Alibeaj: S'ka përjashtime, por disa nuk u dukën në 2 muaj fushatë

Publikuar tek: politike, më 08:18 19-07-2015 Alibeaj: S'ka përjashtime, por disa nuk u dukën në 2 muaj fushatë Enkelejd Alibeaj

Foto: LSA

Ish-kandidati i APPD për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj thotë në një intervistë për “GSH” se nuk PD nuk ka vend për frymë përjashtimi, por pranon se një pjesë e strukturave gjatë fushatës ka punuar për kundërshtarin.

Cili është mendimi juaj për zgjedhjet e 21 qershorit në Fier ku ju kandiduat për kreun e Bashkisë Fier? Si u zhvilluan ato?

Ka shumë drejtime dhe këndvështrime nga të cilat mund të bëhet një analizë e një procesi zgjedhor. Unë preferoj të bëj një analizë të kësaj fushate nga këndvështrimi i angazhimit të strukturave të PD dhe koalicionit të saj dhe qëndrimit të publikut fierak ndaj ofertës së opozitës. Ishte kjo një nga sfidat më të mëdha që duhej fituar me çdo kusht në projeksion edhe të së ardhmes. Përtej rezultatit, që tashmë është i njohur, vlerësimi real i të cilit mund të bëhet vetëm duke e krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, më shumë rëndësi ka se çfarë organizimi dhe qasje pati opozita. Tashme që edhe ethet elektorale po kalojnë dhe mendjet po ftohen, e vetmja gjë që do të ngelet si shije e mirë e zgjedhjeve në Bashkinë Fier, është fakti se strukturat e PD dhe aleateve ishin më të organizuara e më të angazhuara se kurrë më parë, pavarësisht eksperiencës së paktë. Ishin serioze, u mirëpritën në çdo cep të kësaj bashkie të stërmadhe dhe zhvilluan fushatën më të qytetëruar, si në fshat edhe në qytet, ashtu siç me të drejtë publiku i Fierit meriton. Zhvilluan një dialog sy më sy me qytetarët, u përballën me shqetësimet reale të tyre. Ngjallën shpresë tek publiku, shpesh duke kërkuar ndjese për gabimet e së shkuarës e duke korrigjuar në mënyrë të sinqertë veten. Shtuan radhët duke qenë mendjehapur dhe patën përfaqësim dinjitoz të të gjithë territoreve, krahinave, komuniteteve dhe shtresave sociale fierake. Një atmosferë energjie, entuziazmi, ngrohtësie dhe një rritje e koshiencës politike ishte sfondi i këtij strukturimi partiak që mbizotëroi në zyrat dhe shtabet elektorale të PD, ku njerëzit ndjeheshin se një kauze e madhe morale dhe politike i përbashkoi. Ajo çfarë ishte produkt i kësaj fytyre të re të opozitës në Fier, e që përbën edhe një nga kënaqësitë më të mëdha, por edhe si një nga shenjat më premtuese për të ardhmen është se publiku i civilizuar fierak e mirëpriti PD dhe kjo e fundit fitoi simpatinë e qytetarisë së tij përkundrejt skepticizmit historik që ka mbizotëruar atje ndaj saj. Ndonjë kërcitje apo qejfmbetje e natyrshme që lind natyrshëm prej tensionit të fushatës, kompozimit të listave për këshillin bashkiak, ristrukturimit të brendshëm partiak, me kalimin e kohës është tërësisht e absorbueshme duke i analizuar me qëllim korrigjimin dhe perfeksionimin e funksionimit partiak në të ardhmen.

A pati parregullsi? A konstatuat ju probleme gjatë votimit dhe numërimit?

