“Atentati”/ Doshi: Me vrasësin më prezantoi deputeti Frroku

Publikuar tek: politike, më 21:55 05-03-2015 “Atentati”/ Doshi: Me vrasësin më prezantoi deputeti Frroku

Deputeti Tom Doshi ka zbuluar detaje të reja në lidhje me atentatin e pretenduar nga ai së është organizuar nga kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Gjatë një interviste për “Top Story” në Top Channel, Doshi ka thënë se ishte deputeti Mark Frroku ai që e ka vënë në dijeni për atentatin e organizuar ndaj tij dhe ka qenë pikërisht Frroku ai që e ka prezantuar me personin e paguar për ta vrarë, Durim Bamin. Sipas Doshit, ka qenë Bami ai që më pas i ka treguar porositësit e vrasjes.

Doshi ka thënë se personin e parë që ka informuar për këtë ngjarje ka qenë gruaja e tij, duke i thënë se “nëse na ndodh diçka, duhet ta dish që e kemi nga Meta”.

Duke folur për videon e publikuar prej tij, Doshi ka sqaruar se Durim Bami ka qenë në dijeni se po filmohej, por ka mohuar se ka ushtruar ndaj tij presion psikologjik. 

Intervista me Tom Doshin:

Zoti Doshi unë sapo pashë videon që ju keni regjistruar me vrasësin me pagesë të pretenduar nga ju dhe të paguar sipas vrasësit dhe sipas jush nga Ilir Meta dhe një plani vënë në ekzekutim nga një seri emrash që i përmendi edhe Ministri Saimir Tahiri gjatë konferencës për shtyp. Desha që për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, kjo është një video e regjistruar nga ju. Durim Bami a ka qenë në dijeni se biseda po regjistrohej?

Deputeti Tom Doshi: Po ka qenë.

Sokol Balla: A ka qoftë mundësinë më të vogël që për shkak se ai e dinte që intervista po regjistrohej, të ketë qenë në një farë presioni prej jush?

Deputeti Doshi: Jo, asnjëherë!

Sokol Balla: Ju me Durim Bamin i referoheni një bisede në të shkuarën që keni bërë me Kryeprokurorin Adriatik Llalla, pra intervista është bëra pas takimit me Adriatik Llallën?

Deputeti Doshi: Po.

Sokol Balla: Dhe është bërë para takimit të dytë tuajit dhe Durim Bamit në zyrën e Tahirit?

Deputeti Doshi: Këtë nuk mund ta përcaktoj. E kam takuar aq shumë atë Durimin këtë kohë. E kam kontaktuar përditë sepse mendoja që po e eleminojnë sepse mendoja që ata e morën vesh që ky ka bërë takim me mua dhe ishte i vetmi dëshmitar që njihte ndërmjetësin mes Ilirit dhe Durimit, që ishte Toni. Toni, Durimi dhe grupi tjetër.

Sokol Balla: Të qendrojmë pak tek mënyra se si ju ratë në kontakt me vrasësin e pretenduar prej jush, Durim Bamin. Pra si ndodhi, si erdhi tek ju?

Deputeti Doshi: Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj se është një problem urgjent. I thashë që për dy ditë kthehem. Kur u ktheva më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për drekë e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës.

Sokol Balla: Do t’i rikthehemi raportit, për mua të çuditshëm që keni me Ilir Metën, në kuptimin që të paktën jeni konsideruar gjithmonë një njeri i afërt me këtë. Të qendrojmë pak tek personazhi i bisedës tuaj, Durim Bami. Thatë që ishte Mark Frroku personi që ju telefonuar dhe ju tha që e njihte Durim Bamin. Mark Frroku është deputet i Partisë Kristiandemokrate, është një ndër njerëzit tuaj më të afërt, keni bashkëpunuar ngushtë gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 dhe prap nuk them ndonjë sekret të madh që zoti Frroku ndoshta ju detyrohet gjysmën e mandatit ju në Qarkun e Shkodrës. Zoti Frroku, jo ai personalisht ka një problem me drejtësinë, vëllai i tij, Arben Frroku që akuzohet për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj. Një nga personat i akuzuar zyrtarisht nga prokuroria si bashkëpunëtor dhe ndihmues i Arben Frrokut është një person, s’e di tamam mbiemrin, por që akuzohet se ka ndihmuar zotin Frroku duke vjedhur makinën me të cilën ai ka realizuar vrasjen e Dritan Lamaj. Sipas burimeve jozyrtare të prokurorisë, jam informuar se Durim Bami është shok me këtë person, si ndihmues i Arben Frrokut në vrasjen e Lamajt. A keni dijeni, a keni folur me Arben Frrokun që ju tha se e njihte Durim Bamin, rrethanat, kishte apo jo lidhje me këtë person të akuzuar si bashkëpunëtor, si ndihmës në vrasjen e Dritan Lamaj?

Deputeti Doshi: Nuk kam dijeni as nuk e di se kush ka qenë i ndaluar për punën e makinës.

