Alban Zusi: Rritja e pagës minimale për sektorin privat jo pa logjikë tregu

Publikuar tek: ekonomi, më 10:12 14-02-2017 Alban Zusi: Rritja e pagës minimale për sektorin privat jo pa logjikë tregu

Alban Zusi president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, në një intervistë për Top-Channel, i përgjigjet pyetjes në lidhje me propozimin e qeverisë për  rritjen e pagës minimale, tek të punësuarit në  bizneset private dhe si do të ndikojë kjo në sektorë të ndryshëm siç janë edhe eksportet.

Alban Zusi:  Rritja e pagës së punonjësve është një prioritet që e ka çdo biznesmen, pasi me paga të rritura kanë mundësi të thithin më shumë fuqi punëtore e cila sot është kthyer në një shqetësim.

Gjithashtu përmes rritjes së pagave ekziston edhe mundësia e përmirësimit të cilësisë, rritjes së kërkesës ndaj punonjësve .

Por rritja e pagës minimale mbi bazën e vendimmarrjeve administrative, të pa bazuara në logjikën e biznesit dhe tregut është absolutisht një vendimmarrje e gabuar e cila do të ndikojë drejtpërdrejtë, në të kundërtën e asaj që po përpiqet qeveria apo grup interesi për të realizuar . Në sektorin e eksporteve impaktet do të jetë shumë negative.

Sot sipërmarrësit po të kenë hapësira të tjera për të rritur pagat e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, pasi është fakt i njohur që të gjitha bizneset eksportuese kanë nevojë për më shumë fuqi punëtore, kanë porosi më tepër se çfarë janë duke bërë për eksport, por janë përballë vështirësive në gjetjen e punonjësve. 

Nëse do të kishte hapësirë për të rritur pagat një biznes do ta bënte. Por nëse i thuhet biznesit të rrisë pagat nga aq në kaq lekë, atëherë gjasat janë që të rrisim në mënyrë artificiale kostot e produkteve të prodhuara nga kompanitë eksportuese dhe në këtë rast efekti do të jetë në reduktimin e eksportit, ose do të humbasim kontratat pasi nuk mund tija transferosh koston e shtuar në mënyrë administrative partnerit tënd të huaj.

Ose bizneset do të jenë të detyruar të reduktojnë punonjësit me rentabilitet të ulët pra ata që punojnë në kufirin e pagës minimale . Ata do të jetë të parët që shkurtohen nga puna sepse mbajtja e tyre në punë do të rezultojë si kosto e shtuar .

Ekziston rreziku i kalimit të biznesit në një marrëdhënie informaliteti me punonjësit e tyre duke i bërë tashmë edhe shumë fragile ose të dobët në marrëdhënien e tyre, me punonjësin pasi punëdhënësi do ti thotë po të kaloj në bankë kaq para sa është paga jote minimale por do të duhet të mi kthesh këto para mbrapsht.

Kjo përveçse do të jetë një informalitet i pastër kthehet në një marrëdhënie shumë të rrezikshme për sipërmarrësin pasi mund të jetë i cënushëm në çdo moment për mashtrim apo çështje të tjera.

Në këto kushte çdo tentativë për të rritur pagat mbi baza administrative, me urdhra apo dekrete është në kundërshtim me të gjitha ligjet e ekonomisë së tregut.

Përse përshembull nuk merret një vendim që subjektet eksportuese ti blejnë lëndët e para brenda vendit me një çmim të përcaktuar nga qeveria jo me çmimin e tregut. Përse nuk merret edhe ky vendim? Sepse njëlloj është . Kosto është fuqia punëtore kosto është edhe lënda e parë siç janë kripa, vaji, apo produkte të tjera.

Përse  nuk e merr edhe këtë vendim qeveria që furnitorët tanë të japin çmime më të ulta? Por është e pamundur sepse nuk ka logjikë tregu .

Atëherë në këto kushte edhe rritja e kësaj kostoje që është fuqia punëtore që për bizneset eksportuese zë 60 deri 70 % ndoshta të kostos së produktit, të rritet kjo kosto se kërkon dikush atëherë kjo do të thotë se praktikisht ne po çojmë shkurtimin e vendeve të punës jo drejt shtimit dhe mirëqenies. Kjo do të çoj në rrudhjen e aftësive për të prodhuar më shumë për eksport .

Jemi duke shkuar në rritjen e çmimeve për produktet në tregun e brendshëm duke ulur kështu konkurueshmërinë përballë produkteve të importit . Nuk dëmtohen vetëm eksportuesit por edhe prodhuesin vendas të cilët do të jenë me kosto më të larta në treg për shkak të rritjes së kostos së fuqisë punëtore.  Pra le tija lëmë tregut ta bëjë . E vetmja gjë që duhet të bëjë qeveria është që të kontrollojë punëdhënësit, nëse janë duke paguar në mënyrë korrekte pagat e tyre por jo ti thuhet biznesit se duhet ta paguash me kaq. 

Mendoj se kjo nuk është zgjidhja për të rritur pagën e punonjësve. Zgjidhja është zhvillimi i ekonomisë, hapja e hapësirave për të bërë biznes, heqja e barrierave dhe kostove të shtuara në mënyrë abuziviste ndaj biznesit të cilat nuk krijojnë vlerë të shtuar .

Sot biznesi është në një konkurrencë të hapur për gjetjen e punëtorëve. Di biznese që nuk duan të futen në zonën e Tiranës, Beratit apo të Lezhës se ka konkurrencë të madhe dhe nuk ka punëtorë. Këto biznese po përpiqen të shkojnë në zona ku ka më pak konkurrencë. Pra le tija lëmë tregut të rrisë pagën.

Top-Channel: A ka Qendra e Eksporteve Shqiptare një propozim konkret për uljen e këtyre kostove?

Alban Zusi: Qendra e Eksporteve Shqiptare ka një listë me propozime konkrete. Një ndër to më të fundit për të cilën ne jemi duke punuar me zyrën e kryeministrit Edi Rama, është heqja e detyrimit për përkthim dhe noterizim të certifikatave veterinare dhe vitosanitare në import.

Është një kosto prej afro 5 milion euro për të gjitha bizneset agro-ushqimore në vit, e përditshme e cila shkon në xhepat e noterëve dhe të përkthyesve apo në kosto të tjera administrative si lëvizjet e personelit që merren me këtë proces përkthimi dhe noterizimi. E gjitha kjo nuk krijon vlerë të shtuar.

Nëse kjo kosto do ti hiqej biznesit pa diskutim që krijohet një e ardhur e cila mund të shpërndahet në shumë drejtime si investime apo edhe në rritjen e pagave.  Nëse shkon në investim ajo përkthehet në rritjen e të punësuarve.

Eliminimi këtyre kostove që në vlerësimin e Qendrës së Eksporteve Shqiptare shkon në 20 deri 30% të fitimit të kompanive .

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.030061006546021
array(1) { ["section"]=> string(80) "alban-zusi-rritja-e-pages-minimale-per-sektorin-privat-jo-pa-logjike-tregu-68651" }