Ben Blushi: Rilindja, truk për ta nënshtruar dhe përdorur Partinë Socialiste

Publikuar tek: politike, më 07:12 24-04-2015 Ben Blushi: Rilindja, truk për ta nënshtruar dhe përdorur Partinë Socialiste Ben Blushi dhe Ylli Rakipi

Ben Blushi ka bërë një analizë më të zgjeruar të situatës ku ndodhet qeveria shqiptare dhe pamundësisë së saj për t’u kthyer shpresën shqiptarëve që çdo ditë e më shumë po ikin jashtë Shqipërisë. Për Blushin  ka një parti tjetër brenda PS-së që duhet Rilindje dhe që po qeveris keq. Për të Rilindja ka qenë një ambalazh dhe se Rama nuk diskutoi me PS-në për kabinetin qeveritar. Intervistën Blushi e ka dhënë në emisionin ‘’Të paekspozuarit’’ në Ora News.

 “Ka qenë një amballazh dhe koha e tregoi këtë. Unë nuk para besoj shumë, por ka pasur njerëz që e kanë besuar këtë. Unë jam i dëshpëruar si ata, edhe pse kam mundësi të paguar faturën e dritave dhe karburantin e makinës. Për një shoqëri që është çdo ditë e më pak e arsimuar, shqiptarët ushqehen më keq së vendet e tjera, kanë korrupsionin më të lartë se fqinjët. Pse këta popuj kanë aftësi shtetformuese më të mira se ne? Nuk dua ta besoj se nuk kemi aftësi genetike për t’u qeverisur normalisht, por në fakt po qeverisemi më keq. Të gjithë treguesit e tregojnë këtë: ka rënë konsumi, cmimi i energjisë dhe i karburanteve është më i larti në rajon. E kam përshkruar Rilindjen si një parti brenda partisë. PS nuk është pronë publike, por pasuri kombëtare, një instrument politik si partia më e madhe që iu jep njerëzve mundësi të ndryshojnë jetën e tyre përsa kohë ka kërkuar vota. Nëse PS nuk është demokratike dhe nuk është e tillë, më beso mua, si mund të jetë Shqipëria dmeokratike?!” ka deklaruar Blushi.

Ai ka shtuar se “një parti e madhe, duhet të funksionojë si shoqëri aksionere, ku aksionerët mblidhen dhe zgjedhion administratorin. Por kjo nuk do të thotë që administratori të kthehet në pronar” . “Rilindja është një parti brenda partisë që po shkatërron partinë”, ka thënë Blushi.

I pyetur nga Ylli Rakipi se përse Blushi nuk është pjesë e kabinetit qeveritar, deputeti socialist deklaroi se zgjedhjet i fitoi PS dhe jo Rama.

“Kryeministri u zhduk pas zgjedhjeve dhe doli vetëm 1 herë në televizion dhe tha kjo është qeveria ime. Më mirë që nuk jam në qeveri se nuk mbaj kosto për këtë dëshpërim të shqiptarëve.”, deklaroi Blushi. Ai shtoi se ministrat e zgjedhur nuk kanë pasur hapësirën dhe lirshmërinë për të bërë gjëra.

Blushi ka deklaruar se qeveria ka devijuar nga parimet e saj dhe nga ato për të cilat u zgjodh.

“Unë duhet të bëj sot një ndarje mes PS dhe Rilindjes. Shqiptarët besojnë se Rilindja ishte një truk për ta nënshtruar PS dhe për ta përdorur, për t’i marrë votuesit dhe për t’i nënshtruar. Socialistët e thjeshtë e bëjnë këtë dallim”, është shprehur Blushi.

Kurse për bashkëpunimin me LSI-në, Blushi komentoi se ajo nuk është parti e tij dhe se ai kritikon PS-në ku edhe bën pjesë. Blushi deklaroi se e ka mbështetur koalicionin me Metën. “Është një skemë e ndarjes së pushtetit për të cilën nuk jam kundër. PS nuk vinte dot në pushtet e vetme”, u shpreh Blushi.

Lidhur me eksodin, Blushi u shpreh se kemi një dëshpërim që po kthehet në epidemi.