Sokol Balla: Është një person që aktualisht rezulton i rrëmbyer nga policia, është rrëmbyer pak kohë më parë dhe një nga dëshmitarët kyç në proçesin ndaj Arben Frrokut.

Deputeti Doshi: Durimin e kam takuar vetëm njëherë me Markun. Më pas i kam bërë takimit gjithmonë vetëm.

Sokol Balla: Pra roli i Mark Frrokut në këtë histori është thjeshtë prezantimi që ai të ka bërë me Durim Bamin?

Deputeti Doshi: Vetëm kaq.

Sokol Balla: Pse i besoni kaq shumë versionit të Durim Bamit?

Deputeti Doshi: Për të vërtetuar këtë pasi u ktheva nga pushimet më mori Mark Frroku dhe më tha shkojmë pijmë një kafe. Ishim tek hyrja kryesore e “Sheraton”. Më thotë që po vjen një djalë me një bluzë portokalli me syze dhe ky është personi që të ndjek ty. Aty po rrija jashtë. Erdhi ky djalë me bluzë portokalli, me syze, më pa aty, u kthye dhe iku. Kur dola i thashë Markut do të ecim në këmbë. Ky djali me bluzë portokalli po priste në makinë. Vazhduam rrugën, unë hipa në makinën time dhe atë natë, nuk i rashë nga Ministria e Shëndetësisë, por i rashë nga rruga Qemal Stafa. Kur erdha te porta e shtëpisë, kur frenoi shoferi te dritat pashë këtë djalin me bluza portokalli.

Sokol Balla: Kush ishte ky sipas informacioneve që more më pas?

Tom Doshi: Ky është Rezi, i thonë këta. Djali i xhaxhait të Tonit dhe ky ishte personi që më ndiqte mua kudo.

Sokol Balla: Pra kjo është prova që ju konfirmoi se rrëfimi i Durim Bamit ishte i besueshëm.

Deputeti Doshi: S’e kisha takuar akoma Durimin. I thashë Markut ta takoj njëherë këtë person, a pranon të më takojë? Po më tha Marku. E takova një natë dhe ai rrëfeu të gjithë ngjarjen. Është një djalë, është në moshë dhe e ka emrin Toni e ka një restorant Viva. Ai më ka ardhur në emër të Ilir Metës, jo se i ka thënë që vij në emër të Ilirit, por i ka thënë që porosia është për Ilirin. I ka thënë janë 500 mijë euro për Tomën. Është edhe në video, kur i kanë thënë njëherë 200 mijë, e më pas i ka thënë që dua 500 për Tomën dhe 100 mijë për Mhill Fufin se kanë menduar që Mhilli është kollaj se ikën natën vetëm në shtëpi se e kishin marrë informacion edhe lëvizjet e Mhillit. Me thënë të drejtën, duke bërë lidhjet që edhe Mhilli meqë u vra një person që ishte me Monikën në zgjedhjet në Laç…

Sokol Balla: I referoheni ngjarjes së vetme të dhunshme të zgjedhjeve të 23 qershorit?

Deputeti Doshi: Këtë të gjorin, që nuk jeton më, më pati thënë edhe Iliri njëherë që e kemi pasur shumë mik. Njëherë më pat thënë që vajza ime e vogël akoma e përmend, kaq shumë e ka dashur. Unë bëra lidhjen që thashë; mirë për mua po them që s’është e vërtetë, po për Mhillin? Unë bëra lidhjet që i njëjti person ka bërë një porosi për të dy.

Sokol Balla: Tahiri në deklarimin e tij ju akuzon ju se keni ndryshuar në dy raste ose më shumë versionin tuaj mbi autorësinë. Në fakt edhe në bisedën e regjistruar me Durim Bamin ai referohet një tavoline miks, ku shfaqet Eugen Beci, tashmë ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe i transferuar nga Adriatik Llalla, shikohen në atë video gjithashtu edhe Ylli, pra pronari i lokalit Viva, së bashku me Fatjon Skënderin, baxhanakun e tij, pra së bashku me Eugen Becin në të njëjtën tavolinë. Por Durim Bami në dëshminë që ju ka dhënë ju flet edhe për ju flet edhe për ish-nëndrejtorin e policisë, Agron Kuliçaj, flet gjithashtu për kunatin e Berishës dhe zoti Tahiri në dëshminë e tij publike thotë se ju fillimisht keni akuzuar ish-kryeministrin Berisha për këtë ngjarje dhe më pas keni ndryshuar versionin tuaj dhe në takimin e fundit në zyrën e tij keni përmendur ju më shumë se sa Durim Bami emrin e Ilir Metës.

