“93 vite më parë qau një bebe, ishte djalë...lindi Kadri Roshi”, rrëfimi i ndjerë i profesorit

Publikuar tek: kulture-art, më 09:01 05-01-2017 “93 vite më parë qau një bebe, ishte djalë...lindi Kadri Roshi”, rrëfimi i ndjerë i profesorit

Profesor Përparim Kabo ditën e djeshme ka kujtuar një datë që të gjithë e harruan.

“Sot është 4 janar, fiks në këtë ditë në 4 janar 1924, 93 vite më parë qau në Mallakastër një bebe, ishte djalë…lindi Kadri Roshi”, nis rrëfimin e tij profesori për një nga figurat emblematike shqiptare.

 “Ndërsa në 6 shkurt 2017 mbushen 10 vite kur zemra e tij heshti në Tiranë. Aktori që me aq peripeci mundi të hynte në skenë, iu dukej pa talent, kishte lënë përshtypjen e një gagaçi…por që në fakt hyri në tempull si sufler për t’u shëndruar në mbret i skenës. Studimet e larta i kreu në Çekosllavaki në Pragë në vitin 1951, atje ku arti ishte frymëmarrje dhe dinjitet, kulturë dhe mirësi njerëzore”, shkruan më tej Kabo.


“Sot në një ditë të trishtë, me shi dhe me një qiell të rrëzuar gri, zilja e kujtesës më tha, mos harro, mjeshtri ka datëlindjen. E telefonova Klitin të birin dhe pasi u përshëndetëm e ndruam urimet për vitin e ri 2017, me një lloj ndroje i thashë, -Më fal nëse nuk gabohemi sot kemi datëlindjen e Mjeshtrit, atit tuaj dhe artistin tonë të madhë?

- Po më tha Kliti sot është dhe Ju nuk keni se si të gaboni…Pasi mbylla telefonin nisa të imagjinoja.

Ku është ai tani, në cilët brigje detrash është i ulur e i menduar Kadri Roshi, duke krehur mjekrën e bardhë me duart e holluara dhe çfarë thotë, si na sheh? Mbase ndonjë ditë është futur si hije edhe në teatër, për të parë “Tre Motrat” e Çehovit, “Zbutjen e Kryeneçes” së Shekspirit, apo ndonjë pjesë eksperimentale dhe ashtu me atë pikëllimin që tretej në sytë e tij, ai nën zë thoshte: “Jo more bir, jo moj bij, jo ashtu, ndjeje fjalën që thua, vuaje atë që bën, jepi më shumë shpirt personazhit, shkriju në të e mos u bëni dy.

Nuk luhet roli si një kostum që vishet. Roli je ti, personazhi je ti, bëjuni njësh, në mish dhe në kockë, merr frymë si personazhi, gjeja çelsin e shpirtit dhe lind e vdis me të këto dy orë.”

Ashtu shtatlartë i krusur, më flokët mbi shpatulla ai ka ardhur te ne. Ndoshta ka menduar se do të mbillej bredhi për Bujar Lakon, për Halit Beratin që me Parandilin e Kadriut kanë realizuar dyshen më të bukur të kinematografisë shqiptare tek filmi “Gjeneral Gramafoni”.

Nuk e kisha menduar se si do ta kujtoja sot datëlindjen e Kadri Roshit, nuk kisha ndërtuar ndonjë plan apo skicuar ndonjë situatë. Thjeshtë sot në orën 12 kisha takim me shkrimtarin dhe dramaturgun, gazetarin dhe regjizorin, arvanitasin e Greqisë, Dino Kubatin. U ulëm në kafenen franceze të Tiranës. Zëri i butë i Dinos, shikimi tij i thellë dhe hetues, gjallëria e Luljetës së shoqes, kësaj gruaje shqiptare me terbjete, ishin kaq të pranishme; dhe fjala ngiste fjalën, biseda e ndezur nga tema në temë pasurohej. Ai më tregoi për dramën e tij kushtuar atyre 100 viteve të humbura si dokumentacion për historinë e Butrintit dhe se si Dino i ka mbushur me pjesën e tij dramatike “Dashuri në Butrint.” Ngjarja fillon me porositë e mbretit kur tërmeti rrafshon gjithçka dhe një zë që gjatë gjithë pjesës tregon krahas personazheve. Pas tij unë i fola për pjesën time “Kthimi Kadri Roshit”. Dino dhe Luljeta e pëlqyen dhe e përcollën gati me mallëngjim bisedën e Kadriut me rolet e tij. Më tej miqt më treguan se si e kishin takuar Kadriun në Greqi, njohjen e tyre dhe leximin që Kadriu i kishte bërë me një frymë një pjese të Dinos, të cilën e kishte përjetuar si një prozë poetike…Folëm për artin e aktrimit të tij, aq origjinal, përjetues dhe depertues deri në themel të shpirtit. Folëm për misterin që fshihte ajo qeshja e tij skërmitëse, plastike e lojës dhe ngjyrimi i zërit…Sa bukur sot e kujtuam aktorin tonë të madh të skenës dhe ekranit Kadri Roshi me një vëlla gjaku arvanitas që kishte ardhur nga Salamina…dhe unë u kujtova atyre vargjet e Fatos Harapit…Çka Salamina e vjetër,çdo Salamina më tepër…!
Kadri Rosh i nderuar! Në këtë botë ka njerëz që harrojnë, ka njerëz që nuk mbajnë mend, por ka edhe njerëz që nuk kanë fare kujtesë…Unë mendoj se ata që të kanë dashur dhe janë rritur e edukuar me artin tënd…asnjëherë e askurrë, nuk të harrojnë…Madje kemi mall mjeshtër. Nëse sërish qoft si hije do kthehesh në teatër, të lutem na bëj një shenjë, një gjest, thuheje një fjalë!
Pkabo 4 janar 2017”, përmbyll rrëfimin e tij të ndjerë profesor Kabo.

15781548_10210365733453169_505881233211509709_n.jpg15780823_10210365737253264_9097483885741646346_n.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0026049613952637
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-64634" }