Dita Botërore e Mbrojtjes së Konsumatorit, Ekonomi në Lushnje hap zyrën pilot

Publikuar tek: ekonomi, më 18:03 15-03-2017 Dita Botërore e Mbrojtjes së Konsumatorit, Ekonomi në Lushnje hap zyrën pilot

Konsumatorët duhet të jenë të informuar për të drejtat e tyre dhe  të ankohen për t’i vënë në vend këto të drejta për çdo produkt industrial apo shërbim që ata marrin nga operatorët ekonomikë në vend. Kështu ka deklaruar Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarjes sot në Lushnje në Ditën Botërore të Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila festohet në gjithë botën më 15 mars.

Ministrja Ekonomi ndodhej në Lushnje pikërisht për hapjen e zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit në këtë Bashki, e cila është një nga bashkitë pilot bashkë me Elbasanin dhe Tepelenën, ku gjithashtu u hapën sot zyrat e Konsumatorit. Në këto zyra qytetarët do të kenë mundësi të ankohen për produktet jo ushqimore dhe për shërbimet që ata marrin në treg dhe ku do të marrin përgjigje për këto ankesa.  

Pasi inspektoi zyrën e re në Lushnjë,  Ministrja Ekonomi së bashku me kreun e Bashkisë Lushnje z. Fatos Tushe u shprehën entuziastë se tashmë konsumatorët në këtë rajon kanë një derë ku të ankohen dhe të zgjidhin gjithë problematikat e tyre lidhur produktet që blejnë.

Ministrja Ekonomi ftoi gjithë konsumatorët që të vijnë dhe të informohen në këto zyra për të drejtat e tyre para se të blejnë produkte dhe shërbime, dhe të ankohen kur këto të drejta u mohohen nga tregtarët. “Ky është një shërbim kapilar që duhet të shkojë atje ku është konsumatori, tha Ekonomi, duke shtuar se kjo frymë e re bashkëpunimi me përdoruesit, pra me konsumatorët, po synohet të organizohet sipas direktivave të BE. “Vendosëm ta pilotojmë në Lushnjë, sepse dhe gatishmëria dhe bashkëpunimi këtu ka qenë shumë i madh” - tha znj Ekonomi duke falenderuar gjithë stafin për bashkëpunimin në hapjen e kësaj zyre. Ekonomi premtoi se MZHETTS do bëjë të pamundurën për të zgjidhur në kohë rekord çdo shqetësim që vjen nga kjo zyrë dhe që kërkon zgjidhje nga zyra qëndrore e Mbrojtjes së Konsumatorit që është në varësi të kësaj Ministrie.

Ndërsa kreu i Bashkisë z. Tushe falenderoi Ministren Ekonomi që zgjodhi Bashkinë Lushnje për të hapur këtë zyrë pilot. “Tashmë në këtë zyrë ka informacione të rëndësishme që lidhen me kontratat e shitjes së mallrave, me paketat e udhëtimit, për të cilat konsumatorët kanë qene krejt të painformuar. Në qendër të strategjisë së mbrojtjes së konsumatorit është konsumatori dhe mbikqyrja e tregut” - tha Tushe, duke shtuar se dhe kjo zyrë do i shërbejë zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirrëqenies së qytetarëve. 

Shumë shpejt zyrat e mbrojtjes së Konsumatorit do hapen në të gjitha bashkitë e vendit, për të qenë më pranë konsumatorit. MZHETTS do monitorojë numrin e ankesave dhe do të adresojë zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve në gjithë këto zyra. 

Fushata e MZHETTS për konsumatorin

Në ditën e Mbrojtjes së Konsumatorit, MZHETTS ka bërë një fushatë sensibilizuese duke shpërndarë fletëpalosje në gjithë vendin lidhur me të drejtat që ka konsumatori. Kjo zyrë u bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm dhe të lexojnë me vëmendje çdo kontratë për blerje produkti apo shërbimi, apo dhe kushtet e garancisë, para se ta firmosin. Zyra e mbrojtjes së Konsumatorit në Ministri (http://kmk.ekonomia.gov.al/) ka gjithë informacionin e nevojshem që i duhet konsumatorit për të njohur të drejtat e tij, ku gjithashtu mund të aplikojnë dhe online për ankesat ndaj produkteve apo shërbimeve që ka marrë. Qytetarët mund të ankohen për kontratat e energjisë, të ujit, për kontratat me bankat lidhur me kredite konsumatore, për produkte elektroshtëpiake, dhe çdo produkt tjetër jo ushqimor. Psh një fakt që qytetarët duhet ta dinë është se për kredinë konsumatore kanë të drejtë të ndërrojnë mendje, brenda 14 ditëve, dhe te heqin dorë, ose të aplikojnë për kredi në një bankë tjetër me interesa më të mira. Këtë mund ta bëjnë pa dhënë asnjë shpjegim, gjë që në realitet nuk ndodh, pasi nuk janë të informuar me të drejtat që u jep ligji. Ndaj dhe MZHETTS këtë vit zgjodhi sloganin: “Konsumator: informohu, këshillohu, ankohu!", pasi ende në Shqipëri konsumatorët kanë probleme me informimin. Ndërkohë në botë slogani këtë vit ishte #BetterDigitalWorld pra për një botë dixhitale më të mirë, që ka të bëjë kryesisht me të drejtat e konsumatorit për shitjet online.

Në Shqipëri janë gjithsej 479 kompani që tregtojnë online, dhe konsumatorët gjithashtu kanë të drejtë të ankohen dhe për këto shërbime. Mundësinë direkte për të blere online e kanë rreth 85 mijë individë që disponojnë një kartë me funksion krediti, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.  

Article Logic
Execution time: 0.016829967498779
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-72024" }