 “Nevoja për të ikur nga Shqipëria po kthehet në epidemi. Shqiptarët kanë pasur gjithmonë arsye të iknin nga Shqipëria. Por nuk ka rast më tragjik se kjo që po ndodh. Se ikën në fillim, në eksodin e ’91 dhe u larguan me idenë që do të ktheheshin. Pati eksod edhe në ’97 për arsyet që dihen. Por kjo që po ndodh është akumulim i dëshpërimit dy vjet pasi shqiptarët votuan për të ndryshuar qeverinë. E dini pse është më e rëndë? Se deri më 2013 nuk kishte shpresë te qeveria por te opozita. Ndërsa tani nuk ka besim as te qeveria dhe as te opozita. Pra, kemi një deshpërim që po kthehet në epidemi. Po na bie popullsia. Nuk ka asnjë popull në botë që ka humbur 30% të popullsisë dhe këtu nuk ka luftë civile, grupe terroriste, konflikte fetare apo etnike, për cfarë duan të ikin shqiptarët?”, shprehet Blushi.

Deputeti socialist deklaroi se nuk u beson shifrave të qeverisë për punësimin, çka sipas tij e tregojnë shifrat e largimit. “Më 2014 kanë ikur nga Shqipëria 40 mijë banorë, është njësoj sikur të fshihet Pogradeci. Nëse qeveria jep shifra të pabesueshme, atëherë kjo rrit dëshpërimin te shqiptarët”, u shpreh Blushi. Ai theksoi se “është qeverisja e keqe si metodë që ka akumuluar dëshpërim”.

 “Cfarë ka ndodhur këto 2-3 muaj? Pati përmbytje që nxorri në pah mjerimin. Shqiptarët e kuptuan se shteti nuk të mbron, por të bezdis, atëherë kur nuk ke mundësi. Ka pasur situata me tritol dhe kjo ka impakt te njerëzit. Pati një fushatë selektive të mbledhjes së detyrimeve të energjisë elektrike, çmimi i energjisë u rrit për këta fukarenj. U futën në burg fukarenj, por asnjë i pasur”, tha ai.

Deputeti socialist shtoi se 60-70 për qind e borxhit në energji e kanë të pasurit, ata që kanë fabrika dhe industri dhe jo të varfërit, ndërkohë që asnjë i pasur nuk është future në burg.

“Prandaj them që ka dështuar modeli. Një i pasur nuk duhet të trajtohet njësoj si një i varfër. Ka humbur shpresa e fundit, që ishin zgjedhjet dhe njerëzit nëpërmjet ndërrimit të qeverive shpresuan. Por ndodhi sërish inercia dhe sistemi po kthehet favorizues për një pjesë të shqiptarëve, atyre që janë të pasur. Të pasurit dhe të varfërit janë të ndryshëm në pasuri, por jo në të drejta. Perceptimi i shqiptarëve është që kjo qeveri nuk i barazoi të varfërit dhe të pasurit në të drejta dhe ata kanë vetëm një rrugë, të largohen dhe kjo po ndodh. Është një fazë dëshpërimi akut dhe nëse nuk do të ishte BE që do t’i kthente mbrapsht, këtu do të iknin 1 milion njerëz”, deklaroi Blushi duke shtuar se edhe tezat e legalizimit të kanabisit për të shpëtuar ekonominë shqiptare nuk e nxjerrin vendin nga kriza.

 “Unë jam kundër që të bëhet kultivimi i kanabisit. Nëse tregu botëror do e kërkonte këtë gjë, do e kishin bërë vendet e tjera. Ne kemi shumë pak tokë, edhe po ta mbjellim të gjithë me kanabis nuk do konkurronim dot Serbinë. Kultivimi i kanabisit nuk e nxjerr vendin nga kriza, ky nuk mund të jetë model dhe reformë për të rritur buxhetin, pagat e pensionet, për të qenë më konkurrues. Si mund të kemi dy standard, që para 6 muajve ua mbyllëm parcelat njerëzve në Lazarat dhe tani të themi që pas 1 viti do e kultivojmë”, ka deklaruar Blushi.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « PDIU: Ekspertizë amerikane për marrëveshjen e detit me Greqinë
Eduard Shalsi, menaxher i fushatës PS-LSI »
Article Logic
Execution time: 0.023262977600098
array(1) { ["section"]=> string(79) "ben-blushi-rilindja-truk-per-ta-nenshtruar-dhe-perdorur-partine-socialiste-9568" }