Artan Lame: Pushtetarë të majtë e të djathtë në sitën e kontrollit të pronave në bregdet

Publikuar tek: barometri, më 08:18 30-03-2018 Artan Lame: Pushtetarë të majtë e të djathtë në sitën e kontrollit të pronave në bregdet

Artan Lame, drejtori i Aluiznit dhe tashmë në mbikqyrjen e njësisë së verifikimit të pronave, sidomos atyre në bregdet për të cilat eshtë ngritur edhe një Task Force, tha se do të bllokohet regjistrimi I titujve të pronësisë në hipoteka deri në verifikimin e plotë. Ai tha se ata që kanë dhënë tituj pronësie në këto prona, janë pushtetarë, të majtë e të djathtë, që kanë firmosur vendimet për dhënien e titujve të pronësisë që do të hyjnë në skaner. Intervistën Artan Lame e dha te Ertv.

Pse e morët vendimin në këtë moment?

Sikur ta kishim marrë këtë vendim para 10 vjetësh, dëmi do ishte më i vogël, sikur para pesë vjetësh dëmi do ishte më i madh, por sërish më i vogël. Sikur të merrej pas pesë vitesh, do ishte me pasoja të parikuperueshme. Kjo është në të mirë të vendit, e pronarëve dhe zhvillimeve të mëtejshme. Thelbi i vendimit është ky: në zonën bregdetare të vendit, nga Buna deri në Kepin Stillo, të pezullohet regjistrimi në hipoteka të titujve të pronësisë i ndarë me ligjin 7501. Në 7 instanca që duhet të verifikonin në gjithë këto 20 vjet (sepse në 5-6 vitet e para 7501 për ndarjen e tokës ka funksionuar), procesi ka dështuar. Pas vitit 2000 kur filluan të ndaheshin ato që s’duheshin ndarë, filtrat nuk kanë funksionuar asnjëherë, prandaj mora periudhën 20 vjecare si referencë.

Hipoteka ka disa vjet që jep sinjalin se ka porbleme. Në një moment të caktuar, kjo problematikë u bë shumë e dukshme, qoftë nga auditet e qeverisë, qoftë nga goditjet e organeve të ndryshme si prokuroria, apo raportet e KLSH, saqë askush nuk mund të mbyllte më sytë. Dhe në këtë moment ishte e domosdoshme ndërhyrja e qeverisë.

Gjithë bregdeti është i paregjistruar. A keni një panoramë të qartë?

Arsyeja ka qenë e thjeshtë: në çdo kilometër bregdet të Shqipërisë, më tepër se dy të tretat janë të paregjistruara: për të bërë të mundur masakrën me pronën në bregdet. Sepse aty është joshja më e madhe. Sepse aty është interesi. Nuk është në Tropojë apo te Mali i Tomorrit. Dhe për këtë është lënë jashtë sistemit të regjistrimit.

Sa do të zgjasë procedura dhe cila është garancia që nuk do bllokohen pronarët e ligjshëm?

Në Shqipëri, ligji nuk është më garanci qoftë edhe për një arsye të thjeshtë në rastin konkret. Kemi një ligj për verifikimin e titujve të pronësisë miratuar në 2008 nga qeveria e mëparshme. Por ligjin e lanë aty dhe bënin ç’të donin. Në rastin konkret, është vullneti i qeverisë që përtej ligjit, u bë bllokimi për t’i kontrolluar, para se të shkohet në filtrin e fundit.

E thashë garanci, për të thënë se nuk mjaftojnë ligjet, sidomos në vende me sistem ligjor problematik të paplotësuar apo të mbivendosur, po nuk qe dhe vullneti i qeverisë nuk ndodh gjë.

Ishte vullneti i qeverisë që e kërkoi këtë gjë me ngulm, qoftë edhe përpara një hutimi fillestar të publikut. Qoftë edhe një frike momentale. Garantoj njerëzit për një gjë: fasha bregdetare që është përzgjedur për t’iu nënshtruar kontrollit, është detajuar aq me bisturi, për të ndarë zonën e brendshme të vendit ku fermerët e fshatarët kanë marrë tokën reale, nga fasha bregdetare që është keqpërdorur.

