Themelimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar

Publikuar tek: dossier, më 10:12 23-12-2015 Themelimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar

Nga Karl Gurakuqi

Shkëputur nga ditari i tij…

Ditar

Themeloj Bibljotheken Kombtare-28 nanduer 1922

Mbasi asht kthye në Tiranë nga Salzburgu ku kishte qene per vizite, Karl Gurakuqi, „ me 10 nânduer 1920, u vûna me shtrue relacjonin mbí misjonin t’em n’Austrí të pjekjes me prof. Patsch-in ashtu edhe rregulloren e bibljothekës (30 faqe të daktilografueme), e cila në vjetin 1922 (shif mâ tutje) vlefti si bazë për krijimin e Bibljothekës Kombtare.

Sikurse u tha në f. 413 të këtij ditari, unë shkova n’Austrí në vjetin 1920 (korrik) për të studjue organizimin e bibljothakavet mbassi i kishim vû themelet bibljothekës së ministrís me librat e ish-komisis letrare të Shkodrës, qi unë i solla prej Shkodre në Tiranë. Rexhep Mitrovica, ministri i arsimit ishte njerí i kuptueshëm, puntuer i palodhëshëm; e kishte shum për zemër përparimin e vendit me anë veprash kulturore, me hapje shkollash, me botim librash dhe rivístash.

Nën dikasterin e tij i u dha rrugë botimit t’organit të ministrís s’arsimit me titullin “Revista Pedagogjike”, numri i parë i së cilës doli me 1 shtatuer 1922, nën drejtimin e Salih Çekës, e mbas këtij, për nji kohë të shkurtë, nën atë të Nebil Çikës. Në vjetin 1925 e mora unë drejtimin, të cilin e mbajta për tre vjetë deri në fundin e vjetit 1927.

Rexhep Mitrovica e shpërnguli ministrín e arsimit nga shtëpija e Selim Stërmasit, e pa-dêjë për nji ministrí, në shtëpin e Abdi Toptanit, në Rrugën “Pjetër Bogdani”, të cilën mâ vonë e bleu italjani Viansone, qi e shendrroi në hotel-restaurant “Hotel Continental”, e qi mâ vonë në vjetin 1943, u vendos komanda e ushtrís gjermane, ku e kishte zyrën komandanti i ushtrivet SS, gjeneral Fitztum.

Shtëpija ishte e gjânë, me shum oda poshtë e nalt, me nji kopësht të madh përpara. Në pjesën përdhese ishte nji salon i madh nga ana e rrugës. Këtu patëm vendosë librat e bibljothekës s’arsimit, nji bibljothekë e vogël, por mjaft e pasun, për atëherë, me botime shqipe, sidomos me ato të botueme në Shkodër nga të trí shtypshkrojat e qytetit: “E Papërlyemja”, “Françeskanja” e”Nikja”; këto botime i kishem pasë mbledhë unë në Shkodër. Ndër këto bâjshim pjesë kolekcjonet e plota të revistavet “Elçija e Zemrës së Krishtit” dhe Zâni i Shna Ndout”.

Me ministrin e poqëm mendimin qi kjo bibljothekë të bahej botore e të pagzohej “Bibljothaka kombtare”. Mbassi u pasunue edhe me vepra tjera, të cilat shkojshem tue i lypë andej e këndej nepër privatë(Unë vetë i dhurova dyqind libra nga bibljotheka e eme private.)e nepër zyra, me 28 nânduer 1922 u bá inaugurimi zyrtár, ku muerën pjesë të gjitha auktoritetet, tue nisë prej ministravet, e nji shumicë populli. Fjalimin e rasës e bâni Rexhep Mitrovica e, fill, mbas tij, fola unë, tue theksue rândsin qi kanë bibljothekat për kulturën e njij populli. Drejtimin e bibjothekës e mbajta unë përkohësisht derisá u êmnue Visko Babatasi.

Prof. Karl Patsch në Tiranë-Themelimi i muzeut kombtar

Nji veprimtarí e gjallë vijon në ministrín e arsimit

Ministrija e arsimit, nën drejtimin e Rexhep Mitrovicës, shkroi fletë të paharrueshme në historínë kulturore të Shqipnís, Sikurse u tha në fqq. 4115-417 të këtij ditari, në vjetin 1920 ishem takue në Vjenë me prof. Karl Patsch-in, i cilí proponimit qi i bâna për krijimin e njij muzeu kombtár në Tiranë, i pat përgjegjë “se nuk i kishte ardhë ende koha”; me gjith këtê, do ta studjonte çâshtjen e do të rrînte në marrëdhânje me ministrín e arsimit të Tiranës.

Në fundin e vjetit 1922 ministrija thirri në Tiranë prof. Patsch-in për të bisedue gojarisht çâshtjen e krijimit të muzeut. Në Ministrí vetëm unë flitshem gjermanisht, kështu qi krejt barra e ndërmjetsimit dhe e punimit me tê rá mbí mue, përveç përkthimit të raportevet, qi ai gadi çdo ditë i parashtronte ministrís; më duhej prá me punue edhe natën.”

*Publikuar nga studiuesi Romeo Gurakuqi.

Article Logic
Execution time: 0.0024499893188477
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-28396" }