Modelit më të mirë të agroturizmit “Mrizit të Zanave” i refuzohen subvencionet!

Publikuar tek: ekonomi, më 13:07 07-07-2017 Modelit më të mirë të agroturizmit “Mrizit të Zanave” i refuzohen subvencionet!

Mrizi i Zanave, një model biznesi i bazuar në agroturizëm, tashmë është një emër i njohur për shumicën e shqiptarëve, për gatimet e shijshme bio, servirjen dhe kombinimet e veçanta të produkteve të zonës dhe pamjet joshëse të natyrës së fshatit.

Por më shumë se sa për luksin që kanë sjellë në kulinarinë tradicionale të zonës, djemtë e Mrizit kanë injektuar një model biznesi fizibël, duke krijuar ekonominë e shkallës, e cila ka maksimizuar fitimet dhe ka rigjallëruar zonën përreth, duke sjellë në dimensione krejt të tjera bujqësinë dhe shërbimet në një zonë të zakonshme fshati dhe duke ofruar mundësi punësimi për banorët e zonës.

Në përpjekje për t’i shtuar ciklit të biznesit një baxho, thertore dhe një impiant të përpunimit të reçelrave, administratorët janë refuzuar nga subvencionet nga fondet daneze që menaxhohen në Rajonin e Shkodrës nga GIZ dhe AZHBR (Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural).

Altin Prenga, administratori i Mrizit të Zanave, më shumë se sa i revoltuar, ndihet i fyer nga përgjigjja negative. Ai posedon një kulturë perëndimore nga të jetuarit jashtë vendit dhe njeh mirë rregullat dhe caqet e shtetit.  “Para se të aplikoja për projektin rreth 10 milionë lekë, 50% e të cilave do të vetëfinancoheshin, pyeta për të gjitha kushtet dhe kriteret. Për të qenë sa më korrekt punësova një konsulent dhe shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit më kushtuan 200 mijë lekë. Pasi gjithçka qe gati me dokumentacionin, përgjigjja për fondin nuk po vinte dhe më pas mora refuzimin”, – tha zoti Prenga, i kontaktuar nga Monitor. Argumenti që i kishin dhënë lidhej me faktin se nuk duhet ta kishte bërë aplikimin në Shkodër, por në Lezhë, ndonëse ai kishte pyetur që në fillim për procedurat dhe kishte shpenzuar mjaft kohë, duke u marrë me dokumentacionin.

Ai tha se është e dyta herë që refuzohet të ndihmohet me subvencione. Më herët kishte kërkuar nga AZHBR financime për sistemin ujitës të vreshtës që është ngjitur me Mrizin, por aplikimi u refuzua, teksa para pak ditësh ka marrë refuzimin e dytë.

“Shpeshherë në konferenca apo takime me tematika të zhvillimit rural, nga projekte të vendeve të Bashkimit Europian është lakuar emri ynë, herë si shembull, duke lënë të kuptojmë sikur të ishim partnerë ose përfitues të atyre miliona eurove që janë derdhur në Shqipëri. Nuk është aspak e vërtetë! Mirënjohja u shkon vetëm klientëve tanë, falë tyre ne do të vazhdojmë ëndrrën tonë bujqësore”, – thotë Prenga.

Planet janë mbresëlënëse. Në Fishtë, jo shumë larg Mrizit janë godinat që më parë në kohën e komunizmit kanë shërbyer për ish të burgosurit politikë. Planet janë për ta shndërruar në baxho ku do të grumbullohet bulmeti i zonës dhe më pas të ofrohet për konsum në mënyrë të standardizuar. Një nga godinat do të jetë thertore, ku kafshët që do të përpunohen për llogari të Mrizit të kenë një ambient të rregullt dhe më shumë siguri për konsumatorët.  Gjithashtu një manifakturë e vogël është parashikuar të ngrihet për të përpunuar frutat e zonës në reçelra.

Prenga thotë se para së gjithash është planifikuar ngritja e një ambienti të posaçëm për fermerët e zonës ku ata të marrin trajnim për kulturat që duhet të mbjellin dhe përdorimin e pesticideve. “Gjithashtu në planet tona të afërta është ngritja e një laboratori për analizat bio”, – thotë Prenga.

Kohët e fundit, agjencitë turistike e kanë përfshirë Mrizin si pjesë të itinerareve dhe ky lloj shërbimi po ecën shumë mirë. Është mjaft interesante, që ish-burgu i diktaturës që po kthehet në minifabrika veç të tjerash do të jetë një destinacion interesant edhe për turistët./ Monitor

Article Logic
Execution time: 0.0024781227111816
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-85371" }