Ben Blushi provokon elbasanllinjtë: S’ka burra të pastër e gra të bukura. Ironizon kryetarin Qazim Sejdini

Publikuar tek: politike, më 11:21 26-10-2015 Ben Blushi provokon elbasanllinjtë: S’ka burra të pastër e gra të bukura. Ironizon kryetarin Qazim Sejdini Ben Blushi dhe Qazim Sejdini

“Baseni ishte një qytet i ndotur. Sa herë kisha kaluar aty përpara kësaj dite kisha menduar dy gjëra: në atë qytet nuk kishte asnjë burrë të pastër dhe asnjë grua të bukur. Padyshim, ishte qyteti më oriental i Shqipërisë. Nuk ishte rastësi që ishte larg detit dhe nuk kishte asnjë mal përreth. Dhe asnjë lum që i kalon përreth. Qyteteve të cilave iu mungon ky dekor, janë të ngathët dhe të mërzitshëm…Megjithatë, për mua ishte vetëm një adresë elektorale. Nuk më duheshin, as mali, as deti, as lumi por vetëm, votat e tyre. Nuk kisha ardhur të bëja qef, por duhet t’i bindja të votonin për një të vdekur që me sa duket e kishin dashur , derisa e kishin zgjedhur tri herë rresht, kryetar të bashkisë. Qytet më të përshtatshëm, ndoshta nuk do të kishte. Nëse, Baseni do të ishte një qytet më i gjallë dhe më i pastër, vështirë se mund të votonte për një të vdekur. Qytetet e bukura , mezi votojnë të gjallët dhe jo më të vdekurit…”

Ben Blushi, politikani shkrimtar, e përshkruan kështu në romanin e tij të ri “Kandidati” qytetin e Elbasanit, një libër tërësisht ironik që i kushtohet zgjedhjeve të 23 qershorit në qytetin e Elbasanit. Ironia e shkrimtarit politikan këtë herë është me kryetarin aktual të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, që në librin e tij e ka quajtur Kadim Sedini.

Blushi e konsideron kandidatin një “kandidat të vdekur” dhe personazhi kryesor i librit, duhet të bëjë fushatën e një kandidati të vdekur. Të gjitha detajet të çojnë te fushata e Elbasanit dhe kreut aktual të bashkisë që mori votat e qytetarëve të Elbasanit. Në mënyrë figurative, autori bën ironi për kandidatin e vdekur, ndoshta duke dashur të thotë se është po aq e çuditshme që votuesit e Elbasanit, ku Ben Blushi është deputet i parë i qarkut si politikan, votuan për të katërtën herë një kryetar bashkie që sipas romanit, nuk sillte gjë të re, sepse “ishte i vdekur”.

Në libër, Ben Blushi për të përshkruar Kadim Sedinin përdor akuzat që përdori realisht PD në fushatën kundër Qazim Sejdinit në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ja se ç’shkruan shkrimtari politikan:

“Një njeri i cili gjatë gjithë jetës, nuk ka treguar asnjë shenjë mirësie, ka vjedhur zgjedhjet, ka blerë votat, ka korruptuar dhe është korruptuar, ka ndërtuar gjysmën e godinave të reja të Basenit dhe ka aksione në shumicën e aktiviteteve private që pa firmën e tij s’mund të ngriheshin kurrë mbi dhe. Në çdo kuptim, Kadin Sedini ka qenë pronar i Basenit. E kujt mund ti kërkohet të heqë dorë nga prona, pas vdekjes?” shkruan Blushi në romanin e tij “Kandidati”.

Dhe duket se Blushi në romanin e tij merr në analizë edhe votuesit e Elbasanit, apo Basenit, sipas përshkrimit në roman.

“Si e kanë votuar Kadim Sedinin tri herë rresht, mendova. Nëse do të jetoja aty, s’do të mund ta votoja kurrë. Ai njeri përfaqësonte gjithë përtacinë e shekujve që kishin kaluar mbi qytet. Po mesa duket Kadim Sedini nuk e kishte fuqinë te punët e mira. Ai kishte qenë një zanatçi elektoral. E kishte kthyer në industri aftësinë për të mbledhur vota dhe ndoshta këtë talent ia kishte trashëguar edhe të birit. Zgjedhjet për të ishin një biznes, dhe biznesi i tij ishin zgjedhjet. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë makinacionet e mia në internet nuk kishin asnjë vlerë. Shqipëria mund të jetonte disa javë me fabulat e mia të stisura, por ato nuk do të kishin asnjë ndikim mbi votën e Basenit”, shkruan Blushi për kandidatin e tij si personazh, që dukshëm personifikon kryetarin aktual të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini.

Romani “Kandidati” i Ben Blushit doli para dy ditësh në qarkullim nga UET Press dhe Mapo Edition e Henri Çilit.

Ben Blushi, sot është politikani rebel i së majtës. Marrëdhëniet e tij politike me Qazim Sejdinin, kryetarin e bashkisë së Elbasanit, nuk kanë qenë të mira dhe Ben Blushi nuk u shfaq asnjëherë në fushatën e zgjedhjeve në Elbasan, edhe pse është deputeti i parë i listës për qarkun.

Ka qenë kritik me përzgjedhjen e kandidatëve të maxhorancës nga Edi Rama dhe Ilir Meta dhe kulmi arriti me “Hasanizimin e politikës shqiptare”, një koment që e botoi në media, ku atakonte kandidatin e Kukësit të maxhorancës, Hasan Halili, duke hapur një debat të madh për përzgjedhjen e kandidaturave.

Por ndërsa në atë kohë të fushatës së zgjedhjeve, shkroi vetëm një koment, tani pas zgjedhjeve, Ben Blushi ka shkruar një roman për të thënë në mënyrë artistike ato që ai i konsideron të vërteta, por të shprehura në gjuhën letrare për zgjedhjet e Elbasanit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Eduard Ndocaj zë vendin e Arben Ndokës, KQZ e kalon për miratim në Parlament
Shehi “pa doreza”: Ekzekutivi shqiptar nuk është byrek Korçe. Rama imitim i Konicës, Basha në kat të dytë, Meta oportunist i vjetër »
Article Logic
Execution time: 0.019904851913452
array(1) { ["section"]=> string(110) "ben-blushi-provokon-elbasanllinjte-s-ka-burra-te-paster-e-gra-te-bukura-ironizon-kryetarin-qazim-sejdini-23985" }