Deputeti Doshi: Kjo s’është e vërtetë! Të parin njeri që i kam thënë përveç gruas time, sepse dihet që këto gjëra edhe ndodhin se janë vrarë edhe të tjerë, deputetë. Të parit njeri i kam thënë gruas që po më ndodhi gjë e kemi prej Ilir Metës. Ja kam thënë edhe Ilirit këtë. E di edhe ai vetë kur e kam takuar. Të parit njeri i thashë Edi Ramës më 30 gusht në Durrës, kemi bërë atë analizën, në pushim të drekës Rama po pinte një cigare në ballkon dhe i thashë që kam një bisedë me ty. I thashë më ka ardhur informacion që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të më vrarë dhe më kanë vendosur eksploziv te makina me një motor picash. Shprehimisht ka qenë fjala e Edi Ramës: Tomë të ka ruajtur Zoti! Ndër të tjera, se dua të sqaroj edhe publikun, më tha atë ditë që ne pesë deputetë po festonim ditëlindjen e Markut dhe nuk shkuam në votim, Ilir Meta dërgoi Nasip Naçon dhe si përfundim unë thashë që nuk votoj sot. Pas Nasipit erdhi vetë Iliri. Rama më tha: Ou më bëri përshtypje, si mua edhe Gramozit, si e la parlamentin ky edhe erdhi tek ti?! Për këtë punë e paska bërë, për të mbuluar gjurmë?! Pra ishte që unë lë parlamentin, kaq mik të kam.

Sokol Balla: Ju s’mund ta mohoni që keni patur një miqësi të ngushtë me zotin Meta, që daton që herën e parë që ai ka qenë Kryeministër, në vitet 1999-2001.

Deputeti Doshi: Për në atë kohë është e vërtetë, por…

Sokol Balla: Edhe në këtë kohë zoti Doshi. Unë kujtoj fundin e vitit 2013 kur PS…ju kishit filluar fërkimet e para, që me sa kujtoj unë kanë qenë me 2-3 ministra të kësaj qeverie dhe mbaj mend që personi që ka ndihmuar në pajtimin mes jush dhe Kryeministrit Rama ka qenë Ilir Meta.

Deputeti Doshi: Po është e vërtetë.

Sokol Balla: Atëherë si shpjegohet që ju ngrini gishtin e akuzës, përtej dëshmisë së Durim Bamit dhe çdo lloj fakti tjetër?

Deputeti Doshi: Në botën e tij ai ka luajtur një rol si aktor shumë i aftë, por nuk ia doli. Bindi opinionin që ne jemi shumë miq, kurse në krahun tjetër po përgatitej të më eleminonte fizikisht.

Sokol Balla: Në videon e Durim Bamit që unë pashë, aty përmendet fakti që ju keni qenë ‘sponsor’, ose negociator mes Dritan Priftit dhe Edi Ramës për publikimin e videos, pra videos së famshme që u provua më pas si e pavërtetë dhe e pavlefshme nga gjykata dhe Meta u shpall i pafajshëm. Me thënë të drejtën, lista e atyre që zoti Meta duhet të ekzekutonte sipas këtij versioni është shumë e gjatë, sepse do të përfshihej Dritan Prifti, por edhe njerëz e gazetarë që publikuan këtë çështje, përfshirë edhe mua që e kam publikuar i pari të plotë këtë video pas transmetimit nga Fiks Fare. Pse duhet të ishit ju nga gjithë ky grup personash të përfshirë në këtë ngjarje.

Deputeti Doshi: Tani, shkaktari i nxjerrjes së videos është Edi Rama, pas Dritan Priftit. Edi Rama, ishim një natë te shtëpia ime. I tha Tanit (Dritan Priftit), nxirre videon, biles i tha anglisht: Please just do it! I tha Tomën e kam vëlla, ti do të jesh deputet i PS sepse po doli ajo video bie qeveria, qëllimi ishte me djeg Metën. Faktikisht Tani (Dritan Prifti) nuk i besonte Ramës, thoshte është i pabesë, s’mban fjalën. Unë e binda Tanin që të nxjerrë videon dhe Iliri për këtë është në dijeni shumë mirë. Jo se kisha unë ndonjë gjë me Ilirin.

Sokol Balla: Përkundrazi ju keni pasur një bashkëpunim të mirë me Metën.

Deputeti Doshi: Këmbëngulja ishte e Edit (Edi Ramës), por e quaja atë kohë se kam dëgjuar disa deptuetë që thonë sot që e kam pas thjesht bashkëpunëtor, por e vërteta është që kemi qenë më shumë se sa deputetë e kryetarë, unë e kam respektuar dhe kam bërë shumë për të. Për 8 vjet kam shkatërruar ekonominë për të në të gjitha zgjedhjet.

Sokol Balla: Çfarë do të thotë kjo, ke shkatërruar ekonominë tënde personale?

Deputeti Doshi: Kjo do të thotë që të jesh në opozitë dhe dihet që zgjedhjet kanë kosto, kam përballuar 3 palë zgjedhje duke qenë kryetar partie Edi Rama, çdo protestë. Thonin që Tom Doshi ka blerë njerëzit për të ardhur në Tiranë, faktikisht…

Sokol Balla: I referoheni 21 Janarit?

Deputeti Doshi: Jo s’po them vetëm për 21 Janarin se ne kemi bërë protesta çdo dy ditë, por të sjellësh 2500 vetë prej Shkodrës, vetëm transporti shkonte 25 milion në ditë. Pra nuk e di se si mund ta quash se 25 milion nuk janë pak.  

