Altin Basha: Ministria e Kulturës një mullar me gabime injorance, Teatri Kombëtar totalisht i izoluar dhe poshtërues me regjisorët

Publikuar tek: kulture-art, më 07:14 24-02-2017 Altin Basha: Ministria e Kulturës një mullar me gabime injorance, Teatri Kombëtar totalisht i izoluar dhe poshtërues me regjisorët

Me shfaqjen teatrore “Made in Albania” regjisori Altin Basha mori të tjera vlerësime, vijim i rrugës së tij të suksesshme në teatër. Një vepër shqiptare, e cila është mirëpritur nga publiku në disa skena të teatrove, ku gjetja dramaturgjike ishte një pikë e fortë e veprës. Me punën e tij në teatër, regjisori Altin Basha është një nga emrat e suksesshëm dhe që vijon punën me projekte të cilat përcillen me shumë interes. Por kur flasim për problemet në teatër, regjisori Basha rendit jo pak. Përgjegjësia i takon Ministrisë së Kulturës, e cila sipas regjisorit nuk e ka kryer misionin e saj me politika dhe vizion në krah të artistëve dhe dinjitetit të tyre. Kritikat e regjisorit janë dhe në drejtim të Teatrit Kombëtar, ku sipas tij ky institucion duhet të dalë nga izolimi.

“Made in Albania” shfaqja më e mirë dhe teksti më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Dramës Nacionale në Tetovë. Vlerësim për ju si regjisor dhe për dramën shqipe. Ku mendoni se goditi vepra juaj që mori këto vlerësime në këtë festival?

Gjetja dramaturgjike mendoj se ishte një pikë e fortë e veprës. “Made in Albania” është pamja e një Shqipërie nga brenda, pa makiazh. Fasoneria është një vend veprimi i pazakontë. Karakteret janë gjithashtu një pikë e fortë e veprës. Ato u punuan me shumë dashuri nga të gjithë aktorët e trupës dhe përcollën me pasion dhe vërtetësi maksimale. Skena, kostumet, koreografia dhe muzika të gjitha bashkë arritën një fuzion që i dha veprës fytyrë dhe pamje bashkëkohore.

Në bashkëpunimin tuaj me autorin Stefan Çapaliku ka qenë një shfaqje, e cila dhe më herët në skena të teatrove ka pasur vëmendje të publikut. Flasim pak për mesazhin që përcjell kjo shfaqje, në realitetin sot, është pohuar se i bën jehonë Shqipërisë sot? Në gjykimin tuaj, çfarë mund të na thoni?

Në dramaturgjinë e Stefanit së pari gjej përpjekjen për një dramaturgji ndryshe. Ne jemi dy kolegë, që na bashkon shqetësimi dhe dëshira për ta shtyrë teatrin shqiptar sa më afër teatrit Europian dhe sa më larg mediokritetit provincial. Kemi gjithashtu edhe arsye pasi në dy bashkëpunime kemi arritur dy herë sukses jashtë Shqipërisë. I ashtu quajturi zhvillim i industrisë fasone në fakt është thjesht një formë skllavërie moderne me fytyrë të trukuar nga media. Lufta për identitetin tonë kombëtar, çështjet gjinore dhe përpjekja e një shoqërie për të dalë nga tranzicioni i gjatë janë disa nga problemet e tjera, që trajton “Made in Albania”.

Në jetën artistike, për ju sa stimulohet dhe motivohet nga ana e shtetit, Ministria e Kulturës, komuniteti i artistëve?

Ministria e Kulturës sillet si drejtori kulturore dhe jo si institucion politikash. Për fat të keq në komunikimin me komunitetin e artistëve ka arrogancë, padije dhe mungesë e vizioni.

Jo pak kritika ka nga artistët ndaj Ministrisë së Kulturës dhe mbi mënyrën si bën shpërndarjen e buxheteve përmes projekteve për të cilat shpall thirrjen çdo vit për aplikim. Ministria flet për financime, por artistët sërish janë të pakënaqur këtë vit?

