Palët politike në Prishtinë nuk arrijnë dot as miratimin e një rezolutë për Haradinajn

Publikuar tek: rajon, më 22:01 10-01-2017 Palët politike në Prishtinë nuk arrijnë dot as miratimin e një rezolutë për Haradinajn

Pas 11 orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë rezolutën për ndalimit të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë.

Dy rezolutat e prezantuara për ndalimin e ish komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, një e sponsorizuar nga AAK dhe e mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma, dhe tjetra e prezantuar nga grupet parlamentare PDK-LDK, nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme, raporton KosovaPress.

Pas pauzës së dytë që u mbajt, për harmonizimin e tekstit të rezolutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli theksoi se nuk është arritur pajtueshmëri për një rezolutë të përbashkët për ndalimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë.

Ai njoftoi se do të hidhen në votim tekstet e dy projektrezolutave, ajo e prezantuar nga AAK, e mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma, dhe projektrezoluta e grupeve parlamentare PDK-LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj theksoi se rezoluta e dytë është plagjiaturë e rezolutës së tyre, pasi të tri pikat e para janë marrë nga teksti i tyre, ndërsa është shtuar vetëm teksti për raporte të mira me Francën.

“Ne kemi raporte të mirë me Francën, por ne nuk mund të jemi argat të kërkujna. Jemi duke e mbrojt një të drejtë universale. Nuk di pse hezitoni që të ndërpriten bisedimet me Serbinë”, tha Lekaj.

E para në votim u hodh rezoluta e prezantuar nga AAK me mbështetje të Vetëvendosjes dhe Nismës, në të cilin votim nuk mori pjesë pozita, votuan 36 deputetë, pro së cilës ishin 28, 3 kundër dhe 5 abstenuan.

Kurse për tekstin e prezantuar nga PDK-LDK, votuan 47 deputetë, pasi opozita e lëshoi sallën, 38 ishin për, 6 kundër dhe 3 abstenime.

Rezoluta e prezantuar nga AAK:

1. Lirimi pa kushte i Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, të ndodh sa ma shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.

2. Qeveria e Kosovës të kërkojë me ngulm përfshirjen direkte të Bashkimit Evropian, përmes përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, znj. Frederica Mogherini, që të përshpejtohet  lirimi, nga shteti francez, i ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

3. Qeveria e Kosovës obligohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se, refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkojë lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

4. Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve të lëshuar nga Serbia, kundër ish-udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol.

5. Kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë, për shkak se janë të vetmit që kanë mundur të jenë të informuar se cilët persona kanë urdhër-arreste nga Serbia në Interpol, meqë Kosova nuk është anëtare e Interpolit, nga ku do të mund të merreshin informata zyrtare për emrat që kanë fletë-arreste të tilla.

Article Logic
Execution time: 0.0024330615997314
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-65171" }