Balla në Elbasan: Ja shuma marramendëse e investuar në infrastrukturë

Publikuar tek: politike, më 22:30 13-03-2018 Balla në Elbasan: Ja shuma marramendëse e investuar në infrastrukturë Foto nga takimi i kabinetit qeveritar në Elbasan

Gjatë qendrimit të qeverisë në Elbasan, pasditen e sotme u zhvillua një aktivitet për platformën e bashkëqeverisjen me njërëzit.

Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se gjatë viteve të fundit në qarkun e Elbasanit janë investuar rreth 500 milionë dollare në infrastrukturë. Sipas Taulant Ballës, objektivi kryesor për Elbasanin është kthimi i Metalurgjikut në një burim të ardhurash për zhvillimin e këtij rajoni.

Balla tha gjithashtu se turizmi dhe agrobujqësia janë baza kryesore e zhvillimit të qarkut të Elbasanit. Duke folur për Llixhat e Elbasanit, Balla tha se janë një atraksion i jashtëzakonshëm në këtë rajon.

Fjala plotë e Taulant Ballës:

Më lejoni që në emër të popullit të Elbasanit t’i uroj mirëseardhjen qeverisë në qarkun tonë dhe t’i uroj të gjithë shqiptarëve kudo: Gëzuar Ditën e Verës, sepse Dita e Verës e ka kryeqytetin në Elbasan. Qarku ynë është një qark me shumë pasuri kulturore, me shumë pasuri natyrore të cilat është detyra jonë t’i vëmë në dobi të zhvillimit ekonomik e social të këtij qarku. Për sa i përket pasurive kulturore, nga kalaja e Elbasanit te kështjella e Skampisit, vija Egnatia e deri te xhamitë e shumta, kishat e shumta të cilat i japin një arsye të madhe të gjithë atyre që duan të vizitojnë qarkun tonë në çdo cep. Përsa i përket pasurive natyrore po ashtu, ata janë një mundësi e madhe zhvillimi ekonomik, për të cilin unë do të ndalem sadopak.

Bujqësia, natyrisht është sektori më i rëndësishëm i zhvillimit të qarkut tonë. Në sajë të klimës, në sajë të pjellorisë së tokës, rajoni ynë është shumë i njohur në disa cilësi që e bëjnë bujqësinë një prej dimensioneve më të rëndësishme. Ne do të zhvillojmë një bujqësi të standardeve të vendeve fqinje, të cilat janë një model i suksesshëm e për të cilat, për një pjesë të tyre, ne sapo kemi diskutuar në një prej takimeve që zhvilluam në zonën e Treganit me banorë të asaj zone, të cilët sot janë një model suksesi dhe një model zhvillimi për të gjithë qarkun tonë. Industria dhe energjia. Elbasani nuk është më vendi ku zhvillohej kombinati më i madh, ai metalurgjik, por burimet minerare, ato të kromit, hekur-nikelit, ish minierat, burimet hidrike, hidrocentralet e vogla janë një arsye e madhe për të bazuar një plan zhvillimor të qëndrueshëm në industri dhe energji. Transporti dhe logjistika janë po ashtu faktorë të rëndësishëm të zhvillimit të Elbasanit.

Elbasani ka një pozicion gjeografik shumë të rëndësishëm - është pjesë e trinomit të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, Elbasan-Tiranë-Durrës. Përmes Elbasanit kalon korridori VIII, që është një bosht qendror i zhvillimit ekonomik të qarkut tonë. Përsa i përket makro-profilit të zhvillimit për qarkun tonë, ajo që dua të them është se për shkak të pozicionit gjeografik, diversifikimit dhe kooperimit të sektorëve bazë të bujqësisë dhe turizmit, është synimi ynë që në tre vitet e ardhshme ta kthejmë Elbasanin në një qendër të rëndësishme. Në këtë kontekst do doja të përmendja Bashkinë e Prrenjasit si një prej zonave në të cilën synimi ynë është ta shndërrojmë atë në një hap logjistik, për vetë faktin se është zona e parë kufitare për të gjithë Lindjen. Përsa i përket prioriteteve strategjike dhe impaktit të pritshëm të zhvillimit në polin rajonal të Elbasanit, për mua sot është shumë i rëndësishëm lajmi që ndau me të gjithë shqiptarët Kryeministri pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë. Pas gjithë asaj historie, ku unë uroj që drejtësia të bëjë punën e vet, që Prokuroria të bëjë punën e vet, rruga Tiranë-Elbasan brenda këtij viti përfundon. Ky është një lajm i mirë për të gjithë Elbasanin, por të mos harrojmë që për keqqeverisjen e atyre që e nisën rrugën pa projekt dhe për kostot e një koalicioni të tepsisë që nuk jemi më, po paguajmë një faturë edhe më të madhe sesa është kostoja reale e asaj rruge. Kërkesa jonë është të bëhet një transparencë e plotë nga institucionet e drejtësisë për atë aks rrugor.

