Të kyçemi brenda e të mos ikim në Maldive???

Publikuar tek: analiza-komente, më 09:01 06-01-2017 Të kyçemi brenda e të mos ikim në Maldive???

Nga Artan Kristo

Nga gjitha ato që dëgjuam në mbledhjen e shtabit të emergjencave, në mendje të mbeteshin vetëm fakti që në zonat malore janë siguruar ilaçet, që të mos bëhen mbledhje e koncerte, të mos bëhen operacione e shtrime të planifikuara në spitale dhe të mbyllen shkollat, si dhe që shtabet në njësitë bashkiake të punojnë 24 orë. Asgjë tjetër nuk të mbetej në mend nga ajo mbledhje. Vetëm fjalë, fjalë të përgjithshme. Dhe nuk na e merr mendja që të kenë marrë masa të tjera, se qeveria jonë e ka zakon që gjithmonë propagandon më shumë se ç’bën, apo ç’ka ndër mend të bëjë. E, pra, më duket se Qeveria e ka marrë pak lehtë ngricën e kësaj fundjave. Ndofta ata djemkat e qeverisë nuk kanë përvojë, ndofta e kanë parë borën vetëm në resortet e Zvicrës kur shkojnë uikendeve, por e vërteta është se ngricat siberiane po na gjejnë të papërgatitur: A e di Qeveria dhe Kryeministri ynë se qytetet tona, që asnjëherë nuk kanë ujë gjatë gjithë ditës, këto ditë rrezikojnë të mbeten fare pa asnjë pikë uji, se tubat e ujesjellësit në shumë zona janë afër tokës dhe sepse rezervuarët në tarraca mund të ngrijnë ? A janë përgatitur për këtë situatë? Sa autobotë nga të emergjencës janë bërë gati? Sa do të merren nga privati (meqë partneritetin me të kjo qeveri e ka qejf shumë)? A e di se qeveria dhe kryeministri se gjatë këtyre ditëve të acarta ka shumë mundësi që të mbetemi edhe pa energji elektrike për shkak të mbingarkesave në rrjet, sepse shumica, të paktën në qytetet e mëdha, ku banon pjesa më e madhe e popullsisë, ngrohen me korrent? Çfarë mendoi kjo qeveri për të shmangur këtë? A u nxorrën (nëse ka) dru nga rezervat e shtetit, apo, nëse s’ka, a u siguruan furnzime për shtetasit? Me se do të ngrohen njerëzit këto ditë të acarta? Si do të ngrohen spitalet, ambulancat, çerdhet gjatë këtyre ditëve? A janë siguruar karburantet atje ku ka kaldaja ? Po drutë, atje ku ngrohen me dru ? Po atje ku ngrohen me korrent (nëse do të ketë) a e di qeveria dhe kryeministri që kondicioneret që përdoren rëndom në Shqipëri nëse temperatura e jashtme bie nën 0, nuk punojnë ? A janë siguruar mjetet e nevojshme për ngrohje alternative? A e di Qeveria e Kryeministri që shumë njerëz, qoftë për shkak të mungesës së energjisë, por edhe për shkak të varfërisë, mund të jenë pa asnjë mgrohje ? A e dinë ata se kur nuk ka ngrohje, nëse temperatura jashtë është -15 deri -20 gradë brenda nuk mund të shkojë më shumë se -5 gradë? Si do t’i durojnë këto temperatura fëmijët, të sëmurët, pleqtë? A nuk duhet të ishin bërë gati salla e ambjente të mëdha më ngrohje si palestra, salla teatri , koncertesh e kinemaje, apo edhe qendra tregtare ku të shkonin të rrinin ata që nuk kishin mundësi të ngroheshin? Sa ton naftë do të jepte qeveria për kaldajat e këtyre sallave nga fondi emergjencës ? A e di Kryeminsitri se në minus 15 gradë do të ngrijnë, jo vetëm rrugët nacionale për të cilat ata folën gjysmën e kohës së mbledhjes, por edhe rrugët e qyteteve dhe trotuaret ? A e di ai se për të mos thyer kokën njerëzit, duhet hedhur kripë dhe skorie (kështu bëhet në gjithë qytetet europiane)? Sa tonë kripë dhe skorie janë bërë gati ? Të gjitha këto duhej të na i thoshte (dhe t’i kishte bërë) qeveria. Por ajo na tha vetëm fjalë të bukura e na urdhëroi të mos dalim nga shtëpia këto ditë, edhe pse edhe brenda në shtëpi mund të ngrijmë nga të ftohtit. Apo na thanë të rrijmë në shtëpi që mos i shohim ata kur të marrin rrugën nga Rinasi drejt Maldiveve apo Karaibeve ku njerëzit janë me mëngë të shkurtra tani…?! *Shkrimin e plotë e gjeni në numrin e ri të gazetës “Intervista”

Article Logic
Execution time: 0.0023880004882812
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-64728" }