“Koalicioni PS-PD, si zgjidhje afatgjatë për vendin”

Publikuar tek: analiza-komente, më 21:04 11-04-2017 “Koalicioni PS-PD, si zgjidhje afatgjatë për vendin”

Gazetari dhe analisti Mentor Nazarko, në një shkrim të tijion botuar në Konica.al hedh teza interesante për një koalicion të gjërë PS-PD.

Nazarko i mbështet tezat e tij në përvojën ndërkombëtare dhe sjell disa shembuj kuptimplotë se si mund të arrihet edhe te ne një koalicion i tillë që i jep fund krizës.

Shkrimi i plotë:

A i ka kushtet Shqipëria për t’u qeverisur nga një koalicion me bazë të gjerë, PS-PD, apo dhe më të gjerë sesa kaq ? A i duhet Shqipërisë një qeverisje e dy partive të mëdha, e hapur për të tjera ? Nëse, po si duhet arritur tek ky koalicion ?

Hëpërhë ne mund të sjellim një tërësi argumentash pse duhet një qeverisje e dy partive të mëdha. Pra të japim një përgjigje për pse-në. Për si-në, ndoshta është herët,duhet një kohë e gjatë dhe një shkrim shumë i gjatë për ta trajtuar. Për më shumë do hynim në faqet e një libri këshillash praktike për negociatat për të cilat liderët tanë kanë eksperiencë të madhe. Me negociatorë privatë, me miq të huaj, me botues në mes, etj.

Konica.Al ju sjell në mbështetje të qasjes pro një koalicioni të partive të mëdha, shembujt e Gjermanisë, Kosovës dhe Kroacisë. Gjermania i ka bërë këto koalicione në 1966 dhe në vitet e fundit, me objektiva precizë- reformë taksash, apo më vonë për të shmangur krizën politike të gjatë. Kosova gjithashtu, ka koalicione të mëdha në dy raste,megjithëse gjendet në Ballkan. Kroacia ka realizuar me sukses një Pakt Kombëtar për integrimin që parashikonte që si negociator me BE-në të ishte një përfaqësues i opozitës, që ligjet e integrimit të kishin korsi preferenciale parlamentare, etj, etj.

Pra kemi tre tipologji vendesh që kanë realizuar me sukses qeveri me bazë të gjerë : Gjermania, me standarte të larta qeverisjeje ; Kroacia në pritje të aderimit në BE ;Kosova ende jo antare e OKB-së pse llogaritë elektorale të stabilitetit ia impononin.

Parë kështu, Shqipëria i ka brenda historisë së saj të afërt politike të tre nevojat që kanë patur tre vendet e mësipërme.  Dhe ka arsye të paktën të tejkalojë Kosovën, e cila në këtë pikëpamje ka treguar pjekuri më të madhe politike. Koalicioni i gjerë nuk u imponua nga ndërkombëtarët, por u arrit si pajtim i vetë partive më të mëdha.

INTERESI KOMBËTAR, INTEGRIMI

Duke u marrë me llogaritjet taktike të momenteve të fundit para regjistrimit të koalicioneve apo të një skenari krize të imponuar nga çadra e opozitës, që ndihet e dobët në sondazhet parazgjedhore, apo para fuqisë reale të grupeve të lidhura të politikës me kultivimin e drogës, shoqëria shqiptare, politika, mediat po harrojnë një objektiv të rëndësishëm kombëtar. Integrimin europian. Nga të gjithë zërat autoritarë të Bashkimit Europian po qartësohet se nëse Shqipëria e voton vetingun, atëherë në verë, Komisioni do të rekomandojë çeljen e negociatave me vendin tonë, propozim që do mundësohet me një raport ndërmjetës. Në dhjetor, si thonë ekspertët e çështjeve europiane, raporti do shqyrtohet nga Këshilli Europian dhe me gjasë në janar të 2018, procesi i negociatave do të fillojë realisht. Ky premtim nuk është diçka e parëndësishme.  Ai është rreshtim i Shqipërisë në një rend me Serbinë për të mos penguar njera tjetrën ; ai është dëshmi e vullnetit europian për t’ja larguar Ballkanin ndikimit rus, etj, etj. Më në fund është hap drejt modernizimit të vendit rreshtimi i Shqipërisë me kuadrin legal europian, me programet e ndihmave europiane, etj,etj.

PROBLEMET QË DO ZGJIDHESHIN

Qeveria me bazë të gjerë do të zgjidhte njëherësh disa probleme.

Nga pikëpamja elektorale do krijonte dinamika të reja. LSI si parti që ka në emërtim, integrimin do duhej të përfshihej në të, por nëse jo, do kishte mundësinë të bënte opozitën. Do merrte fund loja e të tretit me dy të parët, do ndryshohej Kodi zgjedhor, do krijoheshin garanci për hyrjen në lojë të partive të reja, etj, etj. Sipas ligjeve të ekuilibrit, vendi nuk do mbetej pa opozitë.

Do të votohej vetingu menjëherë. Pra do të realizohej kushti i parë i çeljes së negociatave në verë. Pushteti i drejtësisë do të fitonte frymëmarrje tjetër dhe do të ndihej më i pavarur nëse pushteti politik do ishte dy ngjyrësh. Mbase do duhej të bëhej njëlloj aministie, për të qetësuar ato individë që ndihen të kërcënuar nga

Do të miratoheshin me shpejtësi ligjet e integrimit sipas modelit kroat.

Do ndalonin shumë gryka zjarri të palëve kundër njera tjetrës, me lajme të rrejshme, sulme, etj, etj. Do humbte kuptimi i disa mediave, i disa lloj analizave, i disa lloj analistëve, etj, etj.

Klima politike do të qetësohej shumë, dhe nëse do të acarohej më vonë mbase do të ndodhte me standarte të tjera. Më të larta.

Klima për investime do të ishte shumë më e mirë. Qoftë për investime të brendshme, qoftë për ato të jashtme. Do çliroheshin energji pozitive të reja, e keqja do kishte më pak hapësirë. E kaluara do shihej me sy të përafruar, por dhe e ardhmja gjithashtu. Dy partitë përfaqësojnë njëherësh dy kampe  armiqësore me prejardhje historike. Do i vendoseshin kapakë të rëndë historisë, në emër të projektimit të së ardhmes.

Politika e jashtme do të unifikohej, do të fitonte më shumë peshë, dhe do rrezatonte pozitivisht drejt faktorit shqiptar në përgjithësi. Shqipëria do të shndërrohej në shembull për rajonin dhe kjo do ta rriste ndikimin tonë në rajon, imazhin tonë ndërkombëtar.

Berisha, lojtari më i fortë brenda opozitës, ndoshta ka nevojë në këtë moment me i thirrur mendjes: cila do të ishte mënyra më e mirë për të mbyllur karrierën e vet politike, lufta apo paqja?

Ky skenar, mbase është ëndërrim, por nuk është krejt i pamundur dhe ka ndodhur diku. Thjesht duhen gjetur negociatorët, duhet gjetur si të arrihet tek ai. Mbase duhen gjetur negociatorë ndërkombëtarë, apo shqiptarë me peshë të madhe, të besueshëm tek të dy palët… Duhen fiksuar rregulla të qarta për kompozimin e qeverisë së ardhshme, kush e merr kryeministrin e përcakton kushtetuta. Po kjo është temë e gjerë, që mbase duhet ta rimarrin të tjerët…

Article Logic
Execution time: 0.0024478435516357
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-74876" }