Bie ndjeshëm tregtia me pakicë, shitja e ushqimeve dhe pijeve

Publikuar tek: ekonomi, më 12:06 13-06-2017 Bie ndjeshëm tregtia me pakicë, shitja e ushqimeve dhe pijeve

Tregtia me pakicë ka qenë në ulje tremujorin e parë të këtij viti. 

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë 2017, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 2,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Ngadalësimi ka ardhur nga rënia e volumit të shitjeve në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”.

Ky është niveli më i ulët i rritjes vjetore, i konstatuar të paktën që nga tremujori i parë 2016. Në tremujorin e parë 2016 indeksi i volumit të shitjeve me pakicë ishte rritur me 4.2% me bazë vjetore, në të dytin me 6.7%, në të tretin 6.7% dhe në tremujorin e katërt 2016 kërceu me 8.2%.

Kjo tendencë është në linjë me ecurinë e TVSH-së së brendshme, që ka qenë e dobët, madje edhe negative në muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të mëparshme të publikuara nga Ministria e Financave. Të ardhurat nga TVSh e brendshme për tremujorin e parë u rritën me 4.5% me bazë vjetore, ndërsa në mars zgjerimi vjetor ishte vetëm 0.1%. Në tremujorin e parë 2016, të ardhurat nga TVSh e brendshme ishin rritur me 27.5%.

Sipas INSTAT në  tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka  pësuar një rritje prej 2 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është ulur 0,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016. Kjo është hera e parë nga të paktën tremujori i parë 2016, që ky tregues kthehet negativ, duke treguar krizë të konsumit, por duke reflektuar dhe largimin e njerëzve nga vendi.

Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 3,3 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.

Article Logic
Execution time: 0.012995004653931
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-82309" }