Ben Blushi: Raportet me Metën si shok gjimnazi? Të mira dhe të këqija. Selami më kërkoi të firmosja për PD-në

Publikuar tek: politike, më 10:02 07-03-2016 Ben Blushi: Raportet me Metën si shok gjimnazi? Të mira dhe të këqija. Selami më kërkoi të firmosja për PD-në

Ben Blushi në një intervistë të gjatë për ‘’TV Scan’’ flet pa doreza për marrëdhëniet e tij me kreun e LSI-së dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, për kërkesën e Eduard Selamit në themelimin e Partisë Demokratike dhe për gjyshin e tij Dhimitër Shuteriqin.

Në një intervistë pa doreza deputeti rrëfen edhe për frikën e tij…

I ftuari ynë nuk ka lidhje me personazhin e filmit, por shkaku që babai juaj e ka shkruar skenarin e këtij filmi ishit ju.

Po, më ktheve shumë mbrapa, para gati 40 vjetësh. Unë mund të kem qenë 6 apo 7 vjeç atëherë kur është bërë ky film. Sigurisht, kam shumë kujtime, sepse mbaj mend babain kur e shkruante, pastaj kur filmi do xhirohej dhe unë nuk ankohesha pse isha kështu si më kanë nxjerrë, por ankohesha pse s’duhej ta luaja

Donit të ishit protagonist edhe në rol?

Jo, doja të isha unë. Por s’kam pasur ndonjë talent për këtë punë, kështu që s’mund të zgjidhesha. S’mund të luaja veten time. Ky film, kam përshtypjen që u ka vlejtur shumë fëmijëve, sepse, pavarësisht se kohët ndryshojnë dhe teknologjia bën të vetën, shoh që edhe fëmijët e sotëm e shohin me kënaqësi këtë film. Ky film të mëson se si të rritesh. Ky është thelbi i filmit. Aty ka histori, sigurisht nga fëmijëria ime, por edhe nga e babait tim, se gjërat nuk kanë ndryshuar. Fëmija është fëmijë në çdo epokë.

Babai juaj e shkroi për ju këtë skenar. A ishin të gjitha episode reale apo kishte edhe të sajuara?

Nuk janë të gjitha, por sigurisht që edhe unë, edhe babai im kemi pasur njerëz që jetonin në fshat. Unë mbaj mend, kur isha i vogël më kanë lënë disa kohë në fshat, siç është rasti i filmit, dhe të ambientohesh kur je një fëmijë nga qyteti, relativisht i llastuar, normal në atë kohë, s’ishte shumë e lehtë. Dhe filmi këtë tregon, se si një fëmijë që vjen nga qyteti ambientohet në një vend që nuk e njeh, me kafshë. Po këtë e kam parë edhe me fëmijët e mi, ose me fëmijë të miqve të mi, që kur vijnë në fshat për herë të parë, shikoj që sot është edhe më keq. Kam parë fëmijë që nuk kanë parë as lopë me sy. Nuk kanë parë pyll. Nuk dinë si kapet një flutur. Një fëmijë sot di si hapet një kompjuter. Po t’i thuash “shko në pyll” apo “fli një natë në pyll”, siç është rasti i filmit, u thua fëmijëve të mi tani që të shkojnë në fshat, kjo është e vështirë. Po sigurisht, kjo është një gjë e bukur dhe të mëson të rritesh.

A ju merr malli të shkoni në fshat? E bëni këtë herë pas here, riktheheni?

Unë jetoj të paktën dy muaj të vitit në fshat dhe është një gjë e pazëvendësueshme. Më ndryshon jetën dhe më ndihmon të rigjenerohem, të freskohem, ta shoh jetën ndryshe, sepse kur ti jeton në natyrë, ndryshon mënyra se si u flet njerëzve, si sheh natyrën, si sheh të shkuarën, si sheh të ardhmen. Sigurisht, nuk shkëputem dot.

