Instituti i Studimeve Politike: LSI, partia politike më e pasur se PS e PD (RENDITJA NË BAZË MILIONASH)

Publikuar tek: ekonomi, më 09:03 19-03-2017 Instituti i Studimeve Politike: LSI, partia politike më e pasur se PS e PD (RENDITJA NË BAZË MILIONASH)

Në bazë të të ardhurave të deklaruara në 2017-n rezulton se përgjatë 2016-s partia më me shumë të ardhura gjatë 2016 është LSI, dhe jo dy partitë e mëdha, PS e PD.

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin, ku sipas të dhënave rezulton se të ardhurat e LSI janë rreth 1 milion (të reja) më shumë se PS dhe rreth 30 milion (të reja) më shumë se PD.  

RAPORTI I INSTITUTIT TË STUDIMEVE POLITIKE:

Kushtetuta e Shqipërisë (neni 9, pika 3) detyron partitë politike të bëjnë kurdoherë publike burimet e tyre të financimit dhe shpenzimet e tyre. Kushtetuta është miratuar në nëntor 1998, pra përpara 19 vitesh. Prej atëherë asnjë parti nuk ka bërë publike burimet e tyre të plota të financimit dhe as shpenzimet e tyre reale. Partitë promovojnë tek të tjerët nevojën e respektimit të Kushtetutës, por vetë ato nuk e respektojnë atë.

Prej vitit 2011 partitë kryesore politike bëjnë deklarimin vjetor e të ardhurave dhe shpenzimeve në KQZ. Deklarimi është formal, bazohet në burimet e vetë partive dhe nuk ka mekanizëm kontrolli mbi saktësinë e tyre. Ekspertët kontabël të KQZ verifikojnë nëse të dhënat e partive janë deklaruar në rregull nga ana administrative, jo burimin e tyre dhe burimet e tjera të financimit të padeklaruara. Megjithatë, bazuar në këto deklarime të partive politike mund të krijojmë një ide fillestare për disa elementë: mbi burimet de juro të partive, mbi asetet që ato kanë në pronësi, mbi anëtarësinë e deklaruar tek zëri i kuotës së anëtarësisë, mbi strukturën drejtuese dhe mbi korrektesën e tyre formale të deklarimit sipas Kodit Zgjedhor në KQZ.

Bazuar në deklarimet e janarit 2017 (mbi gjendjen financiare të vitit 2016 të partive politike) rezulton tabela bashkëngjitur. Në tabelë gjenden partitë parlamentare me përjashtim të PR, e cila nuk ka bërë deklarim të rregullt. Siç rezulton nga të dhënat, partia më me shumë të ardhura gjatë 2016 është LSI, dhe jo dy partitë e mëdha, PS e PD. Të ardhurat e LSI janë rreth 1 milion (të reja) më shumë se PS dhe rreth 30 milion (të reja) më shumë se PD.  Nëse bëhen krahasime të tilla në partitë politike evropiane, është e pamundur të gjendet një rast kur një parti me 20 deputetë të kenë financim ligjor (buxheti i shtetit, sponsorizime, ndihma, etj) shumë më të madh sesa partitë politike me 45 – 65 deputetë.

Të dhënat mund të kenë disa interpretime.

Së pari, sepse secila parti mund të akuzojë partitë e tjera për deklarime jo të rregullta. LSI i deklaron formalisht ne faqen zyrtare te saj, PS e PD jo.

Së dyti,  partitë në qeveri, për shkak të aseteve e përfitimeve informale të pushtetit, kanë gjithnjë më shumë të ardhura sesa partitë në opozitë.

Së treti, sepse partitë e modelit klientelist kanë strukturë funksionale financimi sipas vendit të punës që kanë marrë anëtarët dhe sipas hierarkisë në vendet e punës.

Së katërti, vetë tabela meriton një hetim nga organet e specializuara, për të lexuar sipas ligjit, çfarë ndodh me partitë tona (buxheti i shtetit), me sponsorizimet politike (konfliktet e interesit dhe deklarimet në tatime), me pronat e partive (me kontrata informale), si dhe me elementë të tjerë të evazionit fiskal, të abuzimit me fondet e shtetit dhe të sistemit klientelist të shkëmbimeve të favoreve në para, mall ose ndikim politik.

Së pesti, po vijnë zgjedhjet dhe një nga argumentet më kritike është potenciali për trafikun e votës. A përbën kjo tabelë por edhe të dhënat e padeklaruara, një shqetësim? Me siguri që po. Ajo përbën një deformim dhe një sinjal se trafiku i votës nuk zgjidhet në bisedime politike, por me ligj, ligj dhe vetëm me ligj e instrumente të forta që zbatojnë ligjin.

Në fund të fundit, nëse flasim për veting në politikë dhe reformën në drejtësi, çfarë vlere ka nëse atë e konsiderojmë me rëndësi për një gjyqtar apo prokuror në qytetin më të vogël të periferisë, dhe nuk e konsiderojmë bazë e prioritet të aplikohet aty ku sistemi informal është më i fortë dhe funksional, – tek partitë politike, në selitë qendrore të tyre dhe tek elitat politike që drejtojnë. Ndaj edhe ekziston me të drejtë një opinion i përgjithshëm se vetingu në politikë është ndofta më jetik sesa vetingu në drejtësi, pavarësisht se duhet të ndodhë fillimisht i dyti që të kemi shpresë të ndodhë i pari.

AFRIM.png

Article Logic
Execution time: 0.012239933013916
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-72416" }