Arsimi i lartë në Shqipëri - kaos i ligjëruar

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:55 14-09-2016 Arsimi i lartë në Shqipëri - kaos i ligjëruar

*Nga Prof.Ervin Goci për newsbomb.al

Është  bërë zakon tanimë që komunikimi me publikun për çështje të rëndësishme bëhet nëpër “talk-show” dhe jo në rrugë zyrtare, institucionale. I tillë është dhe rasti i procedurave për pranimin në Universitete, ku të gjithë befasojnë të gjithë nëpër programe televizive, mbi disa vendimarrje që duheshin komunikuar me publikun e interesuar direkt apo indirekt  për pasojat e pritshme, ndërkohë që po mbizotëron logjika e komshinjve në lagje, kur njëri  i thotë tjetrit në folkun e përditshmërisë “ ta kam thënë, po nuk e mban mend”. Kjo logjikë shkon në lagje, por jo në komunikimin publik.

Në programe televizive është marrë vesh, që Fakulteti i Mjekësisë paska zgjedhur të mos i marrë në konsideratë mesataret e lëndëve me zgjedhje, që mos të krijojë pabarazi mes konkurentëve, po ashtu në televizor u morr vesh që Universiteti i Durrësit ka vendosur arbitrarisht t`i llogarisë pikët e kandidatëve bazuar në mesataren e ponderuar, dhe për këtë fakt u quajt si më origjinali nga të gjithë Universitetet, njëfarë “Miss-i  i Universiteteve”, po ta vulgarizojmë...

Ajo që u vulos mbrëmë në formë definitive në debatin e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, është se zyrtarisht sistemi arsimor në tërësi, është në një kaos pa krye. Të gjithë kanë shpallur Republikë më vete, dhe sistemi është shqyer në dhjetra interpretime sipas interesave të gjithsecilit, ku Universitetet Private kërkojnë barazi me Universitetet Publike në kushte të pabarabarta në favor të tyre, ku disa “yje” të Universiteteve Publike, shpallin pa teklif krenarinë e tyre se kanë gjetur formulën magjike për të prodhuar drejtësi, Universiteti i Durrësit ka gjetur një model tjetër interesant me ponderim për të prodhuar drejtësi si një formë decentralizimi lokal, departamente tjera mesa kuptohet (gjithmonë nga televizori ) ndjekin më me fanatizëm një model të unifikuar më kombinimin e të dyja mesatareve. E gjithë kjo katrahurë nga Ministria Arsimit quhet “Autonomi”.

Kjo nuk është autonomi dhe nuk ka asnjë lidhje me autonominë! Kjo është pastërtisht kaos, dhe kaos i çertifikuar nga një institucion shtetëror. Ministria po pranon publikisht që e ka futur tërë sistemin në kaos, duke i lënë Universitetet të improvizojnë sipas fantazisë së tyre, me zgjidhje që gjithsecili i konsideron të volitshme.  

Një logjikë e cekët mund të mendojë, që; ” ja atyre që kanë konkuruar mjekësinë  u është e dhënë e drejta, se gjithsesi më të mirët kanë vajt atje” - ata me mesataren më të lartë.  Ndoshta (megjithëse kjo mbetet shumë për t`u diskutuar) po e sigurt është se relativizimi i kritereve jo në përmbajtje, por në procedurë ka prodhuar pabarazi në tërë sistemin.

Nëse flitet për autonomi të Universiteteve, autonomi nuk do të thotë t`ia këpusësh sipas qejfit me procedura arbitrare, por të prodhosh politika rekrutimi që sjellin në fakultete në rradhë të parë studentë që kanë interes real dhe aftësitë  për ato degë për të cilat kanë aplikuar, dhe jo të “shkëlqyer” me dhjeta.

Autonomi nuk do të thotë t`ia veshësh sipas yryshit, por do të thotë të projektosh  një cikël studimi ku të ketë përputhje të plotë mes interesave të Departmenteve dhe  interesave  të studentëve.

Ku është autonomia, kur i gjithë sistemi është i përcaktuar në mënyrë autoritare nga Ministria nëpërmjet Ligjit të Ri të Arsimit të Lartë, dhe kur fakulteti  detyrohet t`i numërojë studentët sipas kuotave financiare që ata sjellin në Universitet?!

Ku është autonomia, ku për të ndryshuar një kurrikul, duhet të shkojë historia deri në Rektorat?!

Ku është autonomia, kur të gjitha politikat financiare, do të kryhen nga një agjenci e centralizuar, që i asociohet Ministrisë?!

Ku është autonomia, ku në Universitetet Publike, për të ndryshuar dy brava të duhet të bësh tender?!

Autonomia në këtë rast, është thjesht një hile për t`ia kaluar përgjegjësinë Fakulteve të veçanta, duke e spostuar vëmendjen,ndërkohë që në mendimin tim, me këtë sistem fakultetet duhet të refuzonin që të nxirrnin listat, kur kriteret ishin të paqarta, linin vend për arbitraritet, dhe mbi të gjitha qartësisht përmbysin meritokraci.

Ky sistem  - që nuk është sistem, por është sistem, se i godit të gjithë në sistem  -   duhen shfuqizuar urgjentisht, se po shkatërron të ardhmen e brezave të tërë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.017689943313599
array(1) { ["section"]=> string(49) "arsimi-i-larte-ne-shqiperi-kaos-i-ligjeruar-52882" }