Arba Kokalari, në PE pa votat e shqiptarëve

Publikuar tek: analiza-komente, më 19:11 27-05-2019 Arba Kokalari, në PE pa votat e shqiptarëve

Nga Arben Vata

- Ja të vërtetat e suksesit të mbesës së Musinesë

Në kushtet kur në Shqipëri, Europë dhe madje edhe në USA, ka shpërthyer një valë e pa përshkruar hareje mes shqiptarësh për fitoren e Arba Kokalarit si deputete e djathtë suedeze për në Parlamentin Europian (PE), mendova se është e nevojshme të jemi të përmbajtur dhe mbi të gjitha të mësojmë disa të vërteta, përpara se suksesi i Arbës të na duket si sukses i përbashkët, apo për më tepër sukses politik i Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë.

Lajmi, sipas meje, nuk është që një zonjë shqiptare zgjidhet në Suedi si deputete e PE, por fakti që zonja është pasardhëse e një nga figurave të njohura antikomuniste në Shqipëri. Siç shumica e dinë, ajo është pinjolle e Musine Kokalarit, e cila pati një histori të hidhur gjatë regjimit të Enver Hoxhës, histori e cila mesa duket ka lënë gjurmë edhe në formimin ideologjik të Arbës. Megjithëse u rrit në Suedi, ajo përqafoi herët idetë e partive të djathta (Moderaterna), ngjyrat e së cilës Arba do ti përfaqësojë edhe në Bruksel në grupin e Partive Popullore (EPP).

Po pse nuk është lajm që një shqiptare shkon në PE?

Nuk është ky lajmi, jo sepse Arba nuk është shqiptare (këtë nuk mundet askush ta vërë në dyshim), por për një arsye tjetër; sepse Arba shkoi në Bruksel në fakt pa votat e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Suedi. Ajo u votua deputete e PE, me votat e suedezëve.

Do mundohem ta argumentoj këtë si vijon:

1- Nëse ju kujtohet, 5 vjet më parë Arba ndërmori një tur mediatik në Shqiperi, nga ku kërkoi votat e shqiptarëve të Suedisë për në PE. Ajo takoi edhe liderët politikë të të gjitha krahëve, por siç dihet mbështetja e sinqertë që ajo kërkoi, nuk i erdhi në vitin 2014. Nisur nga ky zhgënjim, në zgjedhjet e kësaj radhe ajo nuk i bazoi shpresat në votat e shqiptarëve të Suedisë, por në votat e suedezëve, sidomos të rinjve.

2-Një tjetër arsye për këtë, ishte edhe fakti se në garë për një mandat deputeti në PE ishte kësaj radhe edhe shqiptari tjetër, Adnan Dibrani, i cili garonte për të majtët (S). Shqiptarët që jetojnë prej vitesh në Suedi, sipas preferencave partiake dhe personale, bënë thirrje të veçanta për të mbeshtetur Arbën ose Adnanin, megjithese për hir të së vërtetës Adnani ishte nr 10 i S dhe kishte më pak shanse për tu zgjedhur. (Partia S merr zakonisht 5 vende në PE, kurse M e Arbës 3-4 vende). Shqiptarët me të drejtë vote në Suedi janë disa dhjetra mijë dhe fakti është që nëse keto vota do të ishin të personalizuara, do ta kishin çuar Arbën në PE qysh në vitin 2014.

3- E vërteta tjetër është që shumica e atyre shqiptarëve që votuan, mbështetën publikisht Adnan Dibranin, siç thanë ata publikisht, për shkak të lidhjeve të tij më të ngushta me komunitetin shqiptar në Suedi.

4- Nga ana tjeter, shumica e shqiptarëve në Suedi (të Shqipërisë dhe Kosovës), njihen për afeksionin e tyre për të majtën dhe ky është një argument tjetër që Arba ka fituar vetë, jo me votat e shqiptarëve.

5- Për më tepër siç dihet, shumë shqiptarë nuk shkojnë fare për të votuar kur shikojnë se një pjestar i komunitetit të tyre mund të ketë sukses. Xhelozia nuk është një tipar i huaj ndër shqiptarë.

Modestisht, sipas meje, këto janë disa arsye se përse nuk mund të themi se Arba është një deputete shqiptare në Bruksel; aq më tepër nuk kemi pse mburremi sepse ne nuk kontribuam që ajo të zgjidhet. Arba e fitoi vetë këtë dhe e meritoi suksesin politik, pa ndihmen tonë. Si një zonje suedeze, jo si shqiptare, pavarësisht sesi ajo ndihet.

Pavarësisht sesi na pëlqen ne të mendojmë, ajo përfaqëson një parti suedeze në PE dhe do të mbrojë e përfaqësojë politikat e saj. E sigurtë, për ata që e njohin, është se Arba është po aq antikomuniste sa Musineja.

Suksese Arba! Gëzoju asaj që ti arrite vetë, pa ne!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068871974945068
array(1) { ["section"]=> string(49) "arba-kokalari-ne-pe-pa-votat-e-shqiptareve-165915" }