Kriza e biznesit të vogël, shitjet në rënie

Publikuar tek: ekonomi, më 14:04 21-04-2017 Kriza e biznesit të vogël, shitjet në rënie

Biznesi i vogël, ndryshe nga ai i madhi dhe i mesmi gjatë 2016-s ka kaluar në një krizë, që përfshin rënien e shitjeve dhe shpeshherë dhe likuiditet.

Kjo edhe për shkak të rritjes së konkurencës dhe hapjen e qendrave tregtare.

Sipas raportit për stabilitetin financiar të Bankës së Shqipërisë, ndërmarrjet e vogla vazhdojnë të vlerësojnë rënie të nivelit të shitjeve dhe të rezultatit financiar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016, por me një tendencë më të zbutur krahasuar me gjysmën e parë të vitit.

Banka pohon se, situata paraqitet më pozitive për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë vlerësuar rritje të shitjeve dhe të rezultatit financiar gjatë periudhës referuese. Të tre grupet e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre, por zgjerimi ka qenë më i ndjeshëm tek ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha.

Për gjysmën e parë të vitit 2017, të gjitha ndërmarrjet presin zgjerim të veprimtarisë së tyre dhe ecuri pozitive të nivelit të shitjeve dhe rezultatit financiar. Gjithsesi, këto pritshmëri janë zbutur gjatë periudhës. Gjatë periudhës referuese, më tepër se gjysma e ndërmarrjeve të përgjigjura kanë financuar veprimtarinë e tyre vetëm përmes shitjeve.

Krahasuar me periudhën e kaluar, përdorimi i shitjeve si burim i vetëm financimi ka rënë në rastin e ndërmarrjeve të vogla dhe atyre të mëdha, duke u mbështetur në përdorimin e rezervave. Nga ana tjetër, huamarrja si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga rreth 25% e ndërmarrjeve.

Rreth 44% e totalit të ndërmarrjeve pohojnë se kanë një hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë krahasuar me gjysmën e parë të vitit për të tre grupet e ndërmarrjeve. Pesha e huamarrësve tek ndërmarrjet e vogla është rreth 38%, për ato të mesme rreth 44%, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha është 48%.

‘Monitor’ shkruan se rreth 96% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se e kanë siguruar huanë nga sektori bankar dhe kjo peshë është rritur krahasuar me periudhën e kaluar. Kjo rritje ka rezultuar e shpërndarë në të tre grupet e ndërmarrjeve, por ka qenë më e theksuar tek ndërmarrjet e mesme. Huamarrja e ndërmarrjeve ka si qëllim kryesor përballimin e shpenzimeve korrente (37% e ndërmarrjeve të vogla, 41% e atyre të mesme dhe 43% e atyre të mëdha), si edhe kryerjen e një investimi afatgjatë (40% e ndërmarrjeve të vogla, 37% e atyre të mesme dhe 38% e ndërmarrjeve të mëdha).

Rreth 76% e totalit të ndërmarrjeve huamarrëse (pavarësisht madhësisë), e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e huamarrjes së tyre për financimin e veprimtarisë. Ndërkohë, rreth 17% e tyre deklarojnë se do të donim të merrnim më tepër hua dhe kjo peshë është rritur krahasuar me 6-mujorin e kaluar, e ardhur kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha. Huamarrja raportohet kryesisht në monedhën vendase për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe kryesisht në valutë në rastin e ndërmarrjeve të mëdha. Gjithsesi, pesha e huamarrësve në lekë kundrejt atyre në valutë rezulton në rritje për të tre grupet e ndërmarrjeve. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve (rreth 50%) deklaron se kanë marrë hua në 1-5 vitet e fundit.

Article Logic
Execution time: 0.0023040771484375
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-75952" }