Sa pak vlen jeta…

Publikuar tek: analiza-komente, më 07:07 10-07-2017 Sa pak vlen jeta…

Nga Ilir Hoxholli

Kam kohë që thuajse çdo ditë ngre shqetësimin se një temë për mediat do të ishte; a duhet të publikohen rastet e vetëvrasjes nga të rinjtë? 

Nga rast i parë i publikuar brenda katër ditësh, kanë vetvrarë veten katër të rinj. E pra, këtu duhet të kishim uluritur, duhet të kishin shpërthyer shkrimet për të parandaluar tek të rinjtë këtë fenomen shekspirjan që po na i merr vajzat dhe djemtë në kulmin e moshës.

E çfarë na qenka më e rëndësishme se jeta në këtë vend?

Duhet të vetëvriten për dritat, që nuk i paguajnë dot që të ngrihet opozita?

Duhet që të na vetëvriten për gjendjen ekonomike që të lexojmë reagime?

Po pozita pse hesht, derisa nuk po vriten për gjendjen ekonomike?

Duhet të ishim çuar të tërë në këmbë. Mediat janë faktori kyç që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Duhet të merren vesh për mospublikimin e ketyre lajmeve, sepse të rinjtë në momente depresioni e shikojnë si efekt domino këtë, si zgjidhje. Duket sikur gjëja e vetme që ia vlen të vdesësh në këtë vend qenka “dashuria”.

A duhet të heshtim?

Nesër mund ta kenë radhën fëmijët tanë. Çdokush ka momente të dobësisë, por kemi patur dikë të na këshillonte se ky moment është i përkohshëm. E ndërsa sot, shoqëria është zëvendësuar me rrjetet sociale le t’i shfrytëzojmë për t’i këshilluar të rinjtë. Heshtim duke menduar se fëmijët tanë i kemi mirë. Ju garantoj që edhe ata fëmijë që u vetvranë mirë kanë qenë, biles edhe të lumtur në fillimet e “dashurisë” e më pas, gjithçka ndryshoi rrjedhën e jetës deri në mbylljen e saj.

Komunitetet fetare duhet të dalin e t’u shpjegojnë njerëzve se vetëvrasja është prej dënimeve më të rënda. Ky është debati që duhet të organizohet në panele, me shkrime nëpër portale.

Sa pak paska vlerë jeta e një vajze nga Puka apo e një djali nga fshatrat e Fierit?

Mbase një ditë, gjithesecili prej nesh ka nevojë për një fjalë (status) të mirë, dikush ka nevojë për një buzëqeshje tonën, nëse në dashurinë e të rinjve humbet një i dashur apo e dashur, tregojuni se ka shumë të tjerë që i duan, duke filluar nga nëna, që do të jepte gjithçka.

E përsa kohë interesohemi se si po kalojnë pushimet njerëzit publikë, të paktën 10% kushtojini vëmendje të rinjve që po na ikin me “pushime” pa kthim…

Article Logic
Execution time: 0.0023670196533203
array(1) { ["section"]=> string(13) "article-85600" }