  

Sokol Balla: Është e vërtetë që ju i keni kërkuar që të qendrojë në krye të partisë pas humbjes së 2009 duke i thënë që keni shpenzuar 500 mijë euro për të?

Deputeti Doshi: Jo.

Sokol Balla: Kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet edhe në Shkodër me kontributin tuaj, a prisnit që këto para t’ju ktheheshin mbrapsht?

Deputeti Doshi: Jo. Unë nuk jam natyrë që e kam lënë fatin tim, as tek tenderat, as tek punët e tjera që bëhen publike. Kam një ndërmarrje që e sheh vetë. E kam riblerë prej gjermanëve.

Sokol Balla: Në kohën e Ilir Metës…

Deputeti Doshi: Jo po flasim për vitin e kaluar. U detyrova të shes prej sulmeve politike që kisha prej Berishës. Në 2011 më kanë vënë një gjobë prej 2 miliard e 550 milion lekë të vjetra. Më është dashur të marr 1 milion euro kredi për të paguajtur 50 përqindëshin e gjobës dhe më pas kam hyrë nëpër gjyqe.

Sokol Balla: Përfliteni edhe mes ministrave që jeni një nga personat që në emër të kontributit që keni dhënë kërkoni lehtësira. Është përmendur që keni kërkuar të keni pjesë tek Albpetroli, keni kërkuar pjesë të majme sa i përket industrisë së barnave, ku keni edhe një investim shumëvjeçar, është folur se keni kërkuar jo rrallë edhe me arrogancë që të keni emërime në dogana, tatime dhe polici dhe në fakt ju e dini që qoftë Tahiri, qoftë drejtorja e Doganës dhe e Tatimeve kanë qenë objekt sulmesh të ashpra nga ana juaj.

Deputeti Doshi: Në Policinë e Shtetit kam futur nja 3 policë pas një viti e gjysmë.

Sokol Balla: Këtë sepse nuk ua ka lejuar Ministri i Brendshëm apo sepse kaq keni kërkuar ju.

Deputeti Doshi: Unë u kam thënë që nuk dua të përzihem, por të jenë korrekt me ata njerëz që do të vijnë atje, me njerëzit që na kanë votuar. Kaq! Mos të marrin njerëz nëpërkëmbë sepse ka njerëz që nuk kanë patur mundësi të paguajnë një siguracion, mos ia blloko makinën. Pra ka mundësi që atë shtresën e varfër mos t’ja marrim edhe kafshatën e fundit. Për në dogana prap unë s’kam futur asnjë njeri, në tatime po ashtu dhe nuk e di se si thonë që unë kam përfituar apo kam ngulur këmbë. Qëllimi im ka qenë që të punësoj njerëzit që kanë punuar për fushatën.

Sokol Balla: Nga viti, 2009 ka pasur herë pas herë qendrime të ashpra të Ambasadës Amerikane ndaj jush, përfshirë një incident me një nga gazetarët e rrjetin BIRN, më pas edhe reagime të tjera për të arritur tek deklarata e ditës së hënë, kur u përjashtuar nga grupi i PS, ku u tregua shumë e ashpër duke thënë ndaj jush si person i dyshuar për veprimtari kriminale dhe pyetja ime është nëse autoritetet i rikthehen figurës së Tom Doshit, a ka gjasa që të zbulojnë hije që shkojnë në shkelje të ligjit?

Deputeti Doshi: Asnjëherë! Unë kam 10 vjet në parlament, 8 vjet ti e di se Sali Berisha kundërshtarin më të madh në parlament më ka pasur mua, ka çuar në Australi edhe drejtorin e pastrimit të parave dhe nuk ka arritur të zbulojë gjënë më të vogël që unë kam pasur, ndonjë shkelje me ligjin. Edhe në Shqipëri po ashtu. Nuk më është hapur ndonjëherë ndonjë çështje penalë për 25 vjet. Të gjitha këto, edhe ambasadat i kanë prej xhelozisë. Një pjesë i ka çuar Berisha, një pjesë Blushi, një pjesë vetë Rama në 2004-2005 kur kam kandiduar. Vazhdojnë këta ministrat, Bushati. Para se të plasë kjo kam informacion që i ka çuar edhe Meta për t’i paraprirë duke më akuzuar mua se po i bëj presion qeverisë.

 

Sokol Balla: Në fakt Berisha, ose më saktë gazeta e tij, vetëm pak kohë më parë, në kohën e aksionit të policisë në Dukagjin, la të kuptohej se ju kishit fshehur në makinën tuaj trafikantë duke sabotuar operacionin.

Deputeti Doshi: S’është e vërtetë! S’ka qenë makina ime.

Sokol Balla: Makina e dikujt tjetër?

Deputeti Doshi: Atë ta gjejë policia, unë nuk e di.