A kishit filluar të mendonit brenda vetes në atë moshë se çfarë do të bëheshit më pas në jetë?

Jo, unë e dija se do të duhej të shkruaja në jetë, sepse kjo ishte një gjë që ndodhte shumë në familjen time. Nuk kam menduar ndonjëherë të jem inxhinier, nuk e di, ekonomist po themi. E dija që do të merresha me të shkruarën, po se çfarë ishte kjo gjë, nuk e dija. Kjo është një gjë që pastaj pata fat që ndodhi dhe e bëj akoma.

Ishte e destinuar… OK, ju nuk u rritët pastaj në Korçë, në fshat, ju u rritët në Tiranë…

Unë kam lindur në Tiranë.

Po, dhe në këtë mënyrë ju nuk patët mundësi të jetonit shumë në fshat. Do qëndrojmë pak te kujtimet e fëmijërisë, e lagjes ku jeni rritur. Ju e keni bërë shkollën te “Fan Noli”?

Unë e kam bërë shkollën te “Kosova”, që për fat të keq nuk është më. Është kthyer në një parking, ku unë herë pas here duhet të parkoj dhe më vjen…

Të vjen keq që nuk është më shkolla?

Sigurisht, çdo njeri do të donte ta kishte shkollën ku ka qenë. Ajo ka qenë një nga shkollat më të mira në Tiranë dhe aty kam pasur shumë miq që i kam akoma, nga ajo shkollë. Kështu që, kur shkoj aty, po… Aty kam bërë shkollën fillore 4 vjet, pastaj në shkollën “Fan Noli” dhe më pas te “20-Vjetori”, tani ka ndryshuar emri. Qëlloi që në atë kohë isha pak i prapë, ndryshe nga ç’më tregojnë në film, dhe prindërit më detyruan të ndërroja shkollën.

I kujtoni shokët tuaj, mësuesit tuaj?

Shokët i kam akoma.

Vazhdoni ta ruani miqësinë me ta?

Sigurisht, me disa prej tyre po. Me të tjerë… Ne ishim një brez që jetuam dy kohë. Kur unë kam qenë 20 vjeç apo 21, ndryshoi, Shqipëria u hap dhe, për fat të mirë apo të keq, një pjesë e shokëve të mi të fëmijërisë ikën. Unë nuk e di më ku janë.

Nuk keni pasur më asnjë lloj lidhjeje?

Me një pjesë, jo, nuk kam më asnjë lidhje. Nuk e di ku janë dhe ku jetojnë, por sigurisht, një pjesë e madhe janë këtu dhe ata ka raste që i takoj. Unë nuk jam një njeri që jetoj me nostalgji, në fakt, por kur qëllon që takohem, kënaqësi është.

Ju u rritët me prindërit, me gjyshërit. Sa i madh ishte ndikimi i njërës apo tjetrës palë? Nga kush u ndikuat më shumë?

Besoj që nuk bëj përjashtim, si të gjithë fëmijët, që në atë kohë, ose duhej të shkoja në kopsht, ose duhej të më mbanin gjyshërit. Mua pak a shumë më kanë ndodhur të dyja, jo në një masë të ekzagjeruar, por edhe në kopsht kam qenë, edhe te gjyshërit rrija shumë, se prindërit shkonin në punë, sigurisht.

A ndikonin prindërit në zgjedhjet tuaja? Për shembull, pas shkollës së mesme do të duhej që të ndiqnin fakultetin e Gjuhë-Letërsisë?