MK ka si strategji sasinë e projekteve të mbështetura dhe jo cilësinë e tyre. Ky nuk është raporti i duhur në art dhe kulturë. Buxheti për projektet mbetet i vogël dhe MK mbështet pothuaj 1 në çdo 2 projekte, por me shuma të vogla. Kjo nuk stimulon cilësinë, por sasinë. Ndoshta është një mënyrë për t’u mbyllur gojën të gjithë aplikantëve  dhe për të zvogëluar pakënaqësitë. E keni vënë re se si gjatë këtij viti disa zëra mjaft kritikë e kanë moderuar mendimin e tyre për MK? Tashmë po bëhen 4 vjet prej se MK i mori në dorë projektet artistike dhe nuk më ka rënë rasti të lexoj ndonjë raport vjetor mbi projektet, suksesin, ecurinë, specifikat, ndikimin tek audienca. Asnjë strategji nëpërmjet të cilës të mund të vlerësojmë se çfarë ka ndodhur në këto 4 vjet me projektet. Çfarë ka ndryshuar nga menaxhimi i projekteve në vitet 2000? Mendoj se shumë pak, pothuaj asgjë. Një problem tjetër i rëndësishëm është centralizimi i plotë i projekteve, një dëshmi tjetër kjo e mungesës së vizionit pasi publiku dhe kërkesa për të ndjekur projekte artistike nuk ekziston vetëm në institucionet kombëtare apo në qendër të Tiranës, por dhe në qytete madje dhe në provinca. MK së paku duhet ti kushtëzonte projektet e Tiranës të bënin repriza në qytetet kryesore të Shqipërisë. 

Vazhdoni të jeni kritik ndaj Teatrit Kombëtar. Për një regjisor si ju, çfarë duhet të ndryshojë në jetën artistike të këtij teatri?

Teatri Kombëtar ngjan me Ministrinë e Kulturës në shumë pikëpamje. Arrogancë në MK, arrogancë në TK. Mungesë idesh në MK, njësoj TK. Të shpall armik MK, të mbyll derën TK. Prodhimet artistike shoqërohen me zhurmë mediatike, por përmbajnë pak cilësi. Mendoj se asgjë nuk ka ndryshuar në këto vite. Njësoj si më parë kemi rrallë projekte të mira, të dobëta dhe shumë të dobëta. Mendoj se në këta 4 vjet teatri ka pësuar regres në cilësinë e regjisurës teatrore. Kjo vjen si rezultat i shijes se vjetruar që përcjell Bordi dhe drejtuesi i TK. Duhet të ndryshojë Bordi i TK. Sidomos në përzgjedhjen e repertorit duhet ekspertizë profesionale. Nuk mund të mohohet fakti se asnjë anëtar nuk ka eksperiencë praktike në teatër. Në Bordin e TK ka ekonomistë, gazetare, shkrimtarë, por asnjë nuk i takon komunitetit të teatrit. Shkurt ata nuk kanë bërë diferencë nga bordet e mëparshme. Skema e aplikuar vitin që kaloi për intervistimin e regjisorëve ishte një zgjedhje amatore  dhe poshtëruese për regjisorët shqiptarë. Për çudinë time kjo skemë nuk u aplikua sivjet për dy regjisorët e huaj që do punojnë sivjet në TK. Mungesa e dramës shqipe në TK ka ardhur edhe për faj të Bordit. Duke mos qenë njerëz të teatrit, Bordi i TK nuk ka aftësinë që prej leximit të dallojë dhe vlerësojë cilësinë e një projekti teatror që në letër. TK nuk është pronë e drejtorit. Ai zgjidhet të menaxhoje krijimtarinë e të tjerëve dhe jo të veten. Kur dikush zotohet  të marrë përgjegjësinë e drejtimit të një institucioni të tillë duhet ta bëjë llogarinë se do të jetë në shërbim të artistëve dhe jo e kundërta. Ndryshe ç’kuptim ka një drejtor në konflikt të përditshëm interesi. TK duhet të dalë nga izolimi. Po, TK është plotësisht i izoluar. Nuk merr pjesë as në asnjë festival ndërkombëtar. Nuk bën asnjë turne. Nuk shkon në asnjë qytet të Shqipërisë. Me statusin që ka TK e ka për detyrë të shkojë tek publiku i gjithë Shqipërisë, sepse e gjithë Shqipëria paguan për të. Duhen rishikuar të gjitha anomalitë, që ka shkaktuar e ashtuquajtura “reformë” në TK. Duhet analizuar çfarë të mirash dhe çfarë problemesh ka krijuar? A krijoi kjo “reformë” një cilësi më të lartë të produksioneve? Unë mendoj që jo. A e hapi TK me botën teatrore europiane  kjo “reformë”? Unë mendoj që jo. A e stimuloi dramën kombëtare kjo “reformë”? Unë mendoj që jo. A krijoi apo stimuloi kjo “reformë” individualitete të spikatura artistike? Unë mendoj që jo. Përse nuk hapet debati dhe të bëhet një vlerësim i këtyre indikatorëve, në mënyrë që ajo që është bërë gabim të ndreqet. TK duhet të jetë gjenerator i ndryshimeve jo vetëm për vehte, por për të gjithë sistemin e kalbur dhe jofunksional teatror shqiptar. A ka ndodhur kjo? Unë them jo.