Sokol Balla: T’i rikthehemi pak dëshmisë publike që bëri Ministri i Brendshëm lidhur me ngjarjen e fundit. Ministri nuk mohoi që ju keni shkuar dhe keni kërkuar që ta takoni dhe më pas edhe me personin e përmendur, Durim Bamin si vrasës i penduar i kësaj ngjarjeje. Megjithatë Ministri thotë se ka të faktuara hetimet që policia ka bërë lidhur me këto akuza, pavarësisht se as ju dhe as zoti Bami nuk keni pranuar që të bëni një denoncim në polici, prokurori, as atë të dëshmitarit të mbrojtur të zotit Bami. Cila është e vërteta sipas jush? Ju kujtoj diçka zoti Doshi, nga dëshmia e Ministrit të Brendshëm, nga fakti që ai kundërshton 100 përqind ato që ju keni dëshmuar në Facebook, me gazetarët apo edhe këtë mbrëmje, ju nesër rrezikoni të hetoni për dëshmi të rreme, pengim të drejtësisë dhe mund të rrezikoni edhe burgun.

Deputeti Doshi: Unë kam penguar drejtësinë për të hetuar?!

Sokol Balla: Atëherë pse nuk bëtë denoncimin në policia apo në prokurori, pse sipas Ministrit të Brendshëm ju nuk pranuat që zoti Bami të merrte statusin e dëshmitarit të mbrojtur?

Deputeti Doshi: Unë nuk bëra dëshmi sepse fillimisht duhet të hapte çështjen penale policia. Në një artikull në gazete nisin hetimet, edhe këtu. Unë i kam dhënë informacion të plotë edhe Prokurorit të Përgjithshëm,  edhe Ministrit të Brendshëm, edhe kryeprokurorit të Krimeve të Rënda. Pra duke patur personin përballë që ua shpjegon komplet ngjarjen, nuk e di se çfarë dëshironin më tepër?!

Sokol Balla: Ta dorëzonit si padi në policia apo në Prokurori.

Deputeti Doshi: Por asnjëri nuk tha hajde nesër bëj kallëzim.

Sokol Balla: Ministri i Brendshëm pretendon të kundërtën…

Deputeti Doshi: Jo, mua jo! Për Durimin i ka thënë hajde bashkëpuno. Por mua nuk më ka thënë ndonjëherë hajde bëj kallëzim.

Sokol Balla: Në rrëfimin e tij përballë jush, Durim Bami, kur ju i thoni që ai duhet të marrë mbrojtje, duket që ai nuk e kundërshton. Atëherë pse kjo nuk ndodhi, sepse sipas Ministrit të Brendshëm, zoti Bami ka refuzuar?

Deputeti Doshi: Bami kishte dhënë shpjegime që i kam blerë edhe makinë, po është e vërtetë i kam blerë një makinë të blinduar. Kam qenë i shqetësuar shumë për jetën e tij, edhe sot që është në duart ë policisë.

Sokol Balla: Unë kam informacione jozyrtare nga prokuroria e rrethit se Durim Bami, personi që duhet t’ju kishte ekzekutuar ju ka punuar pranë jush dhe zotit Frroku si shofer, është e vërtetë?

Deputeti Tom Doshi: Unë thashë që e kam njohur në fund të gushtit. S’ka lidhje me mua, ta mbaj shofer.

Sokol Balla: Zoti Frroku?

Deputeti Doshi: Jo s’e kam parë asnjëherë. Hera e parë që e kam parë ka qenë kur kam kërkuar ta takoj.

Sokol Balla: T’i referohemi qoftë dëshmisë së zotit Bami, qoftë të ministri Tahiri, lidhur me natën e atentatit të dështuar ndaj jush përballë Dy Kullave, pranë Gjykatës Kushtetuese, çfarë date është ajo?

Deputeti Doshi: Nuk mund ta përcaktoj…

Sokol Balla: Bami thotë që është 21 qershori i vitit 2014.

Deputeti Doshi: Atë mund ta përcaktojë ai, a në mes a në fund të qershorit. Sipas tij rreth datës 20.

Sokol Balla: Ministri i Brendshë thotë që duke marrë parasysh dëshminë që ai ka marrë nga Bami, që nga një bar aty kanë marrë kamerat e sigurisë shumë përpara dhe shumë më pas dhe në asnjë prej tyre nuk rezulton Durim Bami dhe këto janë arkivuar në dosjen hetimore , nuk ka asnjë motor picash, i vjedhur në Paskuqan sipas Durim Bamit, dhe ku ishte futur tritoli.

Deputeti Doshi: Mua s’më ka dhënë ndonjë informacion që është bërë kjo punë. Nëse e ka bërë dje dhe sot, është puna e tij, por të paktën të jetë i sinqertë.

Sokol Balla: Ai thotë që ka filluar për shkak se ju keni refuzuar të bëni denoncim hetimor.

Deputeti Doshi: Unë i kam dhënë informacion Ministrit të Brendshëm që njeriu që vjen në emër të Ilir Metës është Toni. Toni rri në Gjermani, në Hanover. I kam thënë kërkoju autoriteteve gjermane që ta sjellin në Shqipëri ku Durim Bami është gati t’i dalë përballë, t’i thotë po ti ke ardh. Djali i xhaxhait të tij nëpër Tiranë ka qenë, ky që më ka ndjekur mua, asnjëherë s’mori mundimin që t’i shoqërojë për këtë çështje.

