Shkuara për të Ardhmen, ka identifikuar disa kërcënime ndaj këtyre kishave. Kërcënimi kryesor tani është neglizhenca totale e monumenteve nga ata që përgjigjen administrativisht për kishat në nivel kombëtar, përkatësisht Instituti i Monumenteve të Kulturës. Dëmtimi nga uji dhe lagështira paraqesin një kërcënim serioz për pikturat në muret e brendshme, veçanërisht në ato kisha që ende nuk kanë çati të përshtatëshme ose dritare. Ngjyrat e disa prej këtyre afreskeve janë shpëlarë nga kontakti i drejtpërdrejtë me shiun dhe dritën e diellit. Shumë nga pikturat murale në teknikën 'afresk' janë shkëputur nga muret dhe janë gati të bien poshtë. Vjedhja e objekteve është një problem i qëndrueshëm pasi asnjë nga kishat nuk sigurohet me kamera ose alarm.

Kisha e Shën Gjergjit në Shipckë, Voskopojë, e cila është në listë, ka qënë fituese e Çmimit Europa Nostra në vitin 2011 për restaurimin e saj të shquar e gjithëpërfshirës, i cili pati mbështetje të madhe nga komuniteti lokal. Kisha tani përballet me kërcënimin e vjedhjes, për shkak të një mungese të plotë të sistemeve të sigurisë dhe thekson urgjencën me të cilën këto kisha duhet të mbrohen.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Presidenti Meta takon këngëtarin me famë botërore: Frymëzoi gjithë shqiptarët për liri dhe demokraci
»
Article Logic
Execution time: 0.0063800811767578
array(1) { ["section"]=> string(122) "alarmante-kishat-pas-bizantine-ne-voskopoje-dhe-vithkuq-midis-12-vendeve-te-trashegimise-me-te-rrezikuara-ne-europe-106732" }