"Shën" i përkohshëm konflikti dhe tutor elektoral

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:06 25-06-2017

Nga Aleksandër Çipa

Presidenti i ri i vendit, i cili ende nuk është futur në Presidencë, ka vetëzgjedhur në procesin e sotëm  zgjedhor, rolin e një "kalorësi me eskortë" në mbrojtje të votave të Partisë së tij. Me urgjencë udhëtoi nga Tirana në Lezhë, duke i'u drejtuar lezhjanëve se ka shkuar me eskortën e vet për të garantuar votën e tyre. Këto vota ai i pretendon se në shumicë i përkasin partisë së vet, LSI. Ky episod dhe gjuha e përdorur gjatë 10 ditëve të fundit të fushatës zgjedhore , e ka përcaktuar qartazi si kundërshtar të ri politik të kryeministrit aktual Edi Rama. Konflikti politik mes Ilir Metës dhe Edi Ramës paralajmëron kapituj shtesë në periudhën e afërt, post zgjedhore. Këta kapituj zoti Meta po i skicon në varësi të tri faktorëve të rinj që do të krijohen. Ata janë, së pari; rezultati zgjedhor, së dyti; pozita dhe roli që do të kenë në skenën e re politike të pas-zgjedhjeve të 25 qershorit dhe së treti; pozicioni në raport me Parlamentin, Ekzekutivin dhe institucionet kushtetuese dhe ato politike që do të ketë vendi.

Plaku "i regjur" i konfliktit tranzicionist Sali Berisha, duket se e ka deleguar këtë "aftësi" në mënyrë të zgjuar. Nuk ia la trashëgimni pasuesit të vet në Partinë Demokratike Lulëzim Bashës. Shumë cilësi, për një barë të tillë, nuk i përmbush e mbart dot zoti Basha. Mirëpo, pa nevojë ceremoniale, duket se po i shijon të rishfaqen tek aleati i shpallur dhe i pashpallur sipas kohëve, pra tek Presidenti i sapozgjedhur Ilir Meta. Këtë pagëzim të ri, Ilir Meta duket se e ka vetëzgjedhur dhe pozita e ardhme ka gjasa t'ia lerë relativisht gjatë në fuqi.

Disa premisa dhe fakte që lidhen me ditën e sotme zgjedhore, mund të jenë pjesë e pretekstit dhe argumenteve se Ilir Meta ka hyrë në një kapitull të ri të jetës së vet politike. Për këtë kapitull rishfaqjen si politikan i fortë, agresiv, stresues dhe kërcënues të kundërshtarit po e sendërton si në "kohë të Saliut". Madje pa braktisur edhe sindromin e përfshirjes në akuzën politike edhe politizimin e segmenteve apo institucioneve të shtetit. Njëjtësisht si sot zoti Meta me titullarin e Policisë së Shtetit, sillej dikur, zoti Berisha me Policinë, Prokurorinë apo drejtuesit e institucioneve të pa-varura kushtetuese. Në këtë kuadër, profili i tij i ri si protagonist për t'u përballur me konflikt me  çdo provokim të pretenduar, po nis një rrugë të re politike.

Kundërshtari i tij i hapur, tashmë është Edi Rama. Kjo është arsye e mjaftueshme që qëllimi i tij në këtë marrëdhënie të prevalojë në raport me synimin politik të partisë që drejton deri në datën 24 korrik të këtij viti. Mirëpo "armët e vjetra që përdoren në luftë të re" kanë të përbashkët plumbin dhe vrasjet e plagosjet, por jo llogoret dhe kundërshtarët". Nga kjo pozitë, logjika e sotme e përballjes Meta-Rama, e refuzon stilemën e vëlla-vrasjes. Politikisht ata janë më të ndarë se sa Rama-Basha. Madje ky raport rishtar e luajal, mes këtyre dy të fundit, e bën edhe më të pamundur shpresën e zotit Meta për një  keqçertifikim të procesit zgjedhor 2017.  I vetmi faktor aleat spontan me të, mund të jetë pjesëmarrja e ulët e zgjedhësve në votim. Këtë lexim tashmë e ka kryer kryeministri i sotëm Rama, përderisa përsëritshëm apelon për pjesëmarrje në votime. Në emër dhe për arsye të kësaj, zoti Meta po rend të  vetëpagëzohet si "Shën konflikti" i përkoshëm  në skenën e sotme zgjedhore dhe ditët deri në hipjen zyrtarisht në karrigen presidenciale. Deri në atë ditë, ai ka kohë të shijojë të pritshmet dhe të papriturat e jetës së re politike në vend dhe sidomos në jetën e re institucionale e  politike të Shqipërisë. Por deri atëhere po preferon të shfaqet si "shën-konlfikt" i përkohshëm nën detyrimin e si tutor elektoral i Partisë që vetëkrijoi.

Article Logic
Execution time: 0.0024020671844482
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-83868" }