Duhet të biem dakord për konceptin e “parregullsisë”. Për mendimin tim “parregullsi” quhet çfarëdo veprimi apo sjellje e cila ndikon tek zgjedhësi që ai të shprehë vullnetin e tij, pra të votojë ndryshe nga opinioni i vetë i lirë. Pra çdo ndërhyrje, shantazh, frikësim, terror apo joshje dhe interes i momentit me anë të të cilit kërkohet t’i ndryshohet prirja zgjedhore që e ka formuar mbi qeverisjen, apo mbi analizën që ai ka bërë rreth premtimeve politike dhe masës së përmbushjes së tyre, është parregullsi dhe deformim i vullnetit elektoral. Në këtë kuptim, ky proces ishte tërësisht i zhytur në parregullsi. Opozita në këtë fushatë zgjodhi që të përballej drejtpërdrejt me njerëzit, duke komunikuar çiltër me ta dhe duke u përpjekur që mbështetjen e vet ta siguronte prej dialogut me qytetarët dhe duke iu kërkuar atyre, të analizonin gjendjen ekonomike sociale dhe politike të vendit, situatën e tyre financiare, çështjen e punësimit dhe atë çka i pret ata dhe gjithë vendin nën qeverisjen e kësaj maxhorance. Pra ndoqi linjat e një fushatë të civilizuar politike. Ndërkohë që nga ana e maxhorancës qeverisëse, nuk u bë fushatë politike, porse një fushatë kërcënimi ndaj publikut nëpërmjet fjalëve të kryeministrit, i cili shantazhoi popullsinë duke iu kërkuar me dhunë të votonin kandidatët e tij përndryshe ai do t’i ndëshkonte me mosdhënie fondesh. Nuk bënë fushatë politike, porse vazhduan fushatën e ndarjes së ndihmave nga përmbytjet e dimrit, tani pikërisht në mes të verës. Nuk bënë aspak fushatë, por rreshtuan me dhunë të gjithë administratën duke i terrorizuar ata që jo vetëm të votonin pothuajse hapur, por edhe të detyronin të afërmit e tyre të votonin kundër dëshirës së tyre për qeverinë, përndryshe ishin nën kërcënimin e flakjes nga puna. Jo vetëm kaq, porse filluan një fushatë gjoja “punësimi” masiv, për ti mashtruar njerëzit e dëshpëruar që si shpërblim të votonin qeverinë. Biznesi u bë shënjestër e presionit qeveritar nëse do mbështeste opozitën.

Cili është rezultati sipas jush? Edhe për ju si kandidat, por edhe si koalicione partie?

Përkundër gjithë kësaj panorame rrëqethëse e cila përngjasoi me një atmosferë lufte nga ana e qeverisë dhe përkundër gjithë terrorit qeveritar, qytetarët e Fierit dhanë sinjale të forta të kundërshtimit ndaj këtij regjimi. Një gjë duhet bërë e qartë. Këto zgjedhje ashtu siç u filluan dhe u përfunduan, ishin zgjedhje qartësisht politike. Kryeministri zbriti vetë në fushë. Gjendja e keqe ekonomike dhe sociale e popullsisë ishte e tillë që vetëm reagim politik mund të kishte. Dimensionet e bashkisë tashmë janë të tilla sa bëhet fjalë për zgjedhje me peshë njësoj si ato të përgjithshmet. Nuk ka asgjë të keqe që të konsiderohen si zgjedhje politike, por e bëj këtë parantezë për të nxjerrë edhe konkluzionin mbi masën e reagimit të publikut fierak në këto zgjedhje. Analiza më e saktë është ajo që bëhet mbi atë se çfarë ka arritur secili krah politik, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, për të parë nëse ka ndryshim apo jo. Pra zgjedhjet për kandidat ishin zgjedhje që u konsideruan  vlerësim politik për të djathtën dhe të majtën. Zgjedhjet për këshillat bashkiakë, siç dihet, tashmë nuk janë aspak përfaqësuese përsa i përket zgjedhjes politike. Më tepër ato janë përllogaritje apo pazare të vogla lokale, jo shumë domethënëse. Gjithsesi PD si parti ruajti të njëjtin nivel historik si në zgjedhjet e 2013 dhe të 2011, pra në rendin e 22%. Kandidati i së djathtës mbërriti në rendin e 39%.

Sa vota morët në total ju si kandidat dhe sa si parti? Në krahasim me zgjedhjet e tjera ka rritje apo ulje?