Jo, asnjëherë. Nëse ka pasur një gjë nga e cila unë kam fituar dhe në disa raste të vuaj edhe sakrifica të vogla në jetë, është liria që kam pasur në familje dhe që e kam akoma. Pra, në familjen time nuk më ka kërkuar llogari kush. Sigurisht, më kanë kërkuar përgjegjësi si të gjithë fëmijëve, nëse kisha mësuar, pse more 8 e nuk more 9, po themi, pse u vonove, normale deri në një moshë të caktuar. Por, u jam mirënjohës prindërve që më kanë dhënë një liri që për shumë njerëz duket e çuditshme. Unë jam produkt i lirisë së atyre dhe I lirisë time. Dhe kjo është arsyeja që unë bëj edhe gjëra që njerëzit thonë pse duhet t’i bësh. Kështu që nuk më kanë detyruar kurrë të bëj një gjë që s’e kam dashur. Kam zgjedhur jetën time siç më ka ardhur dhe siç më ka shijuar. Dhe nuk jam pishman, sepse nuk besoj se po të isha kthyer mbrapa dhe të merrja një vendim tjetër, p.sh., të isha bërë thashë ekonomist, apo inxhinier, apo arkitekt, kam përshtypjen do kisha qenë mediokër. Nuk ishte dhuntia ime. Rikthehemi sërish te shkolla. Kalojnë vitet pak nga pak. Ndalojmë pak te shkolla e mesme, ndoshta kujtimet aty janë edhe më të fuqishme. Lidhjet me shokët janë edhe më të forta.

Disa nga kujtimet tuaja, ose disa nga shokët, të cilët i keni pasur më për zemër…

Po, sigurisht. Gjimnazi është më afër dhe është një moshë, ku ti e shijon më shumë, sepse je pak më i madh, je pak më i lirë dhe fillon të bësh ca gjëra që ke menduar se kanë qenë të ndaluara. P.sh., unë kam filluar të pi cigare në gjimnaz. Edhe sot, një fëmijë 15-16 vjeç fillon provon cigaren. Nuk është normale, apo jo?! Asnjë prind nuk do ta donte! Po ai ishte ves në atë kohë. E bënin të gjithë.

I ka mosha, në fakt…

Të gjithë e pinin cigaren për modë, pastaj ky zakon ngelet, siç më ka ngelur mua p.sh., ose fillon raportet me vajzat, gjë që kur je në shkollën fillore, kjo nuk mendohej. Kjo është një gjë shumë e bukur. Dhe në fakt, gjimnazi ku kam qenë unë, “Sami Frashëri” ka qenë i lirë. Ka qenë shumë i lirë dhe shumë liberal për kohën, për hir të së vërtetës, dhe nga ato ditë kam kujtime shumë të bukura, gjëra që sot nuk bëhen më, për shembull. Ne shkonim nëpër fabrika për të bërë aksione, për të bërë punë…

Ishte e detyrueshme për të shkuar në fabrika apo kombinate…

Po, dhe unë s’kuptoja asgjë. Nuk dija çfarë ishte tornoja, si bëhej një prizë. Ne na kanë çuar në një  ndërmarrje që prodhonte priza. Dhe më kuptohet që aty kam grabitur për herë të parë një gjë, se në atë kohë nuk kishe ku gjeje priza, dhe unë merrja dy-tri priza i çoja në shtëpi, ose i jepja ndonjë kushëriri apo komshiu (qesh).

Të duhej ta bëje?

Të dukej sikur merr një gjë që nuk e gjen në pazar. Zbori ishte një nga gjërat më të bukura në gjimnaz.

A ishit ai Beni trazovaç? E prishnit ndonjë orë mësimi, ngacmonit ndonjë shok, ndonjë shoqe?

