Bilanci i OSHEE: Rriten arkëtimet, kursehen 80 milionë euro nga ulja e humbjeve

Publikuar tek: ekonomi, më 21:56 13-12-2016 Bilanci i OSHEE: Rriten arkëtimet, kursehen 80 milionë euro nga ulja e humbjeve

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) prezantoi sot para gazetarëve disa nga treguesit thelbësorë të aktivitetit saj gjatë vitit 2016, duke e analizuar me periudhat e mëparshme, si dhe objektivat për të ardhmen.

Tashmë rritja e arkëtimeve ka hyrë në një trend normal rritës nga viti në vit, kurse humbjet po vijojnë uljen, duke sjellë kështu për pasojë miliona uro kursime për kompaninë nga mos-importi i energjisë, për rrjedhojë lehtëson OSHEE-në në financat e saj për më tepër investime.

Konkretisht, arkëtimi i faturave korrente, për të cilat ka përfunduar periudha e arkëtimit deri në 90 ditë (pa kamatat), është në nivelin 87% nga 66% që ishte në 2013 apo 74% në 2014.

Kurse arkëtimi i totalit të faturave të emetuara deri në Tetor dhe arkëtuar deri në Nëntor (pa kamata), arriti në 86.2% si realizim, me një rritje të ndjeshme në raport me vitet e kaluara.

“Nëse do të kishim një performancë më të mirë të arkëtimeve nga institucionet shtetërore, si psh ujësjellësit, norma e arkëtimeve do të ishte mbi 90%”, deklaroi për mediat, Administratori i Përgjithshëm i OSHEE, z.Adrian Çela.

Humbje po vijnë gjithnjë e në ulje, falë mirëmanxhimit të situatës me abonentët debitorë, por së fundmi edhe falë investimeve në rrjetin e amortizuar, nga ku humbjet dhe vjedhjet arrinin 4 vite më parë rreth 50%. “Sot, nivelin e humbjeve e kemi 27.7%, dhe objekti deri në fund të këtij viti 2016, është 28%”, deklaroi më tej, kreu i OSHEE-së.

Rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve, natyrshëm që është pasqyruar edhe te treguesit e borxhit të kompanisë, niveli I të cilit në vitin 2014 arriti në 126.5 miliardë lekë, ndërsa sot, duke përfshirë edhe kamatat, arrin në 105 miliardë lekë.

Kështu, ndërsa në vitet 2012-2014, borxhi rritej mesatarisht me 10 miliardë lek në vit, me nisjen e reformës, ai stopoi rritjen dhe nisi reduktimin me rreth 20 miliardë lekë në dy vitet e fundit.

Sa i takon investimeve, OSHEE ka hyrë në fazën intensive të realizimit të projekteve mjaft të rëndësishme, që synojnë rritjen e sigurisë së rrjetit elektrik, garanci dhe cilësi në furnizimin me energji elektrike.

OSHEE ka investuar mbi 10 miliardë lekë, me fondet e veta, në rajone dhe projekte, ku nuk ishte ndërhyrë për 40 vjet me radhë, duke shtruar rreth 2 mijë km linjë TM dhe TU, ndërtim kabinash dhe n/stacionesh, ku përfitues janë rreth 370 mijë abonentë, ose më e pakta 1/3 e popullsisë, vetëm në dy vjet.

Administratori i OSHEE, u tha gazetarëve të pranishëm se nevojat për financimin e investimeve janë të mëdha dhe do të duhen të shpenzohen gjysmë miliard euro në 2-3 vitet e ardhshme për të arritur standardin e duhur të shërbimit të furnizimit cilësorë me energji elektrike. Për vitin 2017, plani i investimeve është mbi 12 miliardë lekë.

Duke u rikthyer te tema e uljes së humbjeve, kreu i OSHEE u ndal te pjesa e efekteve që kanë dhënë te financat e kompanisë “kostot e energjisë së humbur”, për periudhën janar-nëntor.

Konkretisht, sipas Administratorit, Çela, reduktimi i kostos së energjisë së humbur është 26 milionë euro më pak se viti 2015, kurse në raport me vitin 2014 është rreth 80 milionë euro.

  

Administratori iu përgjigj interesit të medieve në lidhje me fenomenin e dëmtimeve të rrjetit të OSHEE nga palë të treta, si firma private, apo individë të ndryshme.

“Është një problem, dhe madje për kryeqytetin gjatë 3 muajve të fundit është kthyer në fenomen. Gjatë muajit nëntor, kemi pasur 15 raste, ku gati 45% e ndërprerjeve është shkaktuar nga firmat private që punojnë për infrastrukturën publike, rrugë, ujësjellës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Dhjetor!

Përveç shkresave drejtuar institucioneve publike për shumë kujdes, jemi duke hartuar një draft me disa propozime që forcojnë sanksionet ndaj subjekteve private.  Mes të tjerash kemi kërkuar përjashtimin e këtyre firmave nga prokurimet publike, ose të jepet garanci financiare në rast shkaktimi të dëmtimeve, propozime këto që do ja dërgojmë këshillit të ministrave dhe besojmë se do të gjejmë mbështetje”. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029128789901733
array(1) { ["section"]=> string(83) "bilanci-i-oshee-rriten-arketimet-kursehen-80-milione-euro-nga-ulja-e-humbjeve-62558" }