Gjithashtu pjesë e dimensionit të zhvillimit ekonomik dhe turizmit të zonës është vija e vjetër Egnatia. Aktualisht janë me qindra turistët e huaj që e shfrytëzojnë këtë rrugë të vjetër për arsye të turizmit që ajo ofron. Për disa cilësi që lidhen me disa prej bashkive. Për zonën e Elbasanit unë do doja të theksoja disa prej zonave më të rëndësishme.

Gjegjani, Shirgjani dhe Cërriku janë një mundësi e madhe e zhvillimit të shërbimeve që mbështesin sektorin bujqësor, gjithashtu dhe industrinë agro-përpunuese. Gjinari, Tregani, Shushica dhe Funari për turizmin natyror dhe zona e Bradasheshit, Selcanit, Llixhat, Tregani, potenciale të zhvillimit malor, kulturor por edhe të vënies në efikasitet të plotë të burimeve natyrore të llixhave. Sot ishim bashkë me kryeministrin atje për t’i dhënë pikërisht rëndësinë që i takon. Dua t’ju them se janë 40 mijë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia që vijnë çdo vit në llixhat e Elbasanit.

Kjo është një mundësi e madhe - janë 20 milionë lekë që Bashkia e Elbasanit mbledh çdo vit vetëm nga të ardhurat e turizmit të llixhave të Elbasanit. Përsa i përket bashkive të tjera po kaloj sadopak në secilën prej tyre. Belshi është një zonë me funksione administrative në ofrimin e shumë shërbimeve në zhvillimin agro-bujqësor dhe të hotelerisë, atë të agro-turizimit. Z. Kryeministër, kolegë ministra, Belshi nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ashtu siç duam ne, nëse nuk investojmë që tani në një sistem të shpërndarjes së ujit të pijshëm në secilën njësi administrative të kësaj zone - një problem i trashëguar prej kaq shumë vitesh në atë zonë. Nuk e fsheh kënaqësinë, si deputet i këtij qarku, të them se Gramshi nuk është më ai xhepi i harruar.

Brenda këtij viti Gramshi do të jetë një nyjë shumë e rëndësishme e shkurtuar e lidhjes ndërmjet qarkut të Elbasanit me qarkun e Korçës. Po të kemi parasysh rrugën që ka përfunduar deri në Cërrik, rrugën që ka përfunduar deri në Gramsh dhe daljen e shkurtër nga Gramshi në Lozhan për ta lidhur atë me Korçën. Nuk duhet të lemë pa përmendur resurset natyrore shumë të mira, që janë një burim i rëndësishëm zhvillimi turistik për atë zonë. Për Bashkinë e Prrenjasit, unë e thashë që në krye të prezantimit tim, për ne i gjithë projeksioni zhvillimor për vitet e ardhshme është shndërrimi i Prrenjasit në një hap të rëndësishëm logjistik doganor për të gjithë Lindjen, që zbret drejt Perëndimit përmes Korridorit VIII, sepse është pika jonë kufitare më e madhe me Maqedoninë dhe duhet shndërruar në një hap të rëndësishëm, por pa harruar të gjitha burimet natyrore që ka zona e Prrenjasit. Për Bashkinë e Librazhdit, sigurisht që është një bashki e madhe ku në vitet e fundit është investuar goxha, dhe turizmi e burime të tjera natyrore e bëjnë shumë atraktiv. Për Bashkinë e Cërrikut, nuk e fsheh që gjatë katër viteve të kaluara ne kemi investuar goxha krahasimisht me bashkitë e tjera, por do t’i qëndrojmë angazhimit që kemi marrë edhe gjatë procesit të Bashkëqeverisjes me kontaktet që kemi pasur me banorët e Cërrikut, për të investuar në sektorin dhe në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Nga të gjitha takimet që kemi zhvilluar në kuadër të Bashkëqeverisjes në të gjitha njësitë administrative të Cërrikut, problemi kryesor është çështja e cilësisë dhe e sistemit të shpërndarjes të energjisë elektrike. Z. kryeministër, kolegë ministra dhe ju të gjithë të ftuar, nuk dua të fsheh faktin që në katër vitet e kaluara në qarkun e Elbasanit janë investuar gjithsej 500 milionë dollarë; 500 milionë dollarë të invsetuara kryesisht në infrastructure. Por nuk dua të lë pa përmendur një pjesë të madhe të projekteve në Rilindjen Urbane, që tashmë po përkthehet edhe në projektet e mëdha të investimeve në zonat rurale.