Kritika keni pasur dhe ndaj Ministrisë së Kulturës në lidhje me politikën e saj ndaj Teatrit Kombëtar?

Pjesa me e madhe e problemeve në TK është shkaktuar nga injoranca në Ministrinë e Kulturës. Më kujtohet se para disa vitesh, MK nisi një seri konsultimesh me artistët e teatrit për të tërhequr mendimin e tyre mbi “reformën”. Prej asaj kohe nuk ndodh asnjë takim. Kjo ndodh sepse MK e konsumuar nga pushteti  nuk do të përballet me mendimin ndryshe, ajo e urren atë. MK thjesht nuk ka durim dhe dëshirë të shohë mullarin e gabimeve që është grumbulluar në derën e saj. Gabim ishte heqja e shpërblimit artistik që ndikoi shumë rëndë në gjendjen financiare të artistëve. MK duhet të kishte një skemë zëvendësuese pasi siç deklarohet, ajo është “shtëpia” e artistëve. Kritikave për këtë vendim të gabuar znj. ministre iu përgjigj me një argument nga mjekësia a thua se është Ministre e Shëndetësisë. Çmimi i biletës së teatrit (150 L) është aq denigrues për artistët. MK mund të kishte ndikim të drejtpërdrejtë për të mos lejuar këtë poshtërim që i bëhet punës dhe emrit të artistëve teatror. Të ardhurat nga biletat me ndikimin e MK mund ti ishin kthyer teatrove. Së paku në tre aspektet e mësipërme MK mund të kishte ndikuar për gjetjen e një zgjidhte. Kjo është arsyeja përse unë këmbëngul në faktin se MK nuk e ka kryer misionin e saj me politika dhe vizion në krah të artistëve dhe dinjitetit të tyre.

Jemi në muajt e fundit të vitit, nëntor, si kanë ndikuar politikat e Ministrisë së Kulturës në jetën artistike, çfarë impakti kanë pasur për ju?

E përmenda pak më lart se ka munguar krejtësisht informacioni se si politikat e MK kanë ndryshuar apo ndikuar në jetën kulturore të Shqipërisë. E përmenda më lart, vini re se si këtë vit të gjitha projektet e pavarura teatrore janë përqëndruar pothuajse tërësisht në skenën e TK. Ky është një tjetër hap i gabuar që tregon se MK nuk bën politika për hapjen dhe shpërndarjen sa më të gjerë të hartës teatrore .Teatri  duhet të shkojë cep më cep të Shqipërisë, duke qarkulluar produksionet. Kalendari i përbashkët kulturor me Kosovën përfundoi një flluske sapuni pasi  nuk u mbështet mbi një projekt afatgjatë dhe funksional. Fatkeqësisht kalendari i përbashkët me Kosovën u harrua dhe nuk prodhoi veçse pluhur mediatik. A nuk është kjo gjë një dështim i MK? 

Kemi ligjin e artit, është diskutuar jo pak dhe më parë. I mirë për ju, apo ka vend për përmirësime sërish?

