Bisedë (e nevojshme) me Dan Klosin

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:48 20-10-2015 Bisedë (e nevojshme) me Dan Klosin

Nga Ledi Shamku Shkreli

Fort i dashur Dan,

Po i kapërcej këto formulat hyrëse të tipit "uroj të jesh mirë", pasi më mjafton t'i kujtoj vetes se mund të kesh halle të tjera andej nga eteri yt, po së paku nuk përballesh me marrëzine e këtushme, dhe kaq më mjafton për ta ditur që je mirë.

Do lajme nga marrëzia? Ahahha, e mirë, ja po të të them një të freskët: shkruhet në shtyp se "Helenën e rrëmbyen Ilirët".... (!!!). Do thuash ti (me atë shprehjen tënde karakteristike): "po c'nemelazem? Homeri përmend plot fise, po nuk flet kund për Ilirë". Ç'ke me Homerin ti, tjetri e ka njohur Helenën në basoreliev nga shamia e kokës, dhe atë shami koke vetëm gratë ilire mund ta kishin... Kështu që andej nga je, thuaji Eolit të mos fryjë ca kohë këndej nga Shqipëria, se fluturon shamia e na tretet identiteti pellazgo-ilir (siç e quajnë tash së voni). Kështu pra Dan, siç thotë një miku ynë i përbashkët, "të marrët kanë uzurpuar çmendinën".

Gjithsesi nuk e kisha hallin te shamia e Helenës, sesa te ajo e Desdemonës - meqe jemi te shamia, me lër t'ia ngjis këtë "emër" varietetit standard të shqipes (mqs Jago e Otello e komplote skena e tij ka plot).

E mban ende mend shkrimin tënd "Komisioni Ndërakademik mblidhet njëherë në Llap të Poshtëm e pastaj në Llap të epërm, gjithnjë me dyer të mbyllura"? Unë e mbaj dhe po të njoftoj se u mblodhën prapë sërish në Llap të Poshtëm (kështu i bie të jetë Tirana apo jo, mqs është më në jug se Prishtina). Sërish me dyer të mbyllura. Sërish duke i zbuar mediat me fjalinë që i thotë gjermani Tomkës te filmi: "edhe nga rruga, edhe nga rruga!".

Seç u tha e seç u bë, nuk e di. Por sipas ndoca tyre, mediat qenkan shkaktari i vërtetë i sherrit mes Desdemones dhe (nuk e dij se kujt), ngaqë mediat shpërndakan lajme sikur po preket standardi, ndërkohë që tagri i prekjes nuk qënka i komisionerëve. E dija unë, mediat e kanë fajin! Ç'u duhet të lajmërojnë se Likurgu ka vdekur, pra beja e tij nuk vlen më dhe ligji mund të rishikohet... mediat, mediat...!

Pra nuk mora vesh gjë sa herë i thanë njëri-tjetrit "antikombëtar" gjatë mbledhjes, sa herë dikush u ngrit e tha: "më mirë të më prisni mua një dorë sesa të përditësoni normën" - kuptomë, nuk mora vesh sa herë u tha, se që u tha e mora vesh.

Prape nga mediat, lexova një numer të revistës "Gjuha Jonë", dhe m'u desh të dilja për ajër mbasi mbarova shfletimin. Si mund të degradojë një revistë shkencore e të shkruhet me një gjuhë shitësash dëngu te tregu i rraqeve! Seç lexova ca epitete: "arixhofkë gojëgardhë" e plot të tjera. Dhe asnjë argument shkencor. Kam hall se do iu bërtase Kostallari ngaqë kanë humbur gjakftohtësinë duke dalë në fis siç janë, pa nuk kam merak tjetër.

Veçse Dan, marrëzia ka kapur pjesë jetike duke u bërë ngjitëse. Ligji i Gjuhës, ndryshe Fantazma e Operas, u shfaq sërish. Madje jo vetëm në Tiranën e Likurgut, po tani nxori bishtin edhe në Prishtinë. E kotë të ta them ty sa i marrë e i jashtëkohshëm është një ligj për gjuhën. Ti e din që Franca dikur e provoi me ministrin famëkeq Toubon dhe u bë gaz i botës për ca vjet derisa e shfuqizoi atë palo ligj. Dhe po ashtu ti e din që përmirësimet në gjuhë bëhen me edukatore e jo me policë, po këndej ka mbetë ora te bilbili i policit mesa duket. Thuaji një fjalë edhe ti atyre të Prishtinës të mos luajnë mendsh e të heqin dorë nga dështime qe i ka paralajmeruar historia; së paku të mos luajë mendsh Prishtina e të na mbetet për sqarim vetëm Tirana.

Dan, duro duro, se s'ka të sosur: këtu në Tiranën tonë, këtë Ligjin Ndëshkues për Mbrojtjen e Gjuhës a din që e kërkojnë edhe do "sociolinguistë"??!!! Poooo Dan pooooo, mos kërce kot pupthi se kam kërcyer unë tutje-tehu kur e lexova, kështu që rri e më degjo. Po, e kërkojnë edhe ca "sociolinguistë" - hap sytë te thonjezat!

Sociolinguisti Dan, është deskriptivist, është horacian i tipit "si volet usus, quem penes arbitrium est" (shqip: nëse do doje përdorimi, që është zoti i vërtetë i gjuhës), sociolinguisti o Dan, është mik me Jakobsonin dhe me moton e tij "linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto" (jam gjuhëtar dhe asgjë e gjuhës nuk është e huaj për mua). Dhe tek e mbrama o Dan, sociolinguistin nuk e zë gjumi se si t'i përmirësojë kushtet sociale edhe përmes edukimit gjuhesor. Përfshin, nuk përjashton sociolinguisti Dan, dhe shembuj bota ka plot.

Tash, një ligj për gjuhën o Dan, parakupton detyrimisht edhe një gjykatë linguistike, edhe një polici linguistike, edhe ca gjoba e dënime po ashtu linguistike. Së pari, më thuaj a ia ha mendja ndokujt o Dan, se një sociolinguist mund të kërkojë e të jetë dakord me një gjykatë linguistike, me një polici linguistike, e me gjoba e dënime po ashtu linguistike?! Eshtë jashtë besojmes së vet, Dan, është në kundërshtim të plotë me besojmën e Sociolinguistit! Eshtë njësoj si të çohet Kisha e të kërkojë me të madhe Eutanazine me ligj. Ja kështu është!

Ja që në tokën e Likurgut të madh, likurgët e vegjël nuk dinë nga t'ja mbajnë e shpikin nevojën për shkopinj e kamzhiqe!

Këto ishin lajmet. Pose këtyre, unë jam mirë (se harrova të ta them). Por nuk harroj të të them se më ka marrë shumë malli për ty. Dhe me këtë pohim po e mbyll.

Flasim prapë Dan!

Qofsh mirë!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0070948600769043
array(1) { ["section"]=> string(38) "bisede-e-nevojshme-me-dan-klosin-23547" }