Alda Bardhyli: Letërsia kërkimi im i përhershëm

Publikuar tek: kulture-art, më 14:45 26-09-2018 Alda Bardhyli: Letërsia kërkimi im i përhershëm Alda Bardhyli

Alda Bardhyli ka studiuar Letërsi në Universitetin e Tiranës.

Ajo është e njohur si gazetare dhe kritike e letërsisë. Bardhyli është drejtore e Botimeve UET PRESS dhe Qendrës së Studimeve Shqipe “Kadare”, pjesë e Institutit Europian “Pashko”. Ajo është edhe organizatore e “Letërsia dhe qyteti”, një projekt që ka në qendër letërsinë dhe autorët shqiptarë që prej dy vitesh e ka kthyer letërsinë faktor në hapësirat shqiptare. Së fundmi ajo është autore e librit “Maks Velo, jetë paralele”, ku për herë të parë në historinë e vendeve ish-komuniste është botuar dosja e plotë e përndjekjes, hetimit dhe burgosjes së një artisti. Libri është një rrëfim i jetës në dy kohë, një sipas dosjes së Sigurimit të Shtetit dhe, një sipas rrëfimeve që artisti i bën Bardhylit. Ajo është personazhi i javës i zgjedhur nga gazeta Koha Ditore për rubrikën 7 shkronjat.

Ja cilat janë fjalët e shkronjat që ka zgjedhur ajo:

1. E zeza

Gjithnjë më ka pëlqyer e zeza. E zeza është ngjyra më e fuqishme, përmbledh e nuk përjashton asnjë ngjyrë, kështu thonë japonezët. Herët kam kuptuar se ti mund të ndërtosh figurat që do brenda një errësire, ose mund të ecësh përmes saj për të gjetur rrugë të reja. Një zezëtirë e ëmbël e thatë dhe tunduese, ndonjëherë më duket si ngjyra më e bukur që kam parë. Një botë e zezë është gjithnjë enigmatike. Mbi të mund të vendosësh të gjitha imazhet e botës.

Fustanet e zinj më kujtojnë sensualitetin dhe barkun e krijimit të jetës. Gjyshen time, flokët e saj të zinj teksa përtej dritares së një ballkoni të vogël, më tregonte historinë e një peme të tharë përtej lumit ... Degët e saj të zeza i dhanë jetë përfytyrimit tim qysh fëmijë, për të parë të padukshmen aty ku jeta duket sikur ka përfunduar ...

2. Letërsia

Kërkimi im i përhershëm. Një nga hapësirat që ka kontribuuar aq shumë për qenien njerëzore. Letërsia është arratisje, shpesh shpëtim apo forma më e bukur sesi mund ta rigjesh veten. Bibliotekat e mëdha në të gjithë botën janë dëshmia më e mirë e një civilizimi që ka ardhur e do të jetë gjithnjë përmes librave. Në vende me histori të trazuar si tonat, letërsia ka mundur të mbajë bashkë kombin përmes gjuhës. E gjuha shqipe është dëshmi e qartë e një mbijetese historike, pushtimesh e shpërnguljesh, duke u përsosur edhe nën këto rrethana. Gjuha është ajo që ka mbajtur fort identitetin tonë, duke na bërë të ndihemi një kulturë superiore ndaj kulturave të tjera. Në Shqipëri letërsia arriti të sfidojë një prej diktaturave më të egra në ish-vendet komuniste, duke i bërë njerëzit të shpresonin për një kohë të re, përmes librave që lexuan. Po kështu, lufta dhe represioni historik në Kosovë e përsosën poezinë. Duhet të flasim më shumë për letërsinë dhe autorët shqiptarë, të cilët arritën të krijonin një histori tonën letrare në kushte të pazakonta. Është e jashtëzakonshme aftësia e shkrimit për të depërtuar në tunele të errëta të historisë.

3. Letrat

Copëza letrash të shkurtra mbushur me këshillat e ditës, që nëna ime mi fuste në librat e shkollës, vijoj t’i ruaj ende sot, dhe pse të zverdhura nga koha në sirtarë, që gjatë viteve janë mbushur me letra të tjera, që njerëz të cilët i kam takuar e humbur në këtë jetë kanë lënë aty gjurmët e tyre ... Letra që teksa i hap më kujtojnë qytete, ngjarje apo kohë që kanë rritur tek unë aftësinë e moskthimit në kohë. Një nga udhëtimet që kam mësuar ta bëj gjithnjë e më rrallë është ai në të shkuarën ...

Letra që më kujtojnë aromën e çajit që shpërndahej mëngjeseve në hapësirën e shtëpisë së fëmijërisë, fytyrën që shndrin të një gruaje që sot përpiqem ta gjej përmes shenjave të universit ...

