Ansambli “Gëzuar” lihet jashtë Festivalit të Gjirokastrës: Na la indiferenca e Zhulieta Hasanit

Publikuar tek: kulture-art, më 16:56 07-05-2015 Ansambli “Gëzuar” lihet jashtë Festivalit të Gjirokastrës: Na la indiferenca e Zhulieta Hasanit

Ansambli i Këngëve dhe valleve “Gëzuar” është lënë jashtë Festivalit Folklorik të Gjirokastrës duke iu shtuar kështu listës me skandale të përjashtimeve të grupeve të njohura nga ky festival.

Kryesia e Ansamblit të Këngëve “Gëzuar”nëpërmjet një deklarate kanë akuzuar Drejtoreshën e Trashëgimisë Zhulieta Sina Harasani se i ka lënë jashtë këtij aktivitetit. Sipas këtij ansambli, gjithashtu koreografi i mirënjohur Xhemali Berisha, emri i të cilit njihet jo vetëm në botën shqiptare të folklorit dhe të etnologjisë por edhe në rajon, nuk ka marrë ende një ftesë nga organizatorët e Festivalit të Gjirokastrës.

Në vijim do ta lexoni të plotë reagimin e Kryesisë së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “GËZUAR” të Gjenevës:

“Indiferenca e pazakontë e Zhulieta Sina Harasanit na lë jashtë festivalit “GJIROKASTRA 2015″

“Bazuar në rezultatet tona të deritanishme, as që kemi mundur të mendojmë që do të ndodhë anashkalimi dhe  eliminimi ynë në heshtje nga kjo ngjarje e rëndësishme kulturore.

Serioziteti dhe përkushtimi në punë dhe dashuria e madhe për artin, kulturën e traditën e të parëve tanë kanë bërë që puna jonë të shpërblehet me mirënjohje dhe dekorata të shumta.

Ansambli ynë është fitues i festivalit “DITËT E DIASPORËS SHQIPTARE” në Berlin të Gjermanisë, më 2006. Prezantim të paharruar, e që ngelet gjatë në mendjet e njerëzve të kulturës, është edhe ai në Lyon të Francës, ku në praninë e dhjetëra diplomatëve të botës të akredituar në këtë vend dhe në praninë e shikuesve të shumtë francezë kemi prezantuar vlera të mirëfillta të këngëve dhe valleve tona burimore. I entuziazmuar nga ky sukses Ambasadori Fuqiplotë i Kosovës, i akredituar në Paris të Francës, prof.dr. Muhamedin Kullashi, ka shtruar drekë për të gjithë pjesëmarrësit e Ansamblit tonë dhe na ka ndarë mirënjohje. Kurse vitin e kaluar kemi qenë të ftuar nderi në pesëdhjetëvjetorin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve “SHOTA” të Kosovës.

Edhe në këtë ngjarje madhore kemi dalë shumë të suksesshëm. Paraqitjen tonë me notën më të lartë e kanë vlerësuar edhe bilbilat e këngës sonë burimore, zonjat e nderuar, Nexhmije Pagarusha, Shkurte Fejza dhe Shyhrete Behluli. Ndërkaq njëshi i valles shqiptare, z. Rexhep Çeliku, plot sinqeritet na ka përgëzuar, duke na porositur që këto vlera t’i transmetojmë edhe te gjeneratat e ardhshme. Në Gjenevë, ku e zhvillojmë aktivitetin tonë të përhershëm, të gjithë i njohin vlerat tona, për çfarë shumica e komunave të këtij kantoni në disa raste na kanë mbështetur dhe vazhdojnë të na mbështesin materialisht.

Më 2013 në Gjenevë, në festivalin “JAVA NDËRKOMBËTARE E TRASHËGIMISË KULTURORE”, ku kanë prezantuar gati të gjitha vendet e globit, kemi zënë vendin e pare, duke kënaqur shijet e të gjithë pjesëmarrësve. Punën tonë  të suksesshme e kanë pasqyruar të gjitha mediet, qofshin të shkruara apo vizive. Prandaj, mosprezenca jonë  në festivalin “Gjirokastra 2015″ na ka indinjuar tepër. Çka është komiko-trishtuese pa ftesë ka ngelur edhe koreografi ynë i mirënjohur Xhemali Berisha, emri i të cilit njihet jo vetëm në botën shqiptare të folklorit dhe të etnologjisë, por Berisha në lëmin e koreografisë është unikat dhe njihet edhe në vendet e rajonit.

Më 1986 në Dizhon të Francës në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit ansambli profesionist i këngëve dhe valleve “SHOTA” i Kosovës, në mesin e 58-të vendeve të botës, nën udhëheqjen e koreografit Berisha pati zënë vendin e dytë, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë. Prandaj, mosprania e njeriut më kompetent në këtë fushë në Festivalin Mbarëkombëtar “Gjirokastra 2015″ s’mund të quhet ndryshe veçse krim mbi kulturën.

Ne si ansambël gatishmërinë për të qenë pjesë e festivalit “Gjirokastra 2015″ e kemi shprehur duke vënë në dijeni zonjën Zhulieta Sina Harasani, drejtoreshë e përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor pranë Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, pse-hin e mospërgjigjes dhe injorimin tonë në heshtje e kërkojmë nga zonja Harasani”, thuhet në reagimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “GËZUAR” të Gjenevës.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Virgjëresha e Betuar” rrëmben një tjetër çmim në festivalin e San Francisco-s
Vjen premiera e filmit të restauruar “Përrallë nga e kaluara”, sot në kinema »
Article Logic
Execution time: 0.029250860214233
array(1) { ["section"]=> string(98) "ansambli-gezuar-lihet-jashte-festivalit-te-gjirokastres-na-la-indiferenca-e-zhulieta-hasanit-10592" }