Artistja Justina Aliaj i tregon të gjitha, flet për ngacmimet seksuale në diktaturë

Publikuar tek: kulture-art, më 06:40 24-10-2016 Artistja Justina Aliaj i tregon të gjitha,  flet për ngacmimet seksuale në diktaturë

Pas festivalit të 11­të, Justina Aliaj nuk e mbushi kurrë boshllëkun që i la mungesa e artit e megjithatë, pas viteve ’90­të, në kohën e lirisë, zgjodhi të largohej.

Shtypjet e vazhdueshme, e bën të zgjedhë të ardhmen e mirë të fëmijëve. Për vite me radhë nuk e pamë e dëgjuam këngëtaren e aktoren Justina Aliaj. Vitet e fundit, daljet e saj në skena kanë qenë më të shpeshta. Ka arritur të realizoj ëndrrat që dikur ja lanë në mes. Sot, në këtë intervistë të gjatë, Justina tregon për të gjitha.

Që nga fëmijëria e largët kur nisi të interpretonte role fëmijësh, e deri te peripecitë e kohës që nuk ju gëzuan dot. Për herë të parë Aliaj flet edhe për anët e hamendësuara por të pa zbardhura të rretheve artistike të kohës! Sigurisht që më fshehtë se sot por avantazhet që kishin disa vetëm sepse ishin më ‘të gatshme’ se ca të tjera, kanë ekzistuar gjithmonë. Për diktatorin, ngacmimet seksuale dhe vajzat e privilegjuara, aktorja shkodrane flet për “Panorama”.

 Si e keni nisur karrierën artistike?

E kam nisur në lagjen “Arra e Madhe”. Kam qenë shumë e vogël. Në teatrin e fëmijëve kemi luajtur “Borëbardha” me çarçafë, ajo mënyrë e famshme e Shkodrës për të bërë teatër, karnavale, koncerte, qoftë edhe për të luajtur prindërit tanë arrash me njëri­tjetrin në rrugicë. Kështu ka nisur… krejt thjesht. 

Si u evidentuat?

Kam qenë në shkollë, në klasën e parë. Më ndau veçmas profesori dhe më tha: “Eja këtu more djalë”, se isha si djalë. “Hajde të të dëgjoj”, më tha. Kështu, më pas kam shkuar në Shtëpinë e Pionierit dhe kam luajtur teatër shumë. Ndërsa si këngëtare më ka zbuluar Tonin Daija. Kemi punuar opereta apo teatër me Kolë Shtjefnin.

E kujtoni këngën e parë?

 Po. Është në Festivalin e parë për fëmijë. Ishte kënga e Aleksandër Garxholës me titull “Aviatori”. Ishte shumë këndshëm, festë e qytetit. Në festivalet tona kanë ardhur “të mëdhenjtë”, nuk e dihet çfarë bëhet sot. Në klasën e 7­të më doli bursa për të shkuar në Liceun Artistik. Atje aktiviteti ishte më i madh. Shpalosa talentin tim sepse deri atëherë e mbaja si të ndrydhur muzikalisht. Studioja për muzikë, por nuk e lash edhe teatrin. Në teatër më dhanë çmimin e parë si aktore dhe më pas kalova në teatrin dramatik. Gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë edhe në festivale, deri sa mbaroi ashtu si mbaroi. Besoj i referoheni Festivalit të 11­të.

Çfarë ndodhi atëherë?

Asgjë. Besoj ne ishim avangardë dhe si gjithmonë mendoj se pema me fruta gjuhet. Ne u gjuajtëm të gjithë. Ishte shumë herët. Sa ju kushtoi në karrierën tuaj? Nuk e pashë për 18 vite televizionin, apo të isha e lirë në skenë.

Si i kaluat ato 18 vite?

 Me njerëz që më njihnin, më donin… Ndokush kishte frikë të fliste me mua. Ballafaqoheshe me shumë probleme.

 I dhimbshëm largimi nga skena?

Sigurisht që po. Artisti është artist. Artisti i vërtetë del kudo, por artisti i vërtetë ama, se tani has një realitet tjetër. Shkodra ishte plot me artistë të vërtetë.

Por disa i përzgjodhi diktatori Enver Hoxha?