Kushdo që e ka marrë me rrugë të ndershme, do të vazhdojë punën dhe ne u themi “puna e mbarë”.

PD e konsideron antikushtetues këtë nismë sepse thotë se po hiqni titujt e pronësisë…

Ne nuk kemi hequr asnjë titull pronësie. Vendimi i qeverisë thotë se kemi një ligj dhe që zbatohet procedurialisht me VKM. Kjo VKM e ndryshuar thotë se, në VKM zbatuese, pezullohet zbatimi sa të bëhet verifikimi. Nuk ka ndryshim ligji. Eshtë pezulluar veprimi i VKM për një moment dhe askujt nuk i është hequr titulli i pronësisë.

Vetë qeveria paraardhëse bëri një ligj për këtë punë. Pikërisht se e pa se ishte mahisur shumë plaçkitja e bregut.

Pse nuk funksionoi?

Nuk funksionoi për arsye politike. E filluan mirë, e panë se dilte ky apo ai, dhe e lanë fare këtë punë. Dhe një teknike, që nuk mund të prekej gjithë Shqipëria.

Si do të zgjidhet problem i atyre që e kanë blerë në mirëbesim dhe toka ka kaluar nga njëra dorë në tjetrën?

Kush ka blerë në mirëbesim, është në gjendje mirëbesimi. Nëse ke blerë send në mirëbesim atëherë sendi i rikthehet të zotit real dhe ti do të marrësh nga ai që ta ka shitur, paratë. Por kjo nuk do të jetë zgjidhja.

Do të ketë një numër gjyqesh dhe aktesh të ndërmjetme. Sepse ka situatë problematike. Por dikush do të mbajë përgjegjësi dhe ata që e kanë bërë të parët do të mbajnë përgjegjesi. Rrugë të tjera zgjidhje për të penalizuar atë që e ka bërë aktin i pari pa shqetësuar të tjerët.

Do të ketë edhe zyrtarë të PS, përfaqësues të PS?

Hetimet kanë treguar edhe perfshirjen e përfaqësuesve të majtë në këtë cështje. Krimi nuk ka ngjyrë. Krimi është i zi. Nuk besoj se ka ndonjë parti në Shqipëri që do mbronte ata që kanë vjedhur. Nga hierarkia e atyre që do penalizohen, do penalizohen ata me dokumenta false. Nuk firmos kryeministri për tokat në bregdet, as Edi Rama, apo Sali Berisha. Ka një nivel të caktuar të administratës deri te kryetarët e bashkisë apo zyrtarë lokalë që do të mbajnë përgjegjësi.

Pra do të shtetëzohen këto prona?

Nuk ka shtetëzim pronash. Pronat e tjetërsuara do t’i kthehen të zotit, dhe ky është shteti shqiptar. Shteti shqiptar jemi unë dhe ti. Nuk është se do të shtetëzohen pronat. Ato do ti kthehen komunitetit. Përdorimi i tyre në parim ka dy aktorë të fuqishëm. Një eshtë procesi i kompensimit të ish-pronarëve që vazhdon të mbetet problem dhe një legjislacion që nuk është mbyllur asnjëherë.

E dyta është, investimet në zonat bregdetare. Flasim për investitorët e fuqishëm, por ku të shkojnë këta investitorë. Dje e paraqita me harta dhe thashë më gjeni në këtë hartë bregdet se ku ka toka të pashqyera dhe themi të zhvillojmë turizmin. Ky proces, në dëmet më të mëdha që ka bërë ka bërë edhe copëzimin e parcelave në disa nivele. Dhe për sa kohë është krijuar kjo fashë që i merr frymën cdo lloj zhvillimi turistik, do vazhdojë historia si puna e atij investitorit që e rrahën me kopace pas kokës kur tha se do t’i shkonte kësaj pune deri në fund.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.032227039337158
array(1) { ["section"]=> string(94) "artan-lame-pushtetare-te-majte-e-te-djathte-ne-siten-e-kontrollit-te-pronave-ne-bregdet-115021" }