Një nga aspektet më të rëndësishme të politikave kulturore të MK do duhej të ishin ligjet e reja ose rishikimi i ligjeve të vjetra. Mesa di unë MK nuk ka bërë asnjërën. Ligji i Artit ka nevojë për rishikim sidomos në aspektin e pjesëmarrjes së komunitetit artistik në vendimmarrje dhe strukturat e pavarura teatrore.

Ju me shfaqjet tuaja keni qenë dhe në skena të teatrove në rrethe, sa janë sot bashkëpunimet mes teatrove çfarë duhet bërë më tepër dhe si mund të ndikojë ministria?

Brenda një sezoni teatror  BASH -Art e shfaqi produksionin teatror “Made in Albania” në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Sarandë, Tetovë. Të gjitha këto pa asnjë mbështetje nga MK, e cila refuzoi mbështetjen. Unë kam bindjen se me politika të mençura MK të gjithë produktin teatror mund të ta kthejë në një fluks kulturor kombëtar. Vetëm një çast mendoni sa hapësira dhe mundësi më shumë do krijoheshin nëse çdo produkt teatror do bënte një xhiro kombëtare apo mbarëkombëtare. Nëse çdo shfaqje teatrore apo ngjarje kulturore do të bënte një turne mendoni sa do të rritej oferta kulturore jashtë Tiranës, në Kosovë dhe Maqedoni. Ndofta ka ardhur koha për themelimin e një Enti Kombëtar Teatror që nuk merret me prodhimin, por me shpërndarjen e produktit teatror apo kulturor nëpër gjithë hapësirën  shqiptare. 

Për ju si duhet të stimulohet dramaturgjia shqipe, vetëm me një apo dy projekte, apo duhet të ketë një politikë të vijim për stimulimin e saj?

Po ju rreshtoj disa ide në përgjigje të kësaj pyetje:

1-Konkursi i përvitshëm  mbarëkombëtar për dramën shqipe dhe botimi i fituesve.

2-Detyrimi i TK për të paktën dy produksione në vit me drama shqipe.

3- Status preferencial për projektet e pavarura teatrore me drama shqipe nga MK.

4-Festival mbarëkombëtar çdo dy vjet mbi dramën shqipe.

5-Laboratorët e dramës shqipe.

6- Rezidenca krijimtarie pranë teatrove për dramaturgët e rinj.

Kjo mund të ishte një paketë masash në shërbim të dramës shqipe dhe në vijim në bazë të rezultatit MK mund ti jepte më shumë prioritet njërës apo tjetrës ide.

Ka nisur puna për skenën e re, pra ai projekt i cili u prezantua gjatë muajit shtator. Sa i shërben teatrit për ju, jeni dakord me këtë projekt që u prezantua me shumë jehonë dhe nga Ministria e Kulturës?

Jehona mediatike është një taktikë, që MK përdor për ta bërë të kapërdishme çdo “arritje” të saj. Projekti “Turbina” që ka emrin e skuadrës së futbollit të Cërrikut është në fakt një Black BOX me shumë pak parametra të një salle teatrore profesionale. Unë isha në prezantimin e projektit. Ky projekt mu duk shumë modest krahasuar me projektin e rikonstruksionit të TKOB. Kam dyshime për cilësinë dhe parametrat akustike që mund të ketë salla. Së paku në prezantim nuk u paraqit ndonjë ide se si është zgjidhur ky aspekt. Nga pyetjet dhe komentet e të pranishmëve kuptova se për Turbinën nuk ka pasur asnjë konsultë me komunitetin teatror dhe as me institucionet teatrore. Mendoj se është e gabuar kjo strategji, që injoron ekspertizën e njerëzve të teatrit.

Intervistoi: Sot/ Julia Vrapi

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pas debatit Çuli-Ndrenika, reagon Dashnor Diko: Fjalën Artist duan ta rrëmbejnë dhe ata që s’kanë lidhje me Artin
SPEKTAKOLARE/ Artefakte të perandorit August zbulohen në Durrës (FOTOT EKSKLUZIVE) »
Article Logic
Execution time: 0.024462938308716
array(1) { ["section"]=> string(134) "altin-basha-ministria-e-kultures-nje-mullar-me-gabime-injorance-teatri-kombetar-totalisht-i-izoluar-dhe-poshterues-me-regjisoret-69778" }