Po, kam pasur shumë ndëshkime nga këto. Më kanë përjashtuar nga shkolla, për një javë, dy javë. Më kanë nxjerrë nga ora e mësimit. Kam marrë edhe dysh, p.sh., një notë që nuk mund të merrej, për sjelljen sigurisht, dhe në një lëndë të tmerrshme, ku unë nuk kuptoja asnjëherë asnjë gjë, që ishte Kimia. Kimia ka qenë një nga lëndët që mua më jepte bezdi dhe sikletin më të madh. Sigurisht, të gjitha këto gjëra i kam bërë. Po unë luaja shumë sport, basketboll shumë dhe volejboll, po sidomos basketboll. Basketbolli ka qenë një nga gjërat që kam dashur më shumë në jetë. Nuk pata mundësi të isha basketbollist profesionist, sepse shkolla ku isha unë, “Fan Noli” kishte profil volejbolli dhe unë u futa në volejboll, por nuk ishte një gjë që më pëlqente, për hir të së vërtetës. Kurse basketbolli më pëlqente shumë, por nuk e bëra dot.

Cila ka qenë mosha kur ju tentuat të shkruani për herë tëparë? Ka qenë gjatë shkollës apo më vonë?

Nuk e mbaj mend, por besoj para se të shkoja në gjimnaz. Sigurisht, gjëra të vogla, poezi si fillim, sepse në një moshë 12, 13 apo 14 vjeç nuk mund të shkruash dot prozë. Pastaj ushtrohesha në shkollë, sepse ne kishim çdo muaj hartim, që zgjaste dy orë, dhe aty e kuptova që aty unë mund të shkruaja shumë më shpejt se të gjithë dhe ta harxhoja kohën e mbetur në atë dy orësh për qejf, sepse unë dorëzoja hartimin dhe pastaj dilja. Natyrisht, mësueset e pëlqenin atë që shkruaja unë, e lexonin para klasës.

Poezitë e tua të para, i lexonit vetëm ju apo ia tregonit ndonjë shoku…

Jo, asnjë s’mbaj mend. Jo, unë nuk i ndaj këto gjëra, zakonisht. Ky ka qenë një zakon vajzash, që bëjnë poezi, i recitojnë, i shpërndajnë, i fusin në “Facebook” sot.

I keni të ruajtura?

Diçka kam, por jo ndonjë gjë të madhe. Disa gjëra i kam, me shkrim dore, natyrisht, gjë që nuk më ndodh më. Unë nuk shkruaj dot më me dorë prej më shumë se 25 vjetësh.

Sapo pamë foton e kryetarit të parlamentit, zotit Ilir Meta. E keni pasur shok shkolle?

Po, kemi qenë në klasë në gjimnaz te “Sami Frashëri”.

I kishit raportet të mira? E dinit që një ditë do të ishit në politikë të dy?

Atëherë nuk mund të imagjinoje gjë, sepse Shqipëria ishte një vend i mbyllur dhe ti s’mund të bëheshe dot politikan dhe as të shkonte mendja, se ata që ishin në politikë atëherë, anëtarë byroje, dukeshin njerëz që ti s’mund t’i arrije dot, dhe kjo nuk na shkonte në mend kurrë.

Si kanë qenë relatat me Ilirin?

Edhe të mira, edhe të këqija. I kemi pasur të dyja nuancat e një raporti, edhe të mira, edhe jo shumë të mira.

A keni pasur momente kur, ashtu si djemtë, përplasen, zihen?

E thashë, unë nuk kam qenë një djalë i urtë dhe i qetë, sidomos në këtë moshë, çka u ndodh në përgjithësi djemve. Nuk është se kam qenë njeri i prapë, por i lëvizur në një kuptim. Kështu që, qëllonte të kishim edhe zënka të vogla, mosmarrëveshje. Është normale në një klasë. Kjo e bën një klasë gjimnazi shumë më të bukur.

Do të doja të dija raportet tuaja me gjyshërit. Ndoshta shumë nuk e dinë që gjyshi juaj nga mamaja ka qenë Dhimitër Shuteriqi, shkrimtar, i cili u desh të penalizohej, sepse nuk pranoi të merrte direktiva nga regjimi i asaj kohe… A keni ngjashmëri me gjyshin tuaj?

Këtë nuk e them dot, sepse mua nuk më ka kërkuar njeri të ndëshkoj dikë tjetër.

Nëse?