Po, kishte të privilegjuar, por jo të gjithë ishin të aftë. Ne në qarqet tona e dinim kush ishte i afti dhe kush ishte i privilegjuari. Kishte nga ata të privilegjuar që nuk ishin artistë të vërtetë? Sigurisht që po, por s’mund të jap emra, e ndaluar rreptësisht. Kjo nuk mund të ndodhë me mua. Ata e dinë vetë në radhë të parë a e meritojnë apo jo.

Kishit atëherë kontakt me diktatorin?

Jo, asnjëherë. Vetëm kam kënduar përpara tij, por s’jam takuar asnjëherë. Nuk isha unë ajo që duhej të takohesha me të.

Pse ju dënuan?

 Ishte absurde ta mendoja se pse po dënohem. Asgjë nuk kisha bërë. Ne u munduam të ecnim me kohën pa shtrirje gjeografike. Në qoftë se kudo në botë muzika ecën dhe arti ecën, me këtë normë dhe me këtë temp u munduam të ecnim edhe ne, por kjo nuk ishte për atë sistem. Nuk e kuptuam realitetin që ishte. Po ta kuptoja, nuk do të kisha kënduar ashtu se është turp t’i biesh në dorë, pse të gënjej. Nuk e kuptuam sepse ishte kaq e virgjër, ishte kaq bio, saqë nuk ia merrja borxh asnjeriu, dilja me aftësitë e mia. S’kisha nevojë t’i ngjaja askujt, s’kisha nevojë të kopjoja askënd. Unë kisha bindjet e mia, shinat e artit tim që ndiqja. Kjo ishte, s’kishte arsye.

Ç’mendoni për ato që gjetën të bënin karrierë si “të privilegjuarat” e sistemit?

 Ishte e neveritshme. As nuk e kam dashur kurrë dhe as nuk e kam bërë kurrë, nuk ishte rruga e duhur. Nuk ishte arti i vërtetë, por një art që i shërbente një elite. Kaq. Ne nuk iu përgjigjëm dot asaj.

Shumë artistë dolën dhe panë Europën, mërziteshit që s’ishit asnjëherë në listë?

 Jo, nuk mërzitesha, por gjithmonë artisti i shkretë ka diçka brenda tij, është si fëmija. Një natyrë shumë e butë… Kisha shpresa se do të vinte ajo dita ime dhe mendoja me vete se do të dal këtu, aty, edhe jashtë shtetit. Ishte një gjë që çdo artist e bën, është kuzhina e brendshme…

A e spiunonin artistët njëri­tjetrin? Sigurisht që po. Ishte e zakontë. Si ruheshit ju, kishit frikë?

 Nuk duhej të flisja. Në qoftë se flisja, nuk flija rehat pastaj.

 I keni njohur ju ata artistë që kanë spiunuar?

Ato ishin gjëra që ne i kuptonim, i dinim.

Sa e vështirë ishte të jetoje në atë realitet?

Nuk ishte realitet, ishte një jetë rrenash. E neveritshme. Do të dilje që nga mëngjesi deri në darkë për të gënjyer dhe jo për të qenë vetvetja. Ndodhte që të shkoje dhe të thoshe se kam dëshirë të këndoj një këngë angleze dhe ata çohen dhe bëjnë mbledhje partie. Nuk e kuptoja, sepse nuk po kërkoja diçka thua se çfarë.

Ruani miqësi me ata artistë që në atë kohë ishin të privilegjuar?

 Të them të drejtën miqësi s’mund të kem me ta. Sigurisht që, kur më ofrohen flas me ta, bëj sikur ka kaluar gjithçka, bëj sikur nuk e di sepse nuk më duhet ajo pjesë fare, më duhet vetëm çfarë flet me mua. Është energji e keqe.

Pas viteve ’90 lulëzuat sërish në art, por ikët?

Pas viteve ’90 mua m’u dogj besimi dhe ktheva shpinën, ika, u largova. Është një dhimbje e madhe, një përzgjedhje për të shpëtuar fëmijët, se nuk bënte që ata të vazhdonin këtu kur m’u dha mundësia. Ndaj edhe qëndrova shumë vite pa ardhur fare. Një artiste e madhe si ju që mund të kishte gjithçka pas viteve ’90, pse ikët? Se m’u dogj besimi. Kjo ishte. Edhe sot kam një dhimbje të madhe kur shoh një realitet që shpresoja të ishte më mirë. Shpresoja të ishte shumë mirë, flas edhe për artin.

