Luli u zgjua…Le të fillojë opozitarizmi

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:02 18-02-2017 Luli u zgjua…Le të fillojë opozitarizmi

Nga Anila Basha - Drejtore e Newsbomb.al

“Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme”, -Winston Churchill

Ka disa fakte që më bënë përshtypje nga klima 1 javore e krijuar në organizimin e protestës së PD: dhe këto në dy këndvështrime, atë nga ana e opozitës, më së pari, si organizatore, dhe nga ana e qeverisë, si target i protestës.

Ka shumë, shumë arsye pse duhet protestuar kundër qeverisë. Ajo më kryesorja është se duhet protestuar kundër qeverisë, sepse nuk ka opozitë. Nëse do të ishte ndryshe, duhet të ndodhte një mirëorganizim i opozitës për të sjellë të gjitha detajet e një proteste, të plotë, jo vetëm në shesh, jo vetëm me një çadër, por në institucione.

Reagimi i opozitës duhet të ishte tre planësh: në planin parlamentar, në atë programor, e mandej, ajo e protestës masive.

Dalja e kaq shumë qytetarëve në bulevardin kryesor në kryeqytet, duhet të ishte një këmbanë alarmi për qeverisjen. Sepse, për të thënë të vërtetën, kjo qeverisje, nuk shkëlqeu në katër vitet e këtij mandati të parë, dhe zhgënjeu pritshmëritë e shumë qytetarëve që i dhanë votën.

Por protesta e sotme na tregoi se opozita u mor me organizime të tipit sa autobuzë e sa njerëz do të mblidhen në shesh, dhe asfare me idenë sesi në zgjedhjet e 18 qershorit kjo opozitë do të shkojë me një platformë të qartë, me objektiva konkrete, me mobilizim deri në detaje të një lufte parlamentare frontale, aty, në vendin ku duhet denoncuar korrupsioni, ku duhet vendosur me emër dhe mbiemër cdo zyrtar i korruptuar, e cdo aferë që rëndon në xhepat e qytetarëve.

Thënë më troç, opozita parlamentare është apatike dhe aspak krijuese. Skenat e seancës së fundit parlamentare kur ish-ministri i brendshëm shkon e qëllon deputetin e PS, janë skena që na kthejnë vite para në parlamentarizmin shqiptar të të ashtuquajturit tranzicion të tejzgjatur.

Nuk të bindin deputetët e PD, që bërtasin pa argument nga foltorja e kuvendit dhe ku askush nuk e ka mendjen se çfarë thuhet, përveçse të dëgjojnë etiketimet e radhës së doktor Berishës, që i shkrijnë së qeshuri, si deputetët e PS, pse jo, dhe atë vetë në mënyrën sesi i thotë. 

Një ndër arsyet se pse duhet protestuar, është se mungon opozita parlamentare. Këta të fundit e humbin durimin deri në atë pikë, sepse eksponentët e qeverisë i provokojnë deri në këtë masë. Dhe kjo është një arsye për të protestuar.

Ka shumë paqartësi programore, e shoqëruar kjo edhe me një lloj xhelozie strukturash brenda demokratëve, dhe ky është dimensioni i dytë që duhet të kishte një reagim të organizuar opozitar.

Jemi në situatën ku kryetari i PD ka filluar takimet me bazën, po aty- këtu, këto takime herë dështojnë, herë konsiderohen të pasuksesshme, e herë të tjera janë realizuar mirë por mesazhet për taksat, rritjen ekonomike, mirëqenien, koncesionet, qytetarin etj etj, mbeten të pakuptuara për masën e madhe të njerëzve, pse jo, edhe atyre që janë zhgënjyer se votën ia dhanë PS-së.

PD filloi konkurrimin brenda vetes për deputetët e arshshëm, por në qarqet jashtë Tiranës, ky proces po shoqërohet me të njëjtën filozofi përzgjedhjeje si ai i 27 viteve me radhë. Anëtarë kryesie të degëve që votojnë për njëri tjetrin, anëtarë kryesie e deputetë në qendër që lobojnë për miqtë dhe tarafin e tyre, një pjesë me lidhje e skema nepotike, shkurt…ide të bukura në letër, por në praktikë rikthehen te i njëjti mekanizëm i gjithhershëm. Më qartë, opozita nuk është e qartë në planin programor.

Reagimi i tretë opozitar është ai i protestës, një protestë, si kjo e sotmja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Masiviteti i saj, duhet të jetë një këmbanë alarmi edhe për qeverinë, që ka shtuar radhët e qytetarëve të pakënaqur (duhet kujtuar se protesta e fundit e opozitës nuk ishte kaq masive). Vec, duket se edhe këtu, asnjë zë opozitar politik nuk sqaron se çdo të ndodhë më tej: ok, u ngrit një cadër…Po pastaj? Qeveri teknike? Po pse? A gjendemi katër muaj para zgjedhjeve? A nuk është Basha ai që ka hapur garën për deputetë? A nuk është PD ajo që votoi për reformën në drejtësi? Si do të mund të krijohet një qeveri teknike përballë një maxhorance parlamentare me 84 vota? Kush mund ta miratojë këtë?

Këtu, protesta degradoi tek ajo sentencë që ka thënë ish kryeministri britanik se një politikan bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm, dhe jo për zgjedhjet e ardhshme. Dhe zoti Basha, do ta ketë shumë të vështirë që katër muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme, të imponojë rregulla loje, pa pasur në vijë asnjë nga tre faktorët e mësipërm, masën e madhe të qytetarëve. Dhe aq më tepër të pretendojë për të qenë burrë shteti siç thotë ish kryeministri britanik. 

Por nga ana tjetër, nuk duhet t’i mohojmë kësaj proteste disa karakteristika ndryshe nga protestat e mëparshme:

Masiviteti (Kishte pjesmarrje të gjerë popullore në bulevard)

Ironia  (Kryeministri e shpërndan live protestën e opozitës, ndërkohë që vetë gjendet në Kosovë)

Korrektesa (Forcat e policisë kanë qenë jo vetëm në gadishmëri, por totalisht të impenjuara për rregullin dhe sigurinë gjatë protestës)

Kopjimin (Kjo puna e cadrës, ishte një kopje e shëmtuar e asaj të PS shtatë vite më parë)

Thënë më ndryshe, Lulzim Basha u zgjua nga gjumi. Të paktën, u ndërgjegjësua se duhet ta shohë ndryshe realitetin dhe të gjejë mënyrat sesi do të përballet në zgjedhjet e qershorit 2017. Dhe te tregojë forcë përballë kësaj qeverie, që nuk e ka lënë të bëjë opozitë në katër vjet, kjo, jo shumë për meritë të qeverisë, por për apati të opozitës.

Article Logic
Execution time: 0.0027909278869629
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-69169" }