Them se do t’i rezistoja.

Do t’I ngjanit gjyshit tuaj?

Do të bëja atë që është e drejtë, që të mos u bija njerëzve në qafë për arsye politike. Por sot nuk është e njëjtë si dikur. Po flasim për vitin 1972-1973. Atëherë mund të eliminoheshe, në të gjitha kuptimet e fjalës. Nëse ka një gjë për të cilën i jam mirënjohës familjes sime, është se diti të ruajë dinjitetin e vet pa shkuar në një ndëshkim fatal për të gjithë ne.

Bëheshin biseda politike në shtëpinë tuaj, kur ishit fëmijë në familjen tuaj?

Ata ishin të kujdesshëm të mos flisnin në sy të fëmijëve. Edhe sot, njerëzit kanë frikë në disa raste, jo më në vitet ‘70-‘80. Të flasësh në sy të fëmijëve, ata flasin, tregojnë në shkollë, dhe kështu mund të marrësh në qafë familjen. Por ishin konstante bisedat për letërsinë, pa dyshim, për artin, për kinematografinë, sepse babai im ishte skenarist, punonte në skenografi, dhe mbaj mend që im gjysh ka pasur një zakon deri në fund të jetës, që ai linte gjithçka dhe në orën 8 të darkës do shihte lajmet e RAI-t, që jepej në atë kohë. Mbaj mend vetëm kur dilte papa sfumohej ekrani, por ishte njeri që donte të dinte patjetër se çfarë ndodhte në pjesën tjetër të botës.

Ju tashmë e kishit skalitur mirë se çfarë do bëheshit. E kishit ndarë mendjen të vazhdonit për letërsi. Por, në fakultet ndoshta ke ngjarje që të mbeten më shumë në kujtesë…

Tani që kthehem mbrapa, më duket sikur koha e fakultetit ka kaluar shumë shpejt. Dhe aq shpejt, saqë nuk arrin të dallosh një vit nga tjetri. Ishte faza e fundit e komunizmit, në vitet ‘88-‘89-‘90, dhe ne e ndjenim që ishim shumë më të lirë. Për shembull, unë kam filluar të shkruaj në gazeta gjëra që nuk mund të shkruheshin më parë. Shkonim nëpër rrethe dhe në disa raste kam shkuar si korrespondent i gazetës “Studenti” apo “Zëri i Rinisë”, sepse kjo ishte edhe mundësi për t’u paguar. Kjo ishte mundësi për të fituar ndonjë honorar. Mbaj mend që për reportazhin e parë në Berat kam marrë 1 mijë e 200 lekë në atë kohë. Ishte 1/4 apo 1/5 e rrogës së prindërve.

Gjatë kohës që ju punonit gazetar, a filloi te ju ideja që duhej të merreshit me politikë?

Unë nuk është se kisha ndonjë frymëzim për t’u marrë me politikë, por në vitin 1997, kur pothuajse gjithçka ndryshoi, dolëm nga një konflikt shumë i ashpër, pjesë e të cilit isha vetë. Unë nuk isha me armë në dorë, por drejtoja gazetën “Koha Jonë”, që ishte ‘arma’ më e madhe e kohës, për hir të së vërtetës, dhe që ishte në mes të gjithçkaje. Për fat të keq, ajo gazetë u dogj dhe dukej sikur u zgjidh një kontratë edhe shpirtërore. Tani unë mendova që, edhe kjo gjë u krye dhe unë nuk kam çfarë bëj më këtu. Shqipëria duhej të ndryshonte dhe në një kuptim Shqipëria ndryshoi. Pavarësisht se jeta ime do kishte qenë shumë më e lehtë, në të gjitha kuptimet e fjalës, po të vazhdoja të merresha me gazetari, mendova se kishte ardhur koha për një gjë tjetër dhe u futa gradualisht në administratë. Pastaj, 4 vite më vonë jam bërë një politikan profesionist në një kuptim, jam bërë deputet, sepse nga ajo ditë mund të quhesh një gjysmë politikani profesionist. Ishit politikan, ishit deputet, duhej të përplaseshit me problematikat e atyre personave që ju kishin votuar, ju dhe partinë tuaj. Patjetër keni hasur problematika nga më të ndryshmet.

