Tjetër lëvizje e diskutueshme e Trump, emëron dhëndrin si këshilltar

Publikuar tek: bota, më 19:01 10-01-2017 Tjetër lëvizje e diskutueshme e Trump, emëron dhëndrin si këshilltar

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi dhëndrin e tij, Jared Kushner, si këshilltarin e tij. Kjo i shtyu ligjvënësit demokratë që t’i kërkonin Departamentit të Drejtësisë dhe Zyrës së Etikës, që ta shqyrtonin këtë rast, në se ka shkelje të ligjeve kundër nepotizmit dhe për konflikt interesi.

Një avokat i zotit Kushner tha se ai ka në plan të heqë dorë nga të gjitha pronat jashtë vendit, sikurse edhe nga interesat e tij në një firmë investimesh dhe në një ndërtesë zyrash në Nju Jork. Zoti Kushner po ashtu ka thënë do të japë dorëheqjen si drejtori ekzekutiv i kompanive Kushner dhe si botues i gazetës the New York Observer para se të fillojë punën në Shtëpinë e Bardhë, raporton Voa.

Gjashtë anëtarë të Kongresit i shkruan një letër Prokurores së Përgjithshme Loretta Lynch dhe Zyrës së Etikës në qeverinë e Shteteve të Bashkuara, ku i referoheshin një ligji të vitit 1967, sipas të cilit, një zyrtari publik nuk i lejohet të emërojë anëtarë të familjes në të njëjtën agjenci ku ai shërben.

Avokati i zotit Kushner, Jamie Gorelick, tha se ky rregull nuk prek presidentin, pasi Shtëpia e Bardhë nuk është agjenci shtetërore.

Në letrën e tyre ligjvënësit po ashtu thonë deklarata e avokatit Gorelick se Kushner do të tërhiqej nga çështjet që lidhen me interesat e tij financiare pasi të jetë larguar nga kompanitë e tij, do të thotë se ai ka për të vazhduar t’i mbajë pronat, të cilat mund të preken nga politikat qeveritare që lidhen me punën e tij të përditshme.

Ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha se roli e zotit Kushner do të përfshijë edhe tregtinë në Lindjen e Mesme dhe se ai do të punojë afër me Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë Reince Priebus, si dhe me strategun kryesor Stephen Bannon.

Në ndryshim nga anëtarët e tjerë të kabinetit të zotit Trump, pozicioni i Kushnerit nuk kërkon miratimin e Senatit.

35-vjeçari Kushner është martuar me vajzën e zotit Trump, Ivanka.

Gazetarët e pyetën dje Donald Trumpin lidhur me rolin e mundshëm të Kushnerit dhe ai u përgjigj “do të flasim për këtë të mërkurën.”

Të mërkurën presidenti i zgjedhur ka në plan të mbajë konferencën e shumëpritur të shtypit, e para që pas zgjedhjes së tij më 8 nëntor.

Ceremonia e Inaugurimit të zotit Trump do të mbahet më 20 janar.

Article Logic
Execution time: 0.017467975616455
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-65162" }