Statistikat janë të tilla që nuk mund të jenë opinion. Kështu e majta në qeverisje prej dy vjetësh në këto zgjedhje mori rreth 36 mijë vota nga 53 mijë vota që kishte në 2013. Pra plot rreth 17 mijë ish-votues të saj, këtë radhe e braktisën atë. E djathta nga 17 mijë votues në 2013, kësaj mori plot 26 mijë vota pra rreth 9 mijë zgjedhës që dy vjet më parë nuk e mbështesnin, kësaj radhe iu bashkuan asaj. Mjaftojnë këto dy të dhëna të rëndësishme për të kuptuar shumë, qoftë sesa e neveritur është sot qeveria në Fier, por edhe sesa bindshëm ka filluar krijimi i besimit ndaj opozitës. Krahasuar me zgjedhjet e 2011, kandidati i së djathtës ka marrë të njëjtin numër votash sa kanë marrë të 9 kandidatët e së djathtës së bashku atëherë (Bashkia e madhe Fier përbëhet nga 9 ish-njësi vendore në 2011), gjithnjë duke pasur parasysh se në 3 njësi vendore, si kandidatë të së djathtës ishin përfaqësues të LSI. Mbi këto të dhëna duhet mbajtur parasysh edhe fakti se LSI në atë kohe ishte në koalicion me PD kurse sot me PS. Pra duke filluar së paku nga 2011, ka një rritje në ngjitje domethënëse të së djathtës në Fier.

Me votat e marra po t’i konvertosh në deputetë sa është rezultati? Ka rritje PD?

Rezultatin e 21 qershorit mund ta konvertosh në rezultat politik, në numër mandatesh, duke bërë referencën për të gjithë qarkun Fier. Kështu, në vitin 2009 kur u aplikua për herë të parë sistemi proporcional në rang qarku rezultati i së djathtës ka qenë në 6 deputetë. Në vitin 2013 rezultati i koalicionit të djathtë shkoi në 5 deputetë (duke përfshire edhe 1 mandat të PDIU, atëherë në koalicion me PD), kurse sot rezultati i PD dhe aleatëve të saj përllogaritet në rendin e 7 deputeteve. Pra rezultati total i koalicionit PS+LSI+PDIU është rreth 97 mijë vota, kurse koalicioni i PD është rreth 80 mije vota. Në total, 16 mandatet e qarkut, do të ndaheshin në raportin 9 me 7. Është e qartë rritja e PD me pothuajse 3 mandate shtesë krahasuar me 2013 dhe 1 mandat shtesë krahasuar me 2009.

U fol për përjashtime në radhët e PD Fier, largime, bile u lakua edhe emri juaj. Sa e vërtetë është kjo dhe cili është mendimi juaj?

Aspak e vërtetë. Koncepti përjashtim as në terma statutorë e as në terma të frymës së organizimit partiak nuk është i pranishëm në PD. Në takimin falënderues që strukturat organizuan, veç shprehjes së mirënjohjes nga ana ime, për sakrificën e madhe që çdo i angazhuar dha në fushatë, ditën e votimit dhe procesin e numërimit, me shumë të drejtë u diskutua edhe për një sërë individësh të cilët përgjatë 2 muajve fushatë nuk e panë të udhës të angazhoheshin e madje ndonjë syresh edhe të pozicionohej hapur me strukturat e kundërshtarit. Sigurisht që për këtë sjellje nuk ka kurrfarë përjashtimi, pasi dyert e PD janë dhe do ngelen hapur sot dhe në të ardhmen për këdo që pa interes i bashkohet asaj sidomos në opozitë, porse të konstatosh, faktin që disa, individë, ndonjëri edhe me poste në strukturë, në momentet më të rëndësishme, siç janë zgjedhjet, bëjnë karshillëk, kontribuojnë aktivisht për dështim apo qesëndisin angazhimin e gjithë të rinjve në strukturat e PD, përveçse është vetëpërjashtim i tyre nga beteja, lënie bosh e detyrës politike, mbi të gjitha është ndjenjë respekti për veten.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Artikulli i Financial Times gëzon Ramën: Me siguri do t'i pëlqejë edhe kujt s'i kurseu të sharat
Debati Blushi-Rama në asamblenë e PS-së, Braçe: Situatën e qetësoi Servet Pëllumbi »
Article Logic
Execution time: 0.021572113037109
array(1) { ["section"]=> string(69) "alibeaj-s-ka-perjashtime-por-disa-nuk-u-duken-ne-2-muaj-fushate-16520" }