 

Sokol Balla: Në fakt Ministri i Brendshëm thotë që janë shoqëruar këta persona, përfshirë edhe baxhanakun, edhe djalin e xhaxhait dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar qoftë edhe një fakt që të lidhë dëshmitë e tyre me këtë akuzë.

Deputeti Doshi: Unë ja kam thënë Tahirit që kam pasur një takim me të. I thashë që ty të vunë një tritol në majë të kondicionerit dhe arrestove 50 vetë, mua më vunë tritol në makinë dhe nuk arrestove asnjë. I thashë që do ta bëj publike sepse edhe ato që ka dhënë Durimi i di që nuk i ke regjistruar. Jo më tha i kam regjistruar.

Sokol Balla: Ju keni qenë përfshirë në çështje dhe ndoshta nuk ka qenë ligjërisht e mundur që të informoheni për këtë.

Deputeti Doshi: Ligjërisht…personi që do më ekzekutonte, por unë jam deputet, por sërish edhe qytetar i Shqipërisë policia dhe prokuroria ka të drejtë ta marrë në mbrojtje dhe të hetojë sidomos kur bëhet fjalë për eleminim fizik. Asnjëherë Saimir Tahiri apo prokurori nuk më ka thirrur për këtë çështje.

Sokol Balla: Një nga detajet e bisedës tuaj me Durim Bamin është fakti se ju aty i referoheni në të shkuar, takimit me prokurorin e Republikës për këtë çështje?

Deputeti Doshi: Me prokurorin e Republikës kemi qenë për drekë. Bisedat që bëhen gjatë drekës, e kam konsideruar mik dhe kam thënë që do ta votoj haptas. Por nuk pati nevojë sepse ishin vota të mjaftueshme dhe vota ime i prishte punë, edhe dalja ime publike.

Sokol Balla: Kishit ndonjë ndërmjetësim nga krahu tjetër për ta votuar?

Deputeti Doshi: Jo. Biles krahu tjetër u bë xheloz që unë dola në mënyrë publike, se thanë mos paska lidhje me Tomën.

Sokol Balla: Shkojmë tek dreka apo darka…

Deputeti Doshi: Në fund i thashë që kam një shqetësim persona…

Sokol Balla: Për kur bëhet fjalë?

Deputeti Doshi: Në shtator. I thashë që kam informacion që prej vetë personit që ka marrë përsipër eleminimin tim që një lokal në bllok, emrin Viva, pronari i saj ka dhënë një porosi në emër të Ilir Metës, por me thënë të drejtën nuk e besoj. Në atë lokal rri edhe prokurori jot, i thashë, Eugeni. I thashë që Eugeni rri ditë dhe natë aty. Është Toni, Ylli, sipas dhënieve të Durimit. Vinte Agron Kuliçaj, dhe kunati i Berishës që është baxhanak me Yllin. Në fillim normal që do kishte dyshime. Në atë kohë më dukej e çuditshme, dhe mendoja që po më vjen nga krahu tjetër.

Sokol Balla: A është e vërtetë që këto ja keni thënë edhe zotit Meta në zyrë që dyshoni që Sali Berisha përmes kunatit të tij po sponsorizon vrasjen tuaj?

Deputeti Doshi: Mbarojmë njëherë me prokurorin. Më tha më lër 4-5 ditë kohë. Faktikisht ditën e premte më kërkoi një takim Durim Bami dhe më thotë ka ardhur Toni dhe më ka thënë që Toma e ka marrë vesh që duam ta vrasim dhe më thotë që ne rrezikojmë të gjithë, morëm fund po doli. Kishte thënë që duhet ta vrasim se s’bën, brenda 24 orëve.  Durimit i kishin thënë që të çonte vëllanë ta vrasë në lokal ditën se nuk bën as burg se kemi mbrapa Ilirin. I vetmi person që unë i thashë ishte kryeprokurori.

Sokol Balla: Zoti Doshi jeni i ndërgjegjshëm për çka po thoni? Pra ju po thoni që ka pasur një komplot shtetëror mes kryeprokurorit dhe kryetarit të Kuvendit për ekzekutimin tuaj?

