"Zyrtarë, oficerë dhe kimistë u dyndën në Mokër për të gjetur thesarin e Mbretëreshës Teuta"

Publikuar tek: aktualitet, më 17:01 08-01-2017

Nga Marin Mema

fgeq5yerhdgh.jpg

Mokra është një krahinë legjendash dhe historish, që nga kohët më të lashta. Një hap, një monument ofron kjo zonë e ndoshta kjo ka tërhequr edhe më shumë kërkuesit e thesareve.

Ura të vjetra, si ajo e Golikut, apo varret mbretërore të Selcës së Poshtme, që mendohet se i përkasin Pelionit të lashtë, janë dëshmi të forta të trashëgimisë së pafundme të Mokrës. Të tilla ka kudo në krahinë, aq sa është e vështirë t’i numërosh.

Por nëse për banorët e thjeshtë të Mokrës, pasuri është aksi që do t’i nxirrte në dritë, për zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes disa vite më parë ishte thesari i mbretëreshës Teutë.

Ata u dyndën në pjesë të ndryshme të kësaj zone, duke kërkuar me ngulm gjurmët, që sipas tyre do t’i çonin drejt këtij thesari. Dhe banorët i mbajnë mend mirë dërgatat me zyrtarë që erdhën nga Tirana.

Në kërkime u përdor Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Merrnin pjesë oficerë, inxhinierë, por edhe kimistë, ndërkohë që u përdorën mjete të rënda ushtarake, deri edhe helikopterë. Thuhet se ushtarakët kishin edhe mjete metalkërkuese. Gjithçka u vendos në zonën e Mokrës e më së shumti në fshatin Llëngë.

Dikur ky fshat, që sot është thuajse i braktisur me vetëm 7 familje të mbetura, mendohet që ka qenë një qytezë antike.

Por si lidhet legjenda e thesarit të Teutës me Llëngën mes maleve?

Në vitin 230 para erës sonë, romakët i kërkuan mbretëreshës Teutë të ndërpriste sulmet e shpeshta ndaj anijeve të tyre. Shpërfillja e saj bëri që të shpërthente më pas ajo që në histori njihet si Lufta I Iliro-Romake. Kjo është pjesa e njohur zyrtarisht, por ekziston edhe vazhdimi, këtë herë në formën e një legjende.

Ballë sulmit, Teuta urdhëroi sigurimin e menjëhershëm të thesarit mbretëror. Ai u transportua përmes rrugës “Egnatia”, në pjesën e brendshme të Ilirisë, në territoret që banoheshin nga Dasaretët dhe Enkelejtë. Sipas gojëdhënës, një njësi speciale udhëhoqi 40 mushka me ar, gurë të çmuar dhe diamante, në territorin e një qyteti antik që mendohet të jetë Lunga ose Llënga e sotme. Fillimisht u krye – siç thotë legjenda – një devijim i vogël i lumit, e më pas 6.000 kg, sa peshonte thesari, u futën brenda një pjese në shkëmb, e cila më pas u izolua me mur guri. Lumi u lëshua sërish në rrjedhën e tij, duke e bërë në këtë mënyrë të padukshëm vendin e thesarit.

Sipas njësisë speciale të Ministrisë së Mbrojtjes, legjenda ka lindur pikërisht në këtë vend. Lumi është, gjurmët e rrugës “Egnatia” po ashtu, ky territor ka qenë pjesë e fiseve ilire të Desaretëve dhe Enkelejve, fshati quhet Llëngë… po thesari ku është?

Në fakt, dërgatat nga Tirana erdhën, kërkuan, por nuk e gjetën thesarin, të paktën zyrtarisht. Edhe pse banorët nuk mendojnë kështu. Për këtë çështje, edhe prokuroria hapi një hetim pas kallëzimit që u bë nga ministrja aktuale Mimi Kodheli. Një hetim që u pushua, pasi zyrtarisht u tha se nuk u gjetën dokumentet, të cilat vërtetonin shkeljet e kryera.

Por edhe në mungesë të tyre, çfarë kërkonin zyrtarët e Shërbimit Informativ Ushtarak në Mokër? Përse u përdorën mjetet e rënda? Me çfarë shpenzimesh u mbuluan këto kërkime? A kishte leje për to? A asistuan arkeologë apo ekspertë të fushës? Këto përgjigje do të mbeten enigmë. E ndoshta ky është edhe ndryshimi. Politikanët kërkojnë pasuritë e mëdha, ndërsa banorët e thjeshtë elementet më minimale për të jetuar.

Article Logic
Execution time: 0.0022950172424316
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-64954" }