“Kush ishte kryetari i PD në 3 vjet? Berisha i bëri hije Bashës, tani Lulit i duhet të ngrejë zërin për veten që të afirmohet si lider”

Publikuar tek: analiza-komente, më 06:05 04-05-2017 “Kush ishte kryetari i PD në 3 vjet? Berisha i bëri hije Bashës, tani Lulit i duhet të ngrejë zërin për veten që të afirmohet si lider”
Çapajev Gjokutaj 
Dëgjoni një xhevahir nga çadra, tha Lilua, dhe vuri telefonin mbi tavolinë. Në një video Lulëzim Basha ngrinte zërin gradualisht e thoshte:

'Ajo që ka lindur më 18 shkurt është më e madhe se Partia Demokratike, është më e madhe se opozita, patjetër është më madhe se Lulëzim Basha, e madhe sa Shqipëria dhe shqiptarët.'

E ç'ka për t'u çuditur këtu?, prishi buzët Naqja. Enumeracioni është nga teknikat më të rëndomta të oratorisë.

Pikërisht aty ta kam, ia ktheu Lilua. Fillon nga PD, ngjitet tek një bashkësi më e gjerë, dmth opozita; ngjitet pastaj tek një gjë më e gjerë dhe më madhështore, dmth ... vetja e tij, për të arritur tek Shqipëria dhe shqiptarët.

Logjika dhe modestia e duan ta fillonte nga vetja, pastaj të kalonte te PD e te ngjitej me radhë deri tek Shqipëria, përfundoi Lilua.

I thamë se, si zakonisht po tregohej dashakeq e tendencioz, se po merrej me cikërima, se kur njeriu flet pa letër bën dhe lapsuse.

Pikërisht tek lapsusi ua kam, vazhdoi Lilua gjithë qejf. Frojdi thotë se nuk ka lapsus të rastit, të gjithë burojnë nga subkoshienca, herë nga dëshira të fshehta, herë nga frikëra të brendshme.

Ta vësh veten mbi partinë, mbi opozitën, vetëm një shkallë para Shqipërisë, - u nervozua Lilua -, ose je delirant, ose të ka hyrë frika në palcë e do t'i japësh zemër vetes.

Naqja e kundershtoi dhe i tha se frojdizmat nuk sjellin gjë të hajrit, se do qe më pranë të vërtetës po të analizonte me mjete më bashkekohore, ta shihte psh si strategji komunikimi.

Per 3 vjet, vazhdoi Naqja, Berisha i bëri hije Bashës. Shumë e vinin në dyshim ishte a s'ishte kryetar. Tani puna ia do të afirmohet si lider me dorë të fortë, ndaj e ka të nevojshme të flasë edhe për veten, me emër e mbiemër.

Po, po, ironizoi Lilua dhe deklamoi: Ne, car Aleksandri i parë...

Naqes i hipi tensioni dhe, duke iu marrë goja i tha se Frojdi është vjetëruar e s'mund të përdoret si kobure, shumë shumë mund të përdoret si pisqollë me strall, vetëm për zbukurim a për të demonstruar dituri.

Edhe juve për kobure e xhephane ju qaka zemra, qeshi kamarjerja dhe bëri me kokë nga banakieri, ushtarak në pension.

( Nga cikli 'Kafe për llafe' )

Article Logic
Execution time: 0.0023272037506104
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-77410" }