Si t’i pëgjigjemi komedisë së PS-PD-LSI me reformën zgjedhore

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:12 10-12-2016 Si t’i pëgjigjemi komedisë së PS-PD-LSI me reformën zgjedhore

Nga Afrim Krasniqi

Në dhjetor 2015 parlamenti ngriti komisionin për reformën zgjedhore me mandat 6 mujor. Komisioni u mblodh dy herë, nuk mori asnjë vendim dhe nuk pati asnjë rezultat. Në qershor 2016 parlamenti vendosi të shtyjë mandatin me 6 muaj të tjerë. Kanë kaluar 6 muaj, komisioni është mbledhur 2-3 herë, nuk ka asnjë vendim dhe natyrisht asnjë rezultat. Tani parlamenti ka në rend ditë shtyrjen edhe 60 ditë të mandatit të komisionit. Dhe siç ndodh rëndom, palët kryesore politike, përdorin ditët e fundit të mandatit, jo për të bërë reformë, por për të akuzuar njëra tjetrën për pengim të reformës. Në fakt, dy palët kryesore (PS-PD) plus pala e tretë (LSI) kanë të drejtë: me qetësi dhe konsensus kanë bërë gjithçka që të mos ketë reformë zgjedhore. Nuk pyetën për rekomandimet e ODIHR, as për raportet kritike amerikane dhe të BE, as për rreth 200 faqe propozime të detajuara të shoqërisë civile, as për presionin e medias dhe mbi të gjitha, as për kërkesat në rritje qytetare për reformë dhe sistem më funksional përfaqësues. Ata e kishin ndarë mendjen, - nuk do ketë reformë. Komedia kërkonte ca akte dhe aktet u bënë qetë e qetë, në tryeza të shumta “konsultative”, në intervista dhe lojë fjalësh përpara kamerave televizive. Në fund....lajm u bë i qartë: nuk do ketë reformë serioze, sepse “nuk ka më kohë”.

Nuk ka surprizë. Dihej që në fillim. Komedia komedi mbetet. Por për të parë tej retorikës dhe mosbesimit të Taulantit, Oerdit, Petritit e anëtarëve të tjerë në komision, ne duhet të dalim jashtë sallës së komedisë dhe të shohim sesi të tjerët i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre edhe në çështjet zgjedhore. Nuk po marr shembull Italinë, Slloveninë, Kanadanë, dhe shumë shtete të tjera, të cilat zhvilluan referendume për sistemin zgjedhor, por po marr rastin më të freskët, Bullgarinë. Vendi më në lindje nuk priti të merren vesh shefat e politikës për reformën zgjedhore, përfshirë financimin, por zgjodhi atë që përbën mekanizmin më serioz dhe përfaqësues në demokraci: referendumin. Më 6 nëntor bullgarët votuan për financimin 1 levë – 1 votë për partitë politike. Tabela tregon rezultatin. Shqiperia nuk mund te jete "si gjithe Evropa", per me teper, nuk mund Gjermani, Britani, France apo Itali, por Bullgari edhe mund te jete, te pakten ne nje ceshtje te tille te vullnetit politik dhe standardit demokratik!

Po ne, në Shqipëri, përse nuk mund të kemi një referendum për sistemin zgjedhor? Që qytetarët të vendosin nëse i duan listat e hapura apo të mbyllura, nëse do vijojnë me deputetë të emëruar nga shefi apo të votuar edhe nga zgjedhësit, nëse duan financim nga shteti apo nga biznesi i kanabis, nëse duan sistem proporcional rajonal apo kombëtar, nëse duan formula të ndryshme të ndarjes së votës në koalicione dhe midis koalicioneve apo do vijojmë me sistemin diskriminues të vendosur në kthesat e fshehta të Sheratonit, Rognerit apo Lalzit? Natyrisht qytetarët nuk janë ekspertë të zgjedhjeve siç janë “ekspertët” që kemi në parlament, por qytetarët janë imun nda konflikti i interesit, krejt ndryshe nga “ekspertët politikë” në parlament. Këta të fundit duan sistem për veten e tyre, jo për qytetarët, ndaj edhe nuk pranojnë sugjerimet nga jashtë, nuk bëjnë mbledhje as respektojnë afate, nuk bëjnë ndryshime dhe as nuk lejojnë referendume. Dhe në fund të ditës ne kemi vetëm votën formale, e cila na devijohet sipas skemave abuzive 2-3 partiake, në modelin e thënies së famshme të Stalinit, - nuk ka rëndësi kush voton, por kush numëron.

2017 e humbi shansin të ketë reformë zgjedhore reale. Nuk do të mund të votojnë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit, nuk do të ketë transparencë reale në burimet e financimit, nuk do ketë largim të politikanëve të inkriminuar nga fushata, nuk do të ketë kushte të barabarta votimi e numërimi për partitë jashtë dy koalicioneve të mëdha, nuk do të ketë garë reale me më shumë se midis dy blloqeve të mëdha, nuk do të ketë garanci se vota do numërohet e administrohet siç duhet, dhe me siguri, do të ketë kontestim post zgjedhor të rezultateve.

Çfarë mbetet në fund? Rreth një shekull më parë u tha shprehja “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”. I referohet provincës lindore të Perandorisë Otomane, vendit ku sot pashain, sulltanin dhe bimbashin i kanë zëvendësuar sa kryetarë partie e oborre të tyre arrogante, të korruptuara dhe refuzuese ndaj ndryshimit. Përtej mallkimit historik, ky vend meriton një dritare ndryshimi: për shembull, peticion online që kuvendi të mos bëjë asnjë nga pagesat milionëshe për komisionin e reformës zgjedhore për një punë që nuk e kanë bërë, përkundrazi; për nisma kurajoze për referendum kombëtar për sistemin zgjedhor, një network juristësh për të ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet e parimeve të përfaqësimit dhe demokracisë funksionale brenda partive politike, media kurajoze që të refuzojnë p.sh, për 60 ditë çdo deklaratë që vjen nga bashkëkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore apo presion publik horizontal që kandidatët për deputetë brenda partive politike të zgjidhen me parimin e primareve.

Nuk janë zgjidhjet më ideale, por janë këshillat më të mira në një vend ku koha ka ngelur dhe kushtetuta ka vlerë vetëm si dokument që u duhet treguar të huajve dhe që këta tanët as e lexojnë, as e kuptojnë dhe natyrisht, as e respektojnë!

Article Logic
Execution time: 0.0024950504302979
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-62258" }