ALARMI për produktet e kalbura në Shqipëri, importojmë 25% mish nga Brazili

Publikuar tek: ekonomi, më 15:33 24-03-2017 ALARMI për produktet e kalbura në Shqipëri, importojmë 25% mish nga Brazili

Pas një hulumtimi rezulton se mishi i kalbur brazilian ka përfshirë vende të shumta të botës, ndërsa në Shqipëria vitin e kaluar 25% të importeve të mishit i ka patur nga Brazili.

Importet e mishit dhe të ngrënshmeve të tij shënuan 38 mijë e 851 tonë në vitin 2016,  nga të cilat 9701 tonë ishin nga Brazili, i cili kryeson listën vendeve nga ku Shqipëria importon mish.

Blerja e mishit nga Brazili për nevojat e konsumit të brendshëm ka pësuar luhatje nga viti në vit, por gjatë vitit 2016, ato  u rritën me 23%, shkruan Monitor.

Në vitin 2010, mishi brazilian i importuar në vendin tonë arriti në 12 mijë e 395 tonë dhe më pas në vitin 2011 shënoi  rënie me 17%. Rënia vijoi edhe gjatë viteve 2012 dhe 2013 me ritme dyshifrore duke nisur sërish rritjen  me rreth 80% në vitin 2014. Në vitin 2015 është vënë re  ulje e importeve të mishit nga Brazili me 33%, por ato u kompensuan në vitin 2016.

Më herët  gjatë javës së kaluar, autoritetet braziliane kanë pezulluar 33 zyrtarë të lartë të qeverisë pas një investigimi, i cili ka gjetur se ata kanë qenë të lidhur me prodhuesit e mëdhenj të mishit dhe në vend është shitur një sasi e madhe pulash dhe mishi i kalbur.

Dhjetëra impiante të përpunimit të mishit atje janë mbyllur dhe vendi është përfshirë nga një kontroll masiv për të parandaluar konsumin e mëtejshëm të tij.

Sakaq e gjithë bota është përfshirë në panik pasi Brazili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në botë dhe eksporton një sasi të madhe të tij në Europë.

Sipas  ‘The Economist’, Kina, Bashkimi Europian (BE), Kili dhe Koreja e Jugut së bashku konsumojnë një të tretën e mishit brazilian të shitur jashtë vendit. Bashkimi Europian ka kufizuar aktualisht importin e 21 kompanive në hetim.

Kompanitë e mishit në Brazil kishin arritur të shisnin produktet e skaduara duke korruptuar zyrtarët e dy partive kryesore në vend.

Në raport-progresin 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë konstatohet se nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Nuk janë bërë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore.

AKU-ja është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike dhe sociale që rrjedhin përkatësisht nga zbatimi i MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit).

Mirëpo struktura relativisht e vogël e bën të pamundur inspektimin e plotë të të gjithë subjekteve, të cilat janë të shumta në numër, pohon drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Taulant Kalo, shkruan Monitor.

Europa është cilësuar si vend që krijon barriera në lidhje me importin e produkteve ushqimore (sidomos për grupin e ushqimeve me prejardhje shtazore), duke e argumentuar me faktin se mbron konsumatorin vendas.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0067369937896729
array(1) { ["section"]=> string(79) "alarmi-per-produktet-e-kalbura-ne-shqiperi-importojme-25-mish-nga-brazili-73008" }