Deputeti Doshi: Këtë nuk mund të them, lidhjen e prokurorit për ekzekutimin tim. Për prokurorin them që, jam i bindur që këtë ja ka thënë Metës, se kam informacion që Meta e ka thërritur në Lalz një ditë të dielë, dhe në bindjen time ai ja ka thënë. Ma ka thënë edhe Meta më pas, e dinte që unë nuk dyshoj tek Meta. Por kur nisi parlamenti, duke pas atë miqësi që kishim përpara, u bëmë dy seanca dhe me Ilirin nuk komunikuam më. Bisedova me një shok timin që më thotë a t’i them kështu- kështu është situata. Isha në Shëngjin për një darkë me Blendi Klosin dhe më mori ky shoku për të folur me Metën. Meta më thotë çfarë janë këto muhabete?! Mirë i thashë, hajd pijmë një kafe nesër. E mora në telefon ditën tjetër, shkuam te Sheratoni dhe ja shpjegova, i thashë Toni në emrin tënd ka shkuar ka bërë porosinë për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin. Unë i thashë që nuk e besoj, është absurde, të quaj mik ty. Thirri edhe Monikën. Më tha po lajmëroj ambasadat. Pyeti Monikën dhe i tha ti e njeh Tonin? Po i tha Monika, Toni i Kombinatit. A e di, i tha, ku e ka lokalin? Po, i tha, afër shtëpisë tonë. Më tha mua po shkoj të takoj pak Ramën. I çova mesazh Ramës ku e njoftova që i thashë Ilirit që t’i s’ke dijeni. Shkoi Meta te Rama dhe Rama luajti rolin se s’dinte gjë. U kthye prap Iliri. Kemi ndenjur rreth 4 orë bashkë. E kishte një siklet. E lamë në darkë për t’u takuar në Durrës, ku vjen me Ramën me Saimirin. Duke qenë bashkë i thashë që nuk dyshoj tek ti, duhet të jenë ata tjerët i thashë. Kushedi ka dash Berisha me krijuar destabilitet. Ky u qetësua. Këtë ja thashë edhe në zyrë, por këtu nuk ka lidhje as kunati i Berishës dhe asnjë prej krahut kundërshtar. Kisha dashur të ishin ata, që të mos ndodhte tek krahu im politik.

Sokol Balla: Ka diçka, kemi dy dëshmi, atë që ju ka dhënë ju dhe atë që i ka dhënë policisë dhe prokurorisë të mërkurën. Fakt është që Rilindja Demkratike ju ka kthyer në një hero duke ju mbrojtur dhe ju të enjten e kaluar keni dhënë edhe një shoë të vogël duke takuar publikisht Sali Berishën dhe gjithashtu flitet se një natë më parë jeni takuar privatisht me të, është e vërtetë?

Deputeti Doshi: Jo s’është e vërtetë. Berisha doli në foltore ku tha që mua kanë dashur të më vrasin. Tha që ma kanë mbyllur gojën, ta ka mbyllur Shullazi. Unë nuk e njoh se kush është Shullazi, e kam ndjerë vetëm në media. Por nuk më ndodh që dikush të më marrë në telefon dhe të më bëjë presion. Pas kësaj i shkova Berishës tek vendi ku rrinte në parlament dhe i thashë, ti doktor e di që nuk është Shullazi. E di, e di më tha.

Sokol Balla: Po nga e dinte Berisha? Ja kishit thënë ju?

Deputeti Doshi: Po ku e takova unë që t’ja them. Berisha e ka marrë vesh se ka informacion më shumë se sa Rama se çfarë bëjnë ministrat. I thashë, dëgjo s’ka ardhur koha akoma për të folur, se ti e di që unë nuk kam frikë. Kur të vijë koha kur të flas, mos e merr në mbrojtje atë person se e ke marrë njëherë. Jo më tha nuk do e marr. Kjo histori ka një 3 javë dhe kisha paralajmëruar që një ditë do të plasë.

Sokol Balla: Ajo lëvizja e dorës, që i drejtoheshit Kryeministrit dhe ministrave, në një vend demokratik…

Deputeti Doshi: Lëvizja e dorës ishte që unë do t’i nxjerr të gjitha. Nuk ishte ashtu sic e kanë marrë. Nuk ishte punë presioni, pavarësisht se ai u mundua…i thashë mqs po sillesh kështu edhe unë i thashë nuk është puna se atë ditë u nxitova kur thashë që do t’i hap luftë…

Sokol Balla: Faktikisht i keni hapur luftë, jo vetëm atij, por mazhorancës dhe kontributi më i madh që po i bëni është për opozitën dhe vecanërisht Sali Berishës.

Deputeti Doshi: Këtë e kam bërë për jetën time. Kam 6 muaj që pres dhe kam menduar që do kem mbështetjen e Edi Ramës. Në fillim u tregua i gatshëm, por pasi i kam thënë Ilir Metës që je ti personi, Rama nisi u tërhoq dhe mbajti krahun e Metës. Më 11 nëntor është takimi i fundit që kam bërë unë me Ramën, katër muaj që nuk kam komunikuar. I kam thënë nuk dua të rrëzoj qeverinë, por nuk dua që parlamenti të drejtohet nga një njeri që ka dhënë urdhër të vrasë dy deputetë.

Sokol Balla: Cili mendoni që është guri, lidhja, prova që fakton që vërteton që sipas jush Ilir Meta është urdhëruesi i këtyre vrasjeve, pasi deri më tani mbështetemi tek video e Durim Bamit, që në dy dëshmi deklaron dy gjëra të ndryshme. Madje ju akuzon që ju e keni paguajtur për të luajtur një rol.

Deputeti Doshi: E vërteta është ajo që pe në video. Durimi nuk është i vetëm. Ka disa bashkëpunëtorë. Është Toni, është djali i xhaxhait Rezi…

Sokol Balla: Të gjithë të shoqëruar në polici sipas Saimir Tahirit dhe nuk ka asnjë indicie që ata kanë qenë të përfshirë apo të paguar nga Ilir Meta apo Sali Berisha për ekzekutimin tuaj dhe zotit Fufi.

