Numri i të përndjekurve nga Ish-Sigurimi jo më një sekret, SHISH deytrohet të deklasifikojë informacionin

Publikuar tek: aktualitet, më 18:11 18-11-2016 Numri i të përndjekurve nga Ish-Sigurimi jo më një sekret, SHISH deytrohet të deklasifikojë informacionin

Gjykata Administrative e Tiranës urdhëroi Shërbimin Informativ Shtetëror që të deklasifikojë informacionin mbi numrin e personave që përndiqeshin nga ish-Sigurimi i Shtetit në dekadën e fundit të komunizmit-të dhëna që deri më sot janë konsideruar “sekret” dhe janë mbajtur të kyçura në arkivë.

Vendimi u dha më 17 nëntor nga gjyqtari Gentian Hamiti, duke i dhënë të drejtë një beteje tetëmujore të BIRN Albania me Shërbimin Informativ-SHISH, për dokumentet që mbahen ende të klasifikuara, por që i shërbejnë medias dhe opinionit publik për të hedhur dritë mbi metodat famëkeqe të përndjekjes së qytetarëve shqiptarë nga policia sekrete e regjimit komunist.

Më 6 mars 2016, gazetari Gjergj Erebara i BIRN Albania i kërkoi SHISH përmes një kërkese për të drejtë informimi analizën vjetore të Sigurimit për vitet 1980-1989 dhe numrin e personave të ndjekur për figura të ndryshme armiqësore, referuar dosjeve të kategorisë 2A për të njëjtën periudhë.

SHISH refuzoi të japë informacionin e kërkuar, duke pretenduar se ligji 8043 i vitit 1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” e ndalon atë që të japë dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit.

Përgjigja negative u ankimua fillimisht te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe pas u dërgua në gjykatë, pasi SHISH refuzoi në vazhdimësi të jepte informacionet e kërkuara.

Pasi shqyrtoi aktpadinë e BIRN, gjyqtari Hamiti doli në konkluzionin “se pretendimet e SHISH për klasifikimin e këtyre dokumenteve si sekret nuk qëndrojnë”. Gjykata e detyroi SHISH të deklasifikojë informacionet dhe t’i vërë në dispozicion të BIRN Albania.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Tiranës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i hap rrugën detyrimit të Shërbimit Informativ Shtetëror që të ndërmarrë procese serioze deklasifikimi dhe publikimi të dokumenteve të periudhës së komunizmit, por edhe të atyre që mund t’i përkasin historikut 25 vjeçar të SHISH si institucion më vete.

Article Logic
Execution time: 0.0023131370544434
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-59977" }