Bashkia Gjirokastër i përgjigjet akuzave të Dumës: Nuk kemi asnjë detyrim mbi shtëpinë e Kokalarit

Publikuar tek: politike, më 22:46 13-02-2016 Bashkia Gjirokastër i përgjigjet akuzave të Dumës: Nuk kemi asnjë detyrim mbi shtëpinë e Kokalarit

Grida Duma ka qenë e pranishme sot në Gjirokastër ku i ka bërë thirrje bashkisë së këtij qyteti që të ndërhyjë për rikonstruksionin e shtëpisë së djegur të Musine Kokalarit. Duma tha se është në nder të bashkisë që të ndërhyjë për të vlerësuar personalitetet e shquara të qytetit.

Megjithatë, bashkia e Gjirokastrës ka reaguar pas kësaj deklrata duke theksuar se nuk ka asnjë detyrim apo kompetencë për shtëpinë, që është monument kulture e Kategorisë së Parë. Sipas bashkisë, janë Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Kulturës Popullore përgjegjës për këtë monument.

Deklarata e plotë e Bashkisë Gjirokastër:

Bashkia Gjirokastër shpreh keqardhjen që një pjesë e politikës shqiptare vazhdon ende të ecë me filozofinë e fjalëve dhe jo të punës.

Në respekt të vlerave që përfaqëson institucioni ynë në shërbim të qytetarit, dhe në respekt të mbarë komunitetit të bashkisë së re Gjirokastër që na besoi për ti shërbyer sa më mirë qytetit tonë, ne ecim me përkushtim dhe profesionalizëm në filozofinë e punës, duke ia lënë mendësisë së vjetër të fjalëve që shërbejnë vetëm për propaganda politike dhe sulmeve të turistëve politikë të cilët as nuk e njohin dhe nuk kanë asnjë dashuri të lindur për këtë qytet historik dhe të shtrenjtë për gjirokastritët.

Gjirokastra i mirëpret turistët nga mbarë bota, dhe le në zemrën e tyre një kujtim të paharrueshëm, ndërsa turistët politik, të cilët nuk e vlerësojnë punën që kemi nisur dhe vizionin që kemi për të ardhmen e Gjirokastrës nuk e meritojnë vëmendjen e këtij qyteti. 

Të gjithë e kemi përjetuar me dhimbje djegien e banesës Kokalari, monument kulture i Kategorisë së Parë, i kthyer nga familja në muze të disidentes Musine Kokalari. Por, përtej aspektit njerëzor dhe moral, institucionalisht Bashkia Gjirokastër nuk ka asnjë detyrim apo kopetencë.  Ligji nr.9048, datë 07.04.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore” thotë:

Neni 13

Personat fizik ose juridik që kanë në pronësi objekte të regjistruara me vlera te trashëgimisë kulturore, të luajtshme e të paluajtshme, janë të detyruar të krijojnë kushte mirëmbajtjeje për këto objekte. Për restaurimin e këtyre objekteve ata janë te detyruar t'i drejtohen Institutit të Monumenteve të Kulturës, Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Kulturës Popullore ose subjekteve të licencuara sipas nenit 17 pika 3.

Neni 15, pika 1 thotë:

Instituti i Monumenteve te Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Kulturës Popullore ose Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, me leje të pronarit dhe në prani të tij, kanë të drejtë të kontrollojnë gjendjen fizike të objektit ose të objekteve në pronësi private.

Neni 36

1. Në monumentet e kulturës të kategorive I dhe II, pronë e subjekteve jo-shteterore, shteti përballon të gjitha shpenzimet për ruajtjen e vlerave historiko-artistike, të cilat nuk lidhen me qëndrueshmërinë e objektit.

 2. Punimet e tjera të restaurimit për këto monumente përballohen ne masën: a) 50 për qind nga shteti dhe 50 për qind nga pronari për monumentet e kulturës te kategorisë I; b) 30 për qind nga shteti dhe 70 për qind nga pronari për monumentet e kulturës te kategorisë II. Neni 37 1. Kur pronari jo-shteteror i monumentit te kulturës nuk ka fonde për kryerjen e punimeve te restaurimit, pas planifikimit te këtyre punimeve, shteti ndërmjetëson pranë bankave për përfitimin e kredive afatgjata me kushte lehtësuese.

Gjithashtu ju bëjmë me dije se rikonstruksioni i aksit rrugor, pjesë e rrugës Kombëtare Tepelenë- Gjirokastër po kryhet me fonde dhe nën mbikqyrjen e plotë të Autoritetit Kombëtar Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Gjirokastër nuk ka asnjë lloj kopetencë mbi të. Natyrisht, është shumë e interesuar që punimet të mbyllen sa më shpejtë.

Gjithashtu në lidhje me investimin për ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit Gjirokastër, financim i Bankës Gjermane KFË, leja e ndërtimit parashikon që ndërhyrjet të përfundojnë brenda muajit shtator të vitit 2016. Pra firma zbatuese e projektit është brenda gjithë afateve kohore të përfundimit të investimit. Gjithsesi, për të shmangur problematikën që krijohet nga punimet në rrugë, Bashkia Gjirokastër është në kontakt të përditshëm me firmën zbatuese dhe prej më shumë se 2 javësh po punohet për mbylljen dhe rikthimin në normalitet të të gjithë akseve ku është punuar.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që problemet në territorin e Bashkisë Gjirokastër janë të shumta dhe po punojmë çdo ditë për minimizimin e tyre dhe pavarësisht vështirësive, mbështetja dhe mirëkuptimi i komunitetit nuk na ka munguar asnjëherë. Nga ana tjetër, jemi shumë të kënaqur që Partia Demokratike, ka ndjeshmëri dhe angazhim për t’i qenë sa më pranë komunitetit, por aksioni i saj politik do të ishte më i vlefshëm nëse do të bëhej bashkëpunues dhe jo akuzues i paditur dhe duhet të kërkojë një falje publike që për tetë vite në qeverisje nuk i kushtoi vëmendjen e duhur trashëgimisë kulturore, e cila është aseti më i vyer i këtij qyteti dhe i mbarë vendit, dhe që ne po i japim vëmendjen që meriton. 

Do ishte më në shërbim të qytetarëve gjirokastritë nëse PD do shkëputej nga filozofia e saj e fjalëve dhe të integrohej në filozofinë e së ardhmes, e cila është filozofia e punës, e bashkëpunimit dhe e shërbimit të plotë ndaj komunitetit.  

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zgjedhjet e FRPD në Shkodër, fitues shpallet kundërshtari i Këlliçit
Çfarë do bëjë John Kerry 6 orë në Tiranë, Nishani niset drejt aeroportit »
Article Logic
Execution time: 0.028825044631958
array(1) { ["section"]=> string(103) "bashkia-gjirokaster-i-pergjigjet-akuzave-te-dumes-nuk-kemi-asnje-detyrim-mbi-shtepine-e-kokalarit-32505" }