A ishit dyshues se nuk mund t’i zgjidhnit dot?

Kur kam hyrë për herë të parë në parlament në 2001-shin, aty kupton se çfarë duan njerëzit nga ti, sepse shkon u kërkon votën dhe shkon prapë dhe prapë dhe prapë. Në Amerikë thonë se e vetmja punë që bën një deputet apo një kongresmen, siç e quajnë ata, është të zgjidhet dhe të rizgjidhet. Në një kuptim kështu është edhe për ne. Por, dua të them një gjë: në ato vite Shqipëria ishte pak më optimiste dhe njerëzit ishin pak më optimistë. Kërkonin gjëra që sot mund të duken shumë më romantike. Shqipëria nuk ishte kaq depresive sa sot, për fat të keq. Dhe mua më vjen keq kur e them se shumë gjëra nuk po shkojnë ashtu siç e prisnim. Sot ka një varfëri më të madhe. Kanë qenë ndryshe në vitet 2001, 2003, deri nga viti 2006 apo 2007 ndoshta. Nuk e di çfarë ka ndodhur që sot, varfëria duket më shumë, mjerimi duket më shumë, nevoja që kanë njerëzit për t’u futur në punë është më e madhe, konkurrenca mes tyre është agresive për një vend pune. Nuk është se nuk kanë qenë këto gjëra, por ka qenë pak më ndryshe. Shqipëria ka qenë gjithmonë e varfër, por tjetër të jesh i varfër optimist, dhe tjetër të jesh duket më shumë, nevoja që kanë njerëzit për t’u futur në punë është më e madhe, konkurrenca mes tyre është agresive për një vend pune. Nuk është se nuk kanë qenë këto gjëra, por ka qenë pak më ndryshe. Shqipëria ka qenë gjithmonë e varfër, por tjetër të jesh i varfër optimist, dhe tjetër të jesh i varfër pessimist. I varfri pessimist shkon drejt mjerimit, I varfri optimist shkon drejt ndryshimit.

Sa i përket shoqërisë, a kemi një lloj degradimi të shoqërisë shqiptare, ku antivlerat po merren si vlera?

Vitet e fundit, po. Është shumë e ndjeshme. Unë besoj se, për shkak se nuk po vendosim një raport të drejtë me ligjin, pra me drejtësinë në një kuptim, ne po kultivojmë si shoqëri, ngritjen në piedestal të injorancës, të dhunës dhe të krimit, çka është shumë e dukshme ditët që flasim. Unë do doja që të mos isha fare i vërtetë në këto që them, po për fat të keq janë fakte, sepse parlamenti ku jam nuk është parlamenti më i ndershëm që ka pasur Shqipëria. Përkundrazi, mund të jetë e kundërta e vërtetë. Është e pamundur sot, në Evropë, se në Shqipëri është e mundur, që të shkosh në parlament dhe të gjesh njerëz që s’kanë bërë shkollë, apo njerëz që e kanë blerë një diplomë, apo deputetë që ti e di që kanë vrarë dikë apo kanë trafikuar dikë. Dhe kjo është e vërtetë. Ku ndodh kjo përveçse në Shqipëri?! Dhe problemi nuk është kaq! Çështja është se ne, duke kultivuar këtë mënyrë të të bërit politikë, po edukojmë brezat që, të hysh në politikë, të bëhesh dikush, të fitosh pasuri, karrierë, influencë, duhet të kesh këtë model, pra një model dhune, agresiviteti, pandershmërie, dhe kështu e kemi zhbërë shkollën, sepse një fëmijë nuk ka pse mëson që të bëhet i varfër, se kur ai sheh që ti mëson, por mbetesh i varfër dhe nuk të japin një punë, pse  duhet të mësojë?!