Deputeti Doshi: Kush do ja thotë? Rezi apo Toni?! Një grup kur kapet nuk lëshohet për 3 orë, merren në pyetje, bëhen ballafaqime, merren informacione. Qëllimi i këtyre ka qenë sepse ishte emri i Ilirit, sepse po të ishte emri i Agronit, i kunatit të Berishës do të ishte zbardhur, do ishte bërë publike. Por duke qenë Ilir, as Saimiri nuk mund të vepronte i vetëm.

Sokol Balla: Në fakt e shkuara thotë të kundërtën. Ju çfarë nuk keni deklaruar kundër Tahirit…

Deputeti Doshi: Që sa është marrë vesh kjo çështje më ka ndenjur i gatshëm, por është tërhequr duke më thënë që i kishte deklaruar Kryeministri që s’dua ta ndjej më atë çështje.

Sokol Balla: Gënjeni ju, apo gënjen Saimir Tahiri për këtë çështje?

Deputeti Doshi: Unë besoj në Zot, dhe mashtrimin dhe gënjeshtrën nuk e kam praktikuar.

Sokol Balla: Si shpjegohet që Durim Bami ndryshe ka folur me ju dhe ndryshe me grupin hetimor?

Deputeti Doshi: Durim Bamin, pas atentatit që i bënë para një jave. E takova dhe më tha që mënyra se si ishte vënë eksplozivi tregonte një dorë profesioniste.

Sokol Balla: Një dorë profesioniste do ta kishte ekzekutuar aktin.

Deputeti Doshi: Nuk hipi në makinë. I thashë që a je i bindur që është e njëjta dorë, po më tha. Ai ishte i vetmi dëshmitar në këtë çështje dhe donin të zhduknin. I thashë që të bashkëpunojë me policinë. Më tha më lër edhe disa ditë. E kishte ndarë mendjen për të bashkëpunuar. Faktikisht në këtë rast u nguta unë që e bëra publike përpara. Ai do dëshmonte në polici, por prap i bëj thirrje Prokurorit e Përgjithshëm që nëse ka dëshirë për të zbardhur çështjen, Durim Bamin duhet ta marrë në mbrojtje si dëshmitar dhe jo si vrasës. Ai nuk ka bërë atentat, aq më tepër që më ka informuar mua, personi që isha etiketuar. Të marrë në mbrojtje edhe 2-3 veta të tjerë që të zbardhet e vërteta. Durimi thotë që motorin e ka vjedhur në Paskuqan dhe nuk ka qenë vetë. Eksplozivin e ka montuar te servisi i Tonit, eksplozivin e kishte sjellë një djalë i vogël. Interesi im është zbardhja e kësaj çështjeje. Nuk më intereson, përveç Tonit, këta djem i detyrohem gjithë jetën, sidomos Durit.

Sokol Balla: Pavarësisht dëshmisë së tij në prokurori?

Deputeti Doshi: Dëshminë ai e ka bërë sot në një terror që ka pas. Nuk është e lehtë të akuzosh Ilir Metën sot, jam i vetmi në Shqipëri, por jo se i shpifëm. Njerëzit kanë frikë. Më ka falur Zoti që nuk e kam njohur frikën kurrë dhe jam më i fortë kur mendoj që unë edhe vdekjen do ta kisha tragjike me eksploziv. Nuk më bëjnë përshtypje deklaratat e Ramës, Metës dhe Tahirit. E kam bërë këtë për ta ditur gjithë shqiptarët se kush drejton parlamentin. Unë në 25 vjet nuk kam shkeljen më të vogël.

Sokol Balla: Flisni me detaje për njerëz të përfshirë direkt apo indiriek në këtë tentativë vrasjeje me porosi ndaj jush. Përmendet shpesh emrin e Fatjon Skënderajt, apo Tonit. Në fakt në të shkuarën këtij personi i është bërë një atentat, pa pasoja. Në dëshminë e tij, ai flet për Durim Bamin, se si ka shkuar atje me disa personazhe të tjera, por informacione të marra në mënyrë operative nga agjentë kriminalë dhe nga burime të prokurorisë më thonë se prapa atentatit të dështuar ndaj Elton Skënderajt keni gisht ose ju, ose njerëz të lidhur me ju?

Deputeti Doshi: Mua nuk më intereson që askush të vritet, aq më tepër Toni që është dëshmitari kyç i çështjes. Palës porositëse i intereson ta eleminojë. Prokuroria ta zbardhë, nëse do, nëse nuk do i them Ilir Metës që armik tjetër në Shqipëri nuk kam, përveç teje.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Sterkaj i shkon Berishës në foltoren e kuvendit, Berisha e liron, ulet në karrige
Çështja Doshi/ Rama takon Metën në kryesinë e Kuvendit »
Article Logic
Execution time: 0.061938047409058
array(1) { ["section"]=> string(60) "atentati-doshi-me-vrasesin-me-prezantoi-deputeti-frroku-5080" }