Artan Fuga: Nuk ka ngjarje, as lajm nga Mapoja

Publikuar tek: analiza-komente, më 00:28 17-01-2017 Artan Fuga: Nuk ka ngjarje, as lajm nga Mapoja

Nga Artan Fuga: 

Unë nuk e kuptoj fort mirë se ku është problem kontrolli mediash dhe lirie shtypi kur pronari i mediave Mapo nuk rinovon kontratën me ish drejtorin e gazetës Mapo!

Censura dhe kontrolli i mediave është gjetiu! Mos krijoni as heronj, as viktima, kur nuk ka të tillë.

A mos valle ish drejtori i Mapo-s ishte një person që zbatonte një vijë editoriale të pavarur nga pronari i tij kur ishte i punësuar atje si drejtor?

Nuk e ka shprehur gjëkundi këtë zgjedhje as kulturë dhe as strategji editoriale.

Apo të pavarur nga politika?

Nuk besoj se ndonjë gazetar, pedagog, a bashkëpuntor vullnetar, i vjetër apo i ri, bënte dot shakà të dilte nga linjat e vijës politike të Mapos!

Në vijat themelore monitorimi që bëjnë studentët në punë të pavarur tregon se statistikisht kjo nuk ishte e mundur.

Asnjë e dhënë shkencore nuk na flet për një politikë pavarësie deritani.

Nëse Mapoja forcon përkrahjen ndaj kryeministrit Rama dhe i ul peshën e përfaqësimit atje të liderëve të tjerë politikë, këtu kemi të bëjmë me një riorientim politik editorial të kësaj gazete dhe të këtyre mediave, por jo një problem me lirinë e mediave brenda Mapos.

As më shumë dhe as më pak pavarësi nga pronarët, nga aksionerët, nga reklamuesit, nga kontribuesit, nga politika në përgjithësi.

Kemi të bëjmë me një problem me komercializimin e interesuar të hapësirave mediatike ndaj politikës, por jo një problem me pavarësinë e mediave ndaj pronarëve dhe politikës.

Doktrinë liberale e pastër, hiç puniste ! Oferta i përgjigjet kërkesës më të mirë në treg!

Tjetër është ndryshimi i një kahu politik i një mediaje, dhe tjetër problemi i pavarësisë së saj si media.

Nuk dua t’i fus në një thes.

Pavarësia e mediave nuk zgjidhet me persona, me emra të përveçëm, por me një strukturë të mirëmenduar të pronësisë, të transparencës financiare, të statusit të gazetarit, etj.

E kush tha se me drejtorin e ri Mapoja nuk do të luaj njëherë majtas dhe një herë djathtas!

Mos t’i rrëshkasi këmba kryeministrit Rama, se do ta shohi mirë si do t’i a hedhi në rrugë Mapoja të gjitha tepricat që ka në magazinë.

Burri, luan, edhe Mapoja luan, edhe muri luan.

Sikur nuk e di ai xhanëm!

Censurim i mediave? Po, patjetër, mediat janë të sipërçensuruara, por nuk jemi naivë të vemë gishtin te ish drejtori i Mapos si viktima e censurimit në media.

Atë e pyesin si është puna? Ai deklaron se çdo gjë është normale, mbaroi kontrata.

Cfarë mbrojtje ka nevojë ai politikisht dhe moralisht kur ngjarjen vetë ai e quan si një marrëdhënie e thjeshtë pune. Kontratë.

Madje vazhdon të mbetet brenda strukturave të Mapos.

Ik nga Mapua dhe shkon te Mapoja.

Si me një drejtor si me një tjetër, si me drejtor si pa drejtor, veç një media të pavarur nga pronari, nga politika, nga qeveria, nga influenca e të fortëve në politikë nuk ka pasur dhe nuk ka atje.

Sa për dijeni, sikurse e kam shprehur, Mapon unë nuk e lexoj.

Sigurisht, aq më keq për mua.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023566007614136
array(1) { ["section"]=> string(50) "artan-fuga-nuk-ka-ngjarje-as-lajm-nga-mapoja-65724" }