Libri juaj ‘’Kandidati’’, mos ndoshta u ka paraprirë këtyreb që po ndodhin me ju tani?

Nuk i ndaj dot. Libri im më i mirë është ai që nuk e kam shkruar akoma. Libri që ka pasur më shumë jehonë, në kuptimin e tregut dhe në publik, ndoshta ka qenë libri im i parë, që e kam nxjerrë në vitin 2008, “Të jetosh në ishull”, një libër që tregon se si u konvertuan shqiptarët nga të krishterë në myslimanë, në shekujt 16 apo 17 pak a shumë. Por unë nuk i ndaj dot.

Nuk e përjashtoj. Nëse e kam pasur këtë intuitë që të parashikoj këtë që po më ndodh mua sot, ky është një avantazh tjetër i imi që mund të kthehet në favor më vonë. Përpiqem, por ky libër, “Kandidati”, është libri më realist që unë kam shkruar. Librat e tjerë, sigurisht përshkruajnë Shqipërinë, por u përkasin kohërave të tjera. Dhe gjithmonë kam pasur dyshime a do kem unë mundësinë të shkruaj një libër për Shqipërinë e ditëve tona? Mendoja unë, që Shqipëria e sotme nuk është kaq interesante sa mund ta përshkruaj. Me këtë libër provova që nuk është kështu, dhe më ka dhënë shumë kënaqësi gjatë atyre ditëve që e kam shkruar. Ishte një xhiro nëpër tragji-komizmin shqiptar.

A jeni ndier i lodhur?

Çdo ditë kur ti shkruan, vjen një moment dhe lodhesh. Mund të shkruash nga 1 deri në 8 apo 9 faqe në ditë, në rastin tim, flasim për faqe kompjuteri, gjithmonë. Pastaj e ndjen që raporti yt me kompjuterin fillon dhe dobësohet. Edhe mendimi, pa dyshim. Dhe përfundon i lodhur, për ta rimarrë të nesërmen, natyrisht.

Ju keni vite që jeni në politikë. Tani e keni marrë vesh që gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet?

Unë jam në një parti, e cila ka marrë përsipër të qeverisë Shqipërinë dhe ka fituar zgjedhjet para 3 vjetësh. Dhe sigurisht, në momentin që ti fiton zgjedhjet, ke bërë një kontratë me ata që të kanë votuar, dhe kontrata ka disa pika që, në vija të përgjithshme janë: luftë kundër varfërisë, mbrojtje e interesit publik, luftë kundër korrupsionit, mbështetje e shtresave në nevojë, integrim evropian, drejtësi, liri, modernizim, emancipim. Nëse unë konstatoj që kjo kontratë nuk po funksionon dhe ne po shkelim arsyet për të cilat jemi votuar, unë besoj që duhet ta them këtë gjë. Dhe unë këtë po bëj, po them që ne nuk po respektojmë kontratën që kemi bërë me zgjedhësit. Kolegët e mi kanë pik pamje tjetër. Shumica prej tyre mendojnë që ne kemi bërë një qeverisje të shkëlqyer. Unë nuk mendoj kështu, përkundrazi! Mendoj që jo vetëm duhej të kishim bërë më shumë, por në radhë të parë duhet të jemi një grup politik, pak më i arsyeshëm, më modest dhe me një lëkurë më të hollë, pra të jemi pak më të ndjeshëm. Nuk më intereson shumë se çfarë mendon qeveria për ato që them unë. Më intereson çfarë mendojnë shqiptarët për ato gjëra që them unë. Dhe nëse ka një palë që thonë se “ti thua gjëra që dëmtojnë partinë, unë besoj se jam i shkëputur nga kjo fjalia “dëmton partinë”. Në jetën e një njeriu të angazhuar në politikë ka dy rrugë: të dëmtojmë partinë apo të dëmtojmë popullin. Unë do zgjidhja të dëmtoja partinë dhe jo popullin. Nëse qeveria vendos të dëmtojë popullin dhe të mos e thotë, unë nuk jam me këtë.