Jemi sot me banorët e Elbasanit dhe secili prej tyre do të donte të dëgjonte projektet kryesore të zhvillimit të investimeve në Elbasan. Unë jam shumë i sigurt se ajo që u diskutua sot në mbledhjen e qeverisë, ishte një prej pikave më të rëndësishme: shndërrimi i metalurgjikut në një prej zonave më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të qarkut tonë. Kemi trashëguar një gërmadhë nga ajo çfarë ka ngelur nga metalurgjiku, por unë do ftoja secilin prej jush të vizitojë njësitë e reja të prodhimit dhe të punësimit, që po rriten dita ditës në zonën e Elbasanit. Elbasani ka trashëguar një problem të vjetër, atë mjedisor, dhe ne po punojmë çdo ditë për ta përmirësuar; por duhet t’i them me kokën lart të gjithë atyre që sot kritikojnë me të padrejtë se Elbasani është bashkia e parë në Shqipëri ku sot përpunimi dhe trajtimi i mbetjeve bëhet sipas standardeve më të mira europiane. Ata që do të vijnë nesër për Ditën e Verës në Elbasan, për të parë panairin agro-ushqimor, janë të ftuar të bëjnë dhe një vizitë tek impianti i trajtimit të mbetjeve, një standard tërësisht europian, më i miri sot në Shqipëri model zhvillimor për të gjitha zonat. Por pa harruar që duhet të rrisim sa më shumë kujdesin dhe kontrollin për mjedisin, një bashkëpunim sa më i ngushtë me inspektoriatet për të paranadaluar çdo lloj ndotjeje.

Është e vërtetë që banorët e Elbasanit shpëtuan nga çdo lloj ndotje që vinte nga plehrat, por sot kemi të domosdoshme të shpëtojmë dhe nga ndotja që vjen nga industri të caktuara që nuk respektojnë kriteret minimale mjedisore. Në këtë takim të madh të Bashkëqeverisjes me banorët e Elbasanit, nuk dua ta fsheh edhe një të dhënë tjetër që ka të bëjë me numrin e madh të qytetarëve të Elbasanit, të cilët janë përfitues të shërbimit që ofrohet tashmë përmes ankesave që kalojnë përmes portalit “Shqipëria që duam”. Sot, këtu, kemi me dhjetëra qytetarë të cilët janë drejtuar në portalin e Bashkëqeverisjes dhe sot janë përfitues të shumë shërbimeve. Koeficentin më të mirë në fakt e kemi në atë të përmirësimit të shërbimit të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sot po japim më në fund çertifikata pronësie që nga koha e Shaban Memisë. Nuk di çfarë kanë pasur ata miqtë atje që nuk kanë dhënë certifikatat e pronësisë që nga koha e Shaban Memisë. Janë 470 raste të trajtuara dhe sot dosjet janë gati për të marrë certifikatat e pronësisë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Faleminderit të gjithëve! Shumë faleminderit për këtë pjesëmarrje të ngrohtë!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Habit gazetari: Kristaq Rama i martuar në Rusi. Edi Rama ka një vëlla rus
Prodhime deti dhe darkë me 200 të ftuar, DETAJET nga darka e qeverisë në Labinot »
Article Logic
Execution time: 0.016897916793823
array(1) { ["section"]=> string(74) "balla-ne-elbasan-ja-shum-marramendese-e-investuar-ne-infrastrukture-113175" }