Ben Blushi: Rilindja ka hasanizuar Shqipërinë

Publikuar tek: politike, më 07:54 05-05-2015 Ben Blushi: Rilindja ka hasanizuar Shqipërinë Edi Rama dhe Hasan Halilaj

Ben Blushi kritikon sërish vendimet e Edi Ramës , por kësaj here duke u fokusuar tek fushata zgjedhore. Sipas Blushit, Rilindja po ‘’hasanizon’’ Shqipërinë. Deputeti i PS-së, përdor termin ‘’hasanizim’’, duke iu referuar kandidatit të së majtës në Kukës, Hasan Halilajt.

“Bëhet fjalë për zgjedhjen e kandidatit të Rilindjes në Kukës. Për të gjithë ata që nuk e dinë, kandidati i Rilindjes atje është kryetari aktual i Bashkisë, i zgjedhur dy herë si përfaqësues i PD së qytetit. Quhet Hasan Halilaj.  Që Hasani kërkon të bëhet për herë të tretë kandidat dhe kryetar i Bashkisë së Kukësit, kjo për mua s’përbën asnjë problem. Duke mos qenë banor i Kukësit, nuk e njoh bilancin e punës së tij dhe nuk dua ta paragjykoj. Për çka do them më poshtë, bilanci nuk ka asnjë rëndësi, megjithëse mendoj se nëse puna e tij do kishte qenë e suksesshme, ai nuk do kishte arsye të ndërronte parti. Nuk do kishte, pra, nevojë të kalonte nga PD tek Rilindja”, shkruan Blushi  për gazetën ‘’Panorama’’.

Blushi pyet se pse Rilindja zgjodhi Halilajn për Kukësin, duke argumentuar se në fund të fundit Halilaj është një demokrat.

“Duke thënë se nuk dua të gjykoj Hasan Halilajn si person, megjithëse kurrë nuk do të bëja atë që po bën ai, pikëpyetja ime nuk është për Hasanin, por për ata që e zgjodhën.  Pse e zgjodhi Rilindja, Hasanin? Se ishte i zoti? Se ishte demokrat? Se ishte kryetar bashkie? Se kishte vota? Se kishte miq? Se kishte para? Se kishte punuar shumë mirë? Se ishte i pavarur? Se ishte përpjekur gjithë këto vite për të ndryshuar qeverinë e Partisë Demokratike me kontributin e tij si kryetar i Bashkisë së Partisë Demokratike?  Pse e zgjodhën Hasanin, pra?  A nuk kishte socialistë në Kukës? A nuk kishte progresistë? A nuk kishte opozitarë në Kukës? A nuk kishte vajza dhe djem të tjerë që besojnë se ka mundësi të ndershme të bësh karrierë? A nuk kishte aty shumë veta që me meritë duhet të vijnë një ditë në pushtet? A nuk kishte burra dhe gra që besojnë se Kukësi mund dhe duhet të ndryshojë duke u qeverisur ndryshe? A ishte një model qeverisja e Hasanit?  Nuk besoj. Edhe nëse Hasani ishte një kryetar i shkëlqyer, ai ishte një demokrat. Një njeri, partia e të cilit u ndëshkua me votë dy vjet më parë. Pse u zgjodh Hasani nga Rilindja, pra?  Kush më bind se Rilindja nuk kishte zgjedhje tjetër, përveç Hasanit? Për çfarë arsye Hasani ishte the only only? I vetmi dhe vetëm i vetmi Hasan?”, shprehet Blushi.

Blushi argumenton më pas zgjedhjen e PS-së për kandidat në Bashkinë e Kukësit, se për të qenë pjesë e Rilindjes, “mjafton të jesh Hasan, pa din e iman’’.

“Sepse Rilindja ka humbur gjatë rrugës të gjitha virtytet, që e sollën në pushtet. Për të qenë pjesë e Rilindjes nuk është e domosdoshme të kesh besuar tek zgjedhjet, nuk është e udhës të kesh votuar për ndryshimin e qeverisë, nuk është e thënë të jesh socialist, nuk është kusht të jesh i majtë, nuk është e nevojshme të kesh besuar tek ndryshimi i vendit, mjafton të jesh Hasan. Të jesh pa din dhe pa iman. Pa sedër dhe pa nam. Pa kusur dhe pa plan. Pa kurajë, pa guxim dhe pa nishan”, thotë Blushi.

Për Blushin, po ndodh fenomeni i hasanizimit të Shqipërisë.

“Por zgjidhja e Hasanit në Kukës nuk është vetëm kaq. Ajo është sa keq dhe sakaq. Ajo është hasanizimi i politikës. Është hasanizimi i Rilindjes. Është hasanizimi i Shqipërisë. Hasanizim do të thotë të kalosh nga një parti në tjetrën pa pasur asnjë besim as tek partia e vjetër dhe as tek partia e re. Hasanizim do të thotë të jesh gjithnjë në pushtet. Hasanizim do të thotë të mos besosh në asgjë. Në asnjë vend dhe asnjë qytet. Hasanizim do të thotë që gjithçka mundet dhe gjithçka duhet, pavarësisht se a mundet. Hasanizim do të thotë të mos kesh as dje, as sot dhe as nesër. Hasanizim do të thotë që kurrë të mos vish, por të presësh dhe të rrish. Hasanizim do të thotë që partitë nuk kanë asnjë dallim dhe qeveritë, kur ndërrohen, nuk sjellin asnjë ndryshim. Hasanizim do të thotë harrim. Amnezi dhe vazhdim”, shkruan Blushi.

Sipas tij, vendi nuk po hasanizohet nga Hasan Halilaj, por nga Rilindja.

“Dhe Shqipërinë nuk po e hasanizon Hasani, por fatkeqësisht po e hasanizon Rilindja. Forca që erdhi në pushtet për të ndryshuar Shqipërinë. Padurimin për mirëqenie, skamjen dhe urinë. Ky, pra, është fundi i shpresave për çdo njeri në Kukës. Të votosh PD merr Hasanin. Të votosh Rilindjen merr Hasanin. Prapë. Unë i kuptoj si ndihen sot të gjithë në Kukës. Ka me siguri aty shumë burra dhe gra, të rinj dhe pleq, të cilët kanë bërë tetë vjet rresht fushatë kundër Hasanit. Ata kanë besuar se do vinte një ditë kur qyteti i tyre do çhasanizohej. Rilindja e hasanizoi Kukësin dhe ky virus, me sa duket, po përhapet. Po zbret nga Kukësi dhe po çapet. Po vërtitet, po na ndjek, na përndjek dhe po avitet. Për çdo njeri që kërkon një arsye pse ikin shqiptarët nga Kukësi, Hasani është pyetja dhe përgjigjja. Shqiptarët nuk duan të hasanizohen. Dhe për këtë nuk kanë pse fajësohen”, përfundon Blushi.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Peleshi: Nuk i bllokuam fondet për Tiranën. Bashkia, performancë skandaloze
Zbardhen emrat PD dhe LSI për këshilltarë në Bashkinë e Tiranës »
Article Logic
Execution time: 0.024692058563232
array(1) { ["section"]=> string(50) "ben-blushi-rilindja-ka-hasanizuar-shqiperine-10383" }