Nëse do të ishit ju kryetar partie apo kryeministër i shqiptarëve, do të ishit kaq i hapur ndaj atyre zërave që do të ishin kundër jush?

Çdo njeri është i prirur të flasë mirë për veten, apo jo?! Njeriu duhet të vihet në atë pozicion për ta provuar nëse është kështu apo jo. Por unë besoj që po. Besoj se do të orientohesha nga e drejta dhe nga e arsyeshmja, dhe jo vetëm nga nevoja për të mbajtur pushtet pa asnjë motiv.

Ka ndjerë ndonjëherë momente frike Beni?

Ka momente pasigurie, por nuk mund të them se ka momente frike. Unë, po të kisha frikë, në një kuptim jeta ime mund të kishte qenë shumë më e bukur ose shumë më e qetë, shumë më komode, në të gjitha kuptimet e fjalës. Mbase duhej të isha pak më i kursyer, por nuk kam frikë. Gjatë karrierës suaj politike, a keni menduar të kaloni ndonjëherë në kahun tjetër politik? Jo, s’e kam menduar. Në vitin ‘90-‘91, mbaj mend, kur u krijua Partia Demokratike unë kam qenë student dhe gjatë gjithë Lëvizjes së Dhjetorit unë isha aty, me shumë shokë. Eduard Selami, sot është deputet i PD-së, ka qenë edhe mik, edhe pedagog i imi i Estetikës. Mbaj mend që ai ka ardhur dhe më ka thënë që, “a do firmosësh për 300 firmat e para” me të cilat u themelua Partia Demokratike. S’kisha asnjë shtytje. I thashë “jo” dhe s’kam firmosur, në fakt. I thashë “jo”, sepse mendoja, ose e ndieja, se nuk ishte gjëja që mund t’i përshtatesha, dhe koha e tregoi. Kam pasur plot raste që mund të shkoja në PD, por nuk e ndieja. ‘Kur kam hyrë për herë të parë në parlament në 2001-shin, aty kupton se çfarë duan njerëzit nga ti, sepse shkon u kërkon votën dhe shkon prapë dhe prapë dhe prapë.

Gjatë karrierës suaj politike, a keni menduar të kaloni në krahun tjetër politik?

Jo s’e kam menduar. Në vitin ’90-’91, mbaj mend, kur u krijua Partia Demokratike unë kam qenë student dhe gjatë gjithë Lëvizjes së Dhjetorit unë isha aty, me shumë shokë. Eduard Selami, sot është deputet I PD-së, ka qenë edhe mik, edhe pedagog i imi i Estetikës. Mbaj mend që ai ka ardhur dhe më ka thënë që ‘’a do të firmosësh për 3.00 firmat e para’’ me të cilat u themelua PD. S’kisha shtytje. I thashë ‘’jo’’ dhe s’kam firmosur, në fakt. I thashë ‘’Jo’’ sepse mendoja, ose e ndieja, se nuk ishet gjëja që mund t’I përshtatesha dhe koha e tregoi. Kam pasur plot raste që mund të shkoja në PD, por nuk e ndieja.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Gjykata Ndërkombëtare “urdhër” qeverisë shqiptare: Stop procedurës së ekstradimit të Becchetit
Nis punimet Komisioni për Reformën Zgjedhore, e drejton Ilir Meta »
Article Logic
Execution time: 0.026890993118286
array(1) { ["section"]=> string(112) "ben-blushi-raportet-me-meten-si-shok-gjimnazi-te-mira-dhe-te-keqija-selami-me-kerkoi-te-firmosja-per-pd-ne-34428" }