Jeni penduar që keni sakrifikuar artin për familjen?

 Jo, asnjëherë. Edhe 100 herë po të më jepej rasti, atë zgjidhje do të bëja. Çfarë faji kishin ata që vura në prehër. Mirë unë, por fëmijët pse? Asnjëherë nuk u pendova.

Megjithatë keni qenë në skenë, pavarësisht se jetoni jashtë Shqipërisë?

Patjetër që po. Kam pasur shumë raste të bukura ku kam interpretuar, ka qenë shumë bukur. Gjithmonë me mall dhe e pashtershme. Arti është i pashtershëm. Më vjen keq që deri në fund të jetës time nuk kam për të mundur që të shpreh atë që mundem, atë që di, atë që kam forcë të bëj dhe më vjen shumë keq.

Mes dy kohërave të ndryshme asaj diktature të rrepte dhe kësaj demokracie të brishtë a ndiheni një artiste e plotësuar?

Të flasësh sinqerisht se a i kam thënë të gjitha përmes artit tim, nuk i kam thënë të gjitha. Nëse më thoni në brendësinë time apo pjekurinë time, natyrisht që ndihem e plotësuar. Nuk dua të shes mend, por mendoj se ndihem e plotësuar si artiste. Natyrisht që kam gjëra që duhet të shoh, t’i përgjigjem sa një herë jam e rreptë me vetveten që atë që di ta bëj e bëj dhe atë që nuk di nuk e marr përsipër. Gjithmonë është kjo që dikush e ka pikë në zemër dhe ka artistë që nuk mund ta thonë dhe kjo për asgjë tjetër, por vetëm për xhelozi. Mbajeni mend këtë që ju them, nuk paska asnjë formë tjetër, xhelozi ekziston në të gjitha kohët. Sot është më e ashpër, prek një realitet që më mahnit, më mrekullon për keq.

Mund ta shpjegoni më thjesht?

 Po. Nëse bën një shoë, e bën shumë bukur, të do i gjithë publiku dhe rri 5 minuta në skenë, duke duartrokitur në këmbë. Kur mbyllet shfaqja, këpusin duartrokitjet dhe mundin të më prishin edhe zërin dhe të thonë t’i guxove të këndosh bukur, ta tregoj unë ty dhe çfarë nuk bëjnë pastaj. Ama ata nuk e dinë që artistin në pisllëk ta fusësh ajo pika e vajit do të dalë në krye. Vetëm janë mjeranë, me të vërtetë mjeranë, ata që i bëjnë këto gjëra.

 Si ju duket Shkodra sot?

Shkodra është nusja ime, ajo gjithmonë nusnon. Nuk kam qejf t’ia shoh që nganjëherë fustani i bëhet pis. Ashtu si është në shpirtin tim, mundohem ta pastroj. Mundohem sikur një fjalë të mirë ta them kur shoh një teatër, çfarë më pëlqen e çfarë jo apo çfarë do të dëshiroja të shihja në skenën e teatrit “Migjeni”. Në përgjithësi kam menduar se do të ecet më shumë. E shoh se, siç themi ne në Shkodër “shkon loja tuj mbyll vedin”. Është shumë absurd, është shumë gjynah, një ekuacion me shumë të panjohura, kur Shkodra është një gjak që lëviz. Shkodra leu e talentuar, por Shkodrës i është heq dera për të bërë teatër të bukur, muzikë të bukur. Pse i hiqet kjo, nuk e di. Shumë herë e shoh të paplotësuar, mungojnë shumë gjëra dhe nuk mund të gënjej, por kjo është e vërteta që has. Është e çuditshme se si në Shkodër nuk ka më një teatër, një muzikë apo një lojë bio. Unë asaj i falem. Dhe ti s’mundesh t’më gënjesh kur hyp në skenë. Unë të shoh menjëherë a je i sforcuar, a bën gjoja apo jo.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Sot ditëlindja e At Gjergj Fishtës, përvjetori i 145 i lindjes së tij
Nis rikonstruktimi i dy kishave në Boboshticë, vlera të mëdha në pjesën ndërtimore dhe në pikturën murale »
Article Logic
Execution time: 0.026357173919678
array(1) { ["section"]=> string(88) "artistja-justina-aliaj-i-tregon-te-gjitha-flet-per-ngacmimet-seksuale-ne-diktature-57188" }