Më pëlqen të shkruaj letra dhe pse sot e bëj gjithnjë e më rrallë. Ndoshta kjo është arsyeja që kam nisur të përkthej në shqip letrat e dashurisë së Simone De Beauvoir dhe Nelson Algren. Më shumë se 600 letra dashurie shkruar nga një prej femrave më me ndikim të shekullit XIX, përmes së cilave mund të lexosh filozofinë e kohës. Letrat nuk janë vetëm kujtesa, por dhe gjuha e rëndësishme e një komunikimi që njerëzimi në kushtet e rritjes së teknologjisë nuk duhet ta humbë. Vetëm përmes tyre mund të shtresëzojmë të shkuarën dhe mund ta shohim më mirë të ardhmen. Letrat janë shpikja më e bukur e sekreteve tunduese që i kanë dhënë botës romanca të jashtëzakonshme. Janë një formë tjetër e letërsisë, e cila ka të njëjtën aftësi për të na ndryshuar. Ato më kanë mësuar si të eci në të ardhmen.

4. Heshtja

“Lumenjtë e thellë nuk rrjedhin me zhurmë”, thotë Curzio Rufo, ndërsa Saramango thotë se “ndoshta vetëm heshtja ekziston me të vërtetë”. Heshtja është zëri i një alfabeti tjetër brenda nesh. Të mësosh gjuhën e heshtjes është një ndër leksionet më të vështira në jetë. Një gjuhë që e mëson përmes rrëzimeve, ecjes, dhembjes, filozofisë së klasikëve, në librat me kapakë të trashë që vazhdojnë të ruhen në një kënd të bibliotekës, në njerëz që me qëndrimet e tyre kanë lexuar heshtjet e tua e të kanë treguar fisnikërinë e heshtjes së tyre. Në këto kohë të trazuara ka humbur komunikimi me heshtjen, siluetat e njerëzve që thonë aq shumë vetëm me një vështrim...Kam pasur fat në jetë që kam takuar njerëz që më kanë mësuar heshtjen.

5-Sende

S-ja është një nga shkronjat më të dashura për mua në alfabet. Njerëz të rëndësishëm në jetën time fillojnë me këtë shkronjë. I kam gjithnjë me vete si një gur i gjelbër smeraldi në gisht.Sendet janë dhurata të çmuara që na vijnë në jetë. Ato janë historia dhe shpesh harresa. Me shekuj mund të qëndrojnë në një kënd të shtëpisë duke treguar kohën që rrjedh e ndalet në të njëjtën kohë.  Çdo njeri ka historinë e tij në raport me to, e kur nuk kemi mundur të ndalim një ikje, kemi mundur të ruajmë një kujtim. Ndonjëherë ato përhapin lehtë-lehtë një dhembje, por dhembja kur vjen nga njerëzit e dashur është një qetësim.

6-Muzika

Ka qenë kërkimi i artit si gjendje që më ka çuar drejt muzikës. E shoh si një formë tjetër të letërsisë, tregimit ndryshe të një ngjarjeje, jo duke e rrëfyer por duke e ndjerë. Muzika si komunikim, si rezistencë është një disiplinë po aq e rëndësishme në kërkim të kuptimeve. Kërkimet kulturore sot i shoh gjithnjë e më tepër të lidhura me muzikën.

7-Luledele

Janë lulet e mia të preferuara. I vizatoj kudo, në blloqe pune, apo libra. Është lule e familjesAsteraceae dhe më e bukura nga të gjitha lulet për mua. Nuk jam ndalur ndonjëherë të zbuloj kuptimin e këtij vizatimi jete, pasi ndonjëherë është mirë mos të bësh kërkime.Në leximet e mia do ti lidhja këto lule me imazhe femërore, gra të rëndësishme që përmes shkrimeve tyre i kanë grave dimensione që as që mund ti mendonin dikur sot. Fletët e kësaj luleje janë e bardha e pafund që ta jep liria. E në historinë njerëzore femrave u është dashur shumë për ta fituar këtë ngjyrë. Janë dhjetëra gra të cilave u detyrohemi sot për guximin, për ti dhënë botës një ngjyrë më të mirë. Historia e feminizmit nuk është thjesht një pamflet por është historia e vërtetë e civilizimit. E ne kemi historinë tonë të feminizmit. Dua të kujtoj gra si Selfixhe Ciu, Jolanda Kodra,LuçieSereqi,MusineKokalari,Ollga Plumbietj,të cilat me jetët e tyre na kujtojnë se femra shqiptare ka qenë herët pjesë e lëvizjeve evropiane.Silueta të tjera femrash që kam njohur në jetën time më shfaqen në formën e kësaj luleje, të cilat gjinia i bënte të ishin modeste përballë një superioriteti natyror të burrave që vijon të jetë i fortë ende sot.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit çel siparin e shfaqjeve tek skena e re 'arTurbina' (FOTOT)
»
Article Logic
Execution time: 0.0069730281829834
array(1) { ["section"]=> string(53) "alda-bardhyli-letersia-kerkimi-im-i-perhershem-135689" }