Reagimet pas medaljeve të presidentit Nishani: Po ti je mjeshtër o Petrit Lulo

Publikuar tek: kulture-art, më 20:06 15-06-2017 Reagimet pas medaljeve të presidentit Nishani: Po ti je mjeshtër o Petrit Lulo

Pas dekoratave që lëshoi dy ditë më parë Presidenti Nishani në vend është hapur një debat i gjerë publik, lidhur që me ata që u vlerësuan dhe nuk e meritojnë, dhe për ata që nuk u vlerësuan por që në fakt e meritojnë.

Një ndër reagimet me të fundit që vjen në këtë kontekst është edhe një shkrim i specialistit të trashgimisë, Sejmen Gjokoli. Në reagimin e tij Gjokoli shkruan se dekoratat e presidentit Nishani i janë dhënë njerëzve që janë në oborret e partive, dhe janë eleminuar njerzit e vërtetë të vlerave.

Komenti i plotë i Sejmen Gjokolit:

PO TI JE KRYEMJESHTËR, O PETRIT LULO !

E di që do jesh mërzitur ose të paktën do ta keshë tundur ca herë kokën me habi, o miku im i mirë.

E di që se si të ngjan vehtja kur dëgjon e shikon ç'farë ngjet e bëhet në oborrin e kryeshtetasit tënd, timin e tonin, aty në presidencë.

E ndjej dëshpërimin tënd të heshtur e të pa shfaqur kur të duhet të lexosh emrat e një aradhe të dekoruarish për kontributet e tyre në këngë e në art, ku e ku më poshtë se të tuat..

E di që je duke menduar që je pa shokë e pa miq, edhe pse ke gati gjysëm shekulli që ke kënduar e këndon si bilbil.

Edhe pse ke një jetë të tërë që bilbilat e malit, nga mbi degë e gjethe  blerimeplota, nga buza jote, i ke zbritur në skena.

Edhe pse melosin më të ëmbël, po atë më të ëmblin fare, të viseve jugore sidomos, e ke derdhur si asnjë tjetër këngëve të tua.

Madje në qoftë se është nga thotë, të paktën "zogën e Libohovës-o" duhet ta ketë dëgjuar edhe vetë dekoratadhënësi që medaljet hie rënda i katandisi si pafille pa vlerë.

Të paktën ta ketë dëgjuar këtë, se " Një komb, një Flamur", jam i sigurtë që nuk e ka dëgjuar...As ay e as të tjerë propozuezxhinj.

Duke përjashtuar ca emra vërtet të nderuar e respektuar  nga të gjithë, shumë prej tituje të ngjajnë si qoka të radhës, rekomanduar nga lloj-lloj  sekserësh rreth e rrotull oborrit.

Ndaj hiç mos u mërzit e mos kij gajle, miku im i këngës së madhe popullore, i melosit më të kulluar të trashëgimisë tonë shpirtërore.

Ti e të tjerë si Ti kudo që kanë qenë e janë kësaj Shqipërie, krijues e interpretë të rrallë të këngës së popullit, e kanë marrë me kohë Dekoratën e Madhe, atë të Mirënjohjes mbarë kombëtare.

Se Ti nuk je mjeshtër por Kryemjeshtër, o Petrit Lulo, o bilbil i këngës shpirtërore shqiptare!

Article Logic
Execution time: 0.01742696762085
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-82647" }