Berisha 2017: Në pritje të Donald Trump dhe Ilir Metës

Publikuar tek: politike, më 10:01 04-01-2017 Berisha 2017: Në pritje të Donald Trump dhe Ilir Metës

Nga Eduard Zaloshnja

Në vitin 1992, Berisha erdhi për herë të parë në pushtet, falë votës së mbi 1.1 milionë shqiptarëve që votuan për ndryshimin e sistemit (jo domosdoshmërisht për të personalisht).

Më 2005-ën, kur erdhi në pushtet për herë të dytë, vetëm 550 mijë zgjedhës votuan për kandidatët e përzgjedhur prej Berishës (50 mijë të tjerë votuan për kandidatët e Leka Zogut). Edhe pse kandidatët “e majtë” morën 770 mijë vota, Berisha e siguroi shumicën në Kuvend, falë përçarjes së votave të “së majtës”, e cila nuk kishte nga një kandidat të vetëm për çdo zone elektorale, por nga 6 të tillë (kandidatët e Metës ishin ata që krijuan çarjen më të madhe).

Më 2009-ën, në kulmin e pushtetit të dytë të Berishës, vetëm 710 mijë zgjedhës votuan për koalicionin e udhëhequr prej tij, prandaj, për të siguruar qëndrimin në pushtet edhe katër vjet të tjerë, ai u detyrua të bënte koalicion me Metën.

Më 2013-ën, me largimin e Metës nga koalicioni “i djathtë”, vetëm 680 mijë zgjedhës votuan për vazhdimin e pushtetit të dytë të Berishës, ndërsa mbi 1 milion zgjedhës të tjerë votuan që ai të dilte në pension. Por Berisha nuk është nga ata politikanë që del lehtë në pension…

Në vjeshtën e 2014-ës, pasi PD-ja kishte sulmuar publikisht në mënyrë barbare Metën, ky i fundit, gjatë një metingu në Çorovodë, i çoi një mesazh publik Berishës, duke i thënë se “është malësor Skrapari, dhe Doktori e di që po-ja është ‘po’, kur del nga goja e një malësori”. Që prej asaj dite, sulmet e PD-së ndaj Metës pushuan. Gjë që lë të kuptohet se strategjia e Berishës për ardhjen e tretë në pushtet mbështetet te një shkëputje e Metës nga Rama. Numrat e mësipërm janë kokëfortë… 

Në vjeshtën e 2016-ës, pas fyerjes publike që Rama i bëri Donald Trump-it në rrjetin televiziv CNN, dhe pas fitores së papritur të këtij të fundit në garën presidenciale amerikane, duket se u rrit shpresa e Berishës për ardhjen e tij të tretë në pushtet (pavarsisht se kë do të caktojë si kandidat për të luajtur rolin e kryeministrit kukull). Duke gjykuar nga ato që shkruajnë përditë ai dhe njerëzit rreth tij, duket që shpresa e tyre është se administrata e ardhshme Trump do ta silurojë Ramën dhe, për rrjedhojë, Meta do të kalojë në koalicion me PD-në. Kjo gjë do të krijonte në qershor 2017 një shumicë parlamentare të ngjashme me të 2009-ës...

Por në këtë skenar ka diçka që duket se nuk është marrë parasysh nga Berisha & co. Në qoftë se edhe Meta mendon vërtet se administrata Trump do ta silurojë Ramën (siç mendojnë Berisha & co.), ai nuk ka pse të kalojë “djathtas”. Meta mund të vazhdojë të rrijë tek “e majta”, me shpresë se një ditë mund të dalë vetë në krye të saj – në të, përveç Ramës, ende nuk ka një pretendent të fortë për kryeministër.

Dhe kur vjen puna për postin e kryeministrit, premtimet e “malësorëve” janë po aq të mbajtshme sa ato të “fushorëve”…

*Marrë nga Respublica

Article Logic
Execution time: